In God we trust. Për ta thjeshtësuar mund të thuhet: Zoti na ndihmoftë. E shtypin këtë fjali prej më shumë se 160 vitesh në kartëmonedhën një dollarëshe, e cila është, bashkë me flamurin, simboli i vërtetë i unitetit amerikan dhe gjithashtu njësia matëse e globit. Donald Trump dëshiron të ndryshojë rregullat e lojës: nga dollari që mat botën, në një botë të përshtatur sipas dollarit. Për këtë arsye po lufton globalizimin me goditje tarifash doganore për të rikthyer zonat e ndikimit, duke ua hequr rrogozin nën këmbë kinezëve – kundërshtarët e vërtetë të tij – të cilët kanë përfituar shumë nga monedha amerikane dhe që kanë mbajtur barrën e rregullimit të transaksioneve ndërsa prodhonin në juanë.
Kthesa që kreu i MAGA (Make America Great Again) po i jep SHBA-ve është shprehur përmes tarifave doganore (kërcënime, tërheqje): kapitulli i fundit ka të bëjë me Evropën që supozohet të “përfitojë” nga një tarifë doganore shtesë prej 10%, por sfida e vërtetë është me dollarin.
Stephen Miran, një ekonomist heretik, e ka përkufizuar kështu: për ta bërë Amerikën të madhe, nevojitet një dollar i dobët. Sipas tij, fakti që dollari është valuta rezervë e botës është një darë e dyfishtë: e mban atë vazhdimisht të mbivlerësuar dhe frenon eksportin e industrive amerikane. Prandaj, sipas tij, duke pasur një dollar më të dobët, do të rritet mirëqenia e atyre që jetojnë nga eksporti, sidomos ndaj Kinës: super amerikanët do të shesin më shumë automobilë, çelik, produkte agro-ushqimore, modë dhe gjithçka tjetër, se më parë.
Në maj, bilanci tregtar ka pasur një deficit prej 71.5 miliardë dollarësh: eksportet ranë në 279 miliardë, ndërsa importet mbetën të qëndrueshme në 350.5 miliardë dollarë. Kjo do të thotë, deri në fund të vitit, një deficit tregtar prej një mijë miliardë dollarësh, më pak vende pune, më pak të ardhura fiskale dhe më shumë borxh. Për ta zgjidhur këtë, Miran thekson nevojën për një zhvlerësim të dollarit deri në 25 për qind, duke u mbështetur te fakti që për energji dhe shumë lëndë të para, Shtetet e Bashkuara kanë mjaftueshmëri.
Receta kundër skepticizmit të fituesve të çmimit Nobel po jep njëfarë rezultati: PBB-ja është në rritje me 3.8 për qind kundrejt parashikimeve prej 2.2 për qind, në qershor u krijuan 147 mijë vende të reja pune dhe inflacioni (falë pikërisht dollarit të dobët) mbetet i qëndrueshëm në 2.4 për qind, me Wall Street-in që thyen çdo rekord. Miran i sugjeron Trump-it – dhe kjo shpjegon lëvizjet e presidentit amerikan në selinë e NATO-s – se superdollari është ndërtuar përmes rolit që Shtetet e Bashkuara kanë marrë si “rojtar i botës”: prandaj është e nevojshme që Amerika të reduktojë angazhimin e saj ushtarak.
Pas taksave doganore, pas deklarimit të paaftësisë për të paguar borxhet nga aleatët për mbrojtjen, pas zhvlerësimit të vazhdueshëm të dollarit, duhet të arrihet një marrëveshje, e cila përfshin edhe Kinën, për të rregulluar sistemin monetar global. Një “Bretton Woods 5.0”: ashtu si në vitin 1971 kur Nixon shpalli të parevlefshëm konvertimin e dollarit në ar, Trumpi me marrëveshjen e Mar-a-Lago do të donte të shpallte se dollari nuk është më monedha e botës.
Ka një precedent: është marrëveshja e Plaza-s – plot 40 vjet më parë – që Ronald Reagan e arriti me atëherë G5-ën (Franca, Gjermania, Japonia, Britania e Madhe) për një zhvlerësim të dakordësuar të dollarit. Kundërshtimet ndaj kësaj strategjie janë të shumta. Nobelisti Paul Krugman e ka hedhur poshtë si një pamflet tezën e Miranit, të paraqitur në librin “Udhëzues për Ristrukturimin e Sistemit Global të Tregtisë” (User’s Guide to Restructuring the Global Trading System), duke thënë se nuk ka asnjë mundësi për një marrëveshje të ngjashme sot. Barry Eichengreen, në Financial Times, ka vërejtur: “Mbizotërimi i pandërprerë i dollarit nuk është rastësi – Amerika vlen sa një e treta e PBB-së globale dhe rregullon transaksionet financiare – është forca reale e marrëdhënieve që kanë SHBA-të”.
Por Trumpi nuk heq dorë: siç tha njëherë në Zyrën Ovale duke qortuar Volodymyr Zelenskin:
“Ti ke armët, unë kam kartat bankare”, që do të thotë fuqinë financiare.
Udhëheqësi i MAGA-s, sidoqoftë, ka nevojë për një Rezervë Federale të bindur, prandaj e kritikon Jerome Powell-in që drejton Bankën Qendrore (i ka mbetur edhe një vit mandat) sepse ndjek një kurs të kundërt me atë të Trump-it. Nëse plani për të rritur prodhimin amerikan përmes një dollari të dobët që nxit eksportin – dhe nëpërmjet kombinimit zhvlerësim + tarifa doganore për të frenuar importin – realizohet, presidenti amerikan ka nevojë për mbështetje për zhvillim përmes normave shumë të ulëta të interesit, të cilat do të stimulojnë konsumin dhe investimet e brendshme.
Dhe këtu ndodhemi në zemrën e “Trumponomics”. Me miratimin e “Big Beautiful Bill” (Buxheti Madhështor!), presidenti do të ulte taksat për shtresën e mesme – atë që u dëmtua nga rënia e industrisë në zonat e ashtuquajtura Rust Belt, ku dikur ndodheshin fabrikat e mëdha, të përshkruara nga JD Vance në “Elegjia Amerikane”, libri që i dha atij postin e zvpresidentit. Por borxhi publik ka kaluar tashmë 40 mijë miliardë dollarë! Trump ka nevojë të shesë bono (obligacione), dhe për këtë arsye Powell nuk do t’i ulë normat e interesit.
Por një tjetër ekonomist “heretik” dhe aleat i Trump-it, Peter Navarro, shpall: “Për taksat doganore dhe dollarin nuk ka negociata, po ua faturojmë të tjerëve atë që për shumë kohë na është faturuar neve.”
Navarro për Elon Musk është një idiot dhe, për të thënë të vërtetën, ka disa sjellje të çuditshme: shkruan ese nën pseudonimin Ron Vara për të lavdëruar vetë studimet e tij. Megjithatë, një gjë amerikanët e kanë kuptuar mirë: “Vetëm kinezët mund të kthejnë një djep në një armë vdekjeprurëse, baterinë e një celulari në një copëz që të shpon zemrën.”
Prandaj America First është e bindur se mini-dollari është arma vdekjeprurëse kundër rivalëve tregtarë dhe papunësisë.
Zhvlerësimi i dollarit të gjelbër nuk ka sjellë probleme për pjesën tjetër të botës. Ai ka humbur rreth 13% ndaj euros që nga fillimi i vitit, dhe ky indeks është rritur pavarësisht tarifave doganore. Kina po përpiqet të reagojë ndaj mini-dollarit duke zhvlerësuar renminbin, monedhën e saj që synon t’ua imponojë të gjitha vendeve të BRICS-it për të zhvilluar një mënyrë alternative pagese për lëndët e para (nga mineralet e rralla tek produktet bujqësore) në qarkun Afrikë – Amerikë Latine – Azia Juglindore – Rusi.
Por samiti i fundit para tre javësh në Brazilia dështoi keq: nuk ishin të pranishëm as Xi Jinping dhe as Putin.
Evropa dhe veçanërisht Banka Qendrore Evropiane, të pasigurta, qëndrojnë duke vëzhguar.
Nga Sintra, ku në fund të qershorit u mblodhën bankierët qendrorë, Christine Lagarde konfirmoi se për normat e interesit janë të mundshme ulje të mëtejshme sepse inflacioni po qëndron rreth 2%, por ajo duket e paaftë për të përballuar skenarin e ri të mini-dollarit, që ka vetëm një përparësi: bën evropianët të paguajnë më pak për naftën, gazin dhe lëndët e para, por u dëmton eksportet; kjo do të thotë të shkohet drejt deflacionit, drejt më pak vendeve të punës dhe më pak investimeve. Dhe gjithashtu më pak turistë.
Një ngadalësim i ciklit ekonomik tashmë është i dukshëm në Francë dhe Gjermani. Guvernatori i Bankës së Italisë, Fabio Panetta, propozon eurobonde për të përballuar shokun e tarifave dhe të mini-dollarit. Ideja është e njëjtë me atë që qarkullon në Komisionin e Ursula von der Leyen, për të përdorur pjesë të fondeve të PNRR për të zbutur goditjen ndaj prodhimit. Por deri tani BQE-ja nuk është treguar aspak e shqetësuar për të balancuar kursin euro-dollar, as për të pasur një politikë monetare.
Instrumenti kryesor për ta bërë këtë është ulja e normave të interesit, edhe me koston e rritjes së inflacionit, duke bindur edhe gjermanen kokëfortë Isabel Schnabel – që në Bankën Qendrore Europiane luan rolin e rojes pranë Christine Lagarde – se ky është drejtimi i duhur.
Edhe vetë Jerome Powell, në përgjigje ndaj Trump-it, ka deklaruar se nëse nuk do të kishte “luftë tarifore”, ai do ta kishte ulur normën bazë të interesit amerikan prej kohësh.
Pra, bëhet fjalë për një betejë të vërtetë, të ashpër dhe shumë të gjatë që po zhvillohet rreth “kartëmonedhës së gjelbër”.
Dhe për ta shpjeguar këtë, janë të qarta të dhënat reale: dollari, në fakt, është monedha botërore: nga rreth 12,400 miliardë rezerva valutore në botë, gati 7,000 miliardë janë në dollarë (euroja vlen vetëm 2,200 miliardë, ndërsa monedha kineze vetëm 0.25 miliardë!) dhe gjithashtu në pagesat ndërbankare ndërkombëtare, dollari përdoret për mbi 50% të transaksioneve (euroja për 22%, juani për 3.8% së bashku me yen-in).
Ndaj, është e vërtetë ajo që Trump thotë kur paralajmëron qeveritë lidhur me tarifat: “Ju nuk keni kartat në dorë” (You don’t have the cards). / Panorama Italia – Bota.al