Rreth dy javë më parë u publikua lajmi i gjetjes së një papirusi dymijë e shtaqind vjeçar, që duket të ketë shoqëruar dy qypa me verë. Papirusi, i gjetur në një nga shpellat e shkretëtirës së Judesë, i është konfiskuar më pas plaçkitësve të antikiteteve nga ana e autoriteteve izraeliane. Ai është ruajtur fort mirë ndër shekuj, në sajë të klimës së veçantë të shkretëtirës, dhe përbën dëshminë e parë e më të vjetër historike dhe kulturore hebraike lidhur me Jeruzalemin. Sipas Autoritetit Iszraelian të Antikiteteve (AIA) gjetja është në fakt i pari burim jobiblik që përmend Jeruzalemin në shkrim hebre. Përmbajtja e shkrimit mbi papirus do të shpjegohej sot më mirë me konceptin e një porosie tregtare, – apo, edhe pse mund të duket banale – pothuajse një listë shpenzimesh e hartuar nga shërbëtorët e mbretit. Dr. Eitan Klein, zv.drejtori i njësisë për ruajtjen e antikiteteve pranë (AIA) thotë se dokumenti provon gjithashtu ekzistencën e një administrate shtetërore të organizuar, që në vitet të cilave u përket zbulimi arkeologjik.
Dokumente të ndryshme kontabiliteti, ekonomike apo tregtare kanë qenë shpesh ndër dëshmitë e para historike të dhjetëra qytetërimeve të lashta, nga Sumerët tek Akejtë dhe Mikenasit. Por me shumë interes për ne të Nunc Est Bibendum, është edhe që kjo dëshmi historike lidhet ngushtë me “nektarin e zotave”.
Megjithëse vetëm disa rreshta të papirusit të gjetur janë ende të lexueshme, përkthimi i tekstit të propozuar nga studiuesit izraelit është: “Nga shërbëtorja e mbretit, nga Na’arat: qypa me verë për Jeruzalemin”. Datimi, përmes provës tashmë të përdorur gjerësisht të radiokarbonit apo Karbon14, na thotë se gjetjet i përkasin shekullit të shtatë përpara Krishtit, në kohën e Tempullit të Parë, e cila do të kishte qenë krijuar – sipas Biblës – nga mbreti Salomon dhe shembur më pas nga babilonasit, në periudhën që shkon nga viti 586 deri në 425 përpara Krishtit.
Nuk dihet me siguri se për cilin regjent të Jeruzalemit ishin destinuar enët e mëdha me verë, por sipas Biblës, me siguri që bëhet fjalë për njërin nga mbretërit që sundonin asokohe: Menashe, Amon apo Josiah.
Papirusi është gjithashtu prova më e fundit se tregtimi i verës kishte lulëzuar në rajon që njëmijë vjet më parë.
Andi Qinami