Teksa kemi mbërritur në fundin e pushimeve, me virusin që, në përgjithësi, është kontrolluar në mënyrë të denjë deri më tani nga vaksinat, pavarësisht variantit Delta, është koha për të kuptuar se si mund të jetë vjeshta, që të jemi të paktën mendërisht, të përgatitur për atë që mund të ndodhë. Këto janë kohë të çuditshme, parashikueshmëria e të cilave është shumë më e ulët se zakonisht; ndaj është më mirë të shohim gjithçka pak nga lart dhe pak nga larg, pa u ndalur të gjurmojmë skenarë shumë të detajuar, sepse numri i mundësive që ndryshojnë tek detajet, është tej mase i lartë.
Le të fillojmë me një lajm të mirë: këtë vjeshtë do ta përballojmë me një përqindje të lartë të popullsisë së vaksinuar. Ata që flasin keq për vaksinat aktuale nuk kuptojnë disa gjëra shumë të thjeshta: nga njëra anë, numrin e infeksioneve, shtrimeve në spital dhe vdekjeve që ne i kemi shmangur tashmë në muajt e fundit, falë vaksinave – një rezultat i ditur tani – dhe nga nga ana tjetër faktin që vaksinat, edhe në të ardhmen e afërt, do të vazhdojnë të bëjnë një punë të shkëlqyer, qoftë edhe vetëm për të zvogëluar numrin e infeksioneve, shtrimeve në spital dhe vdekjeve.
Ata që deklarojnë se nuk vaksinohen pasi nuk janë të sigurt për efikasitetin, po bëjnë një parashikim vetë-përmbushës: vaksinat aktuale, kur të ketë kaluar koha e mjaftueshme, sigurisht që nuk do të funksionojnë aq mirë sa tani, për të njëjtën arsye që vaksinat e gripit të tre viteve më parë, nuk do të funksionojë mirë këtë vjeshtë. Sepse, pasi kalon një kohë që disave u duhet “për të qenë të sigurt”, virusi ndryshon; dhe më pas do të duhet të përdoren vaksina të reja, dhe përsëri ata do të kërkojnë më shumë kohë për të vendosur, duke shtyrë kështu verifikimin e pamundur afatgjatë të një vaksine, e cila e humbet efektivitetin e vet në një kohë më të shkurtër, sesa koha që u duhet atyre për të pranuar provat e efikasitetit.
Për fat të mirë, shumë njerëz janë vaksinuar; mes tyre, virusi është përhapur shumë pak në të kaluarën, dhe sot për shkak të variantit të ri disi më shumë, por gjithnjë jo aq sa do përhapej, nëse nuk do të ishin vaksinuar; dhe kur infektohen gjithësesi për shkak të dikujt që nuk është vaksinuar, edhe nëse nuk janë të rinj problemi zgjidhet shpejt dhe pa dëme, pa u dashur të shtrohen në spital.
Nga ana tjetër, këtyre lajmeve të mira u kundërvihen humbja graduale e efikasitetit të vaksinave gjatë një periudhe prej gjashtë muajsh, dhe shfaqja e një varianti më infektues e ndoshta edhe më të rrezikshëm klinikisht (por kjo mbetet për t’u verifikuar), si dhe shpërndarja shumë e çbalancuar e vaksinave në botë, gjë e cila krijon një burim variacionesh të reja, falë qarkullimit të pashqetësuar të virusit në vendet e pavaksinuara. Më pas, rreziku vjen nga mbijetesa në këtë basen të madh variacionesh, e atyre që mund të anashkalojnë vaksinat, terapitë dhe të gjitha masat tona.
Ne nuk do ta çrrënjosim këtë virus, jo në një afat të shkurtër të paktën, as nuk mund të shpresojmë në goditje të paparashikuara të fatit dhe viruse të dobësuara, siç tregohet nga ajo që po ndodh, me variante që nuk janë aspak “më të mirë”, pavarësisht atyre që parashikuan pa prova ose me keqinterpretime të fakteve dhe teorisë, një përshtatje imagjinare të virusit në favorin tonë.
Përkundrazi, ne duhet të përgatitemi për një vallëzim të gjatë: variante të reja, të cilat do t’i përballim me vaksinat e reja dhe (shpresojmë) ilaçet e para, por që do të shkaktojnë dëme dhe gjithashtu do të kërkojnë masa të përkohshme ngurtësimi dhe jo-farmakologjike; dhe periudha qetësie, madje edhe periudha të gjata, në të cilat virusi do të jetë epidemiologjikisht i fjetur.
Eshtë përsëritja e përjetshme e “dialogut darvinian” mes nesh dhe parazitëve tanë: shfaqen lloje të reja, dhe për fat të mirë, ndryshe nga e kaluara, nuk duhet të presim që të krijohet imuniteti i popullatës me mbijetesën e vetëm të imunizuarve nga infeksioni, por mund të përdorim teknologjinë aktuale për të provuar të japim goditje dhe të kufizojmë dëmin. Dhe duke qenë se pauzat në këtë dialog mes një bujtësi dhe parazitëve të tij mund të zgjasin me gjenerata, brezat e rinj mund të harrojnë patogjenët, kështu që ekzistenca e tyre tronditet kur disa prej tyre rishfaqen në forma të reja më të përshtatura (në kuptimin darvinian, jo të Disney-t).
Ndoshta është koha ta shohim në sy realitetin: ne nuk jemi të vetmit në këtë planet, as speciet e tjera nuk ekzistojnë për ne, kështu që mbijetesa jonë, me shëndet të mirë dhe në kushtet më të mira të lirisë varet nga aftësia jonë për t’u përballur me parazitët duke përdorur teknologjinë tonë, dhe jo duke imagjinuar se asnjë infeksion nuk është aq i rëndë, apo që pandemitë janë shpikje e dikujt tjetër. Në fund të fundit, ne nuk krijojmë muzikën me të cilën do të duhet të kërcejmë, por përzgjedhjen darviniane që vepron mbi parazitët tanë. / Enrico Bucci (Il Foglio)