Nunc est Bibendum

VERETARIA / 2014: Një vit i mundimshëm

ANDI QINAMI

Ernst_Ludwig_Kirchner_Marzella-181325_630x210Me të bardhat do t’ia hedhim, aciditet ka dhe më e keqja, do të përdorim pak musht të përqëndruar”, thoshte jo pak e shqetësuar, përpara disa ditësh një verëbërëse nga rajoni Italian, Marche. “Problem do të jetë me të kuqet. Nëse shiu nuk pushon, sheqernat s’do të jenë të mjaftueshëm e ngjyra s’mban”.

Më erdhi ndër mend pohimi i profesorit të respektuar të entomologjisë, që më ishte dukur aty për aty fatalist, teksa shkëmbeheshin fraza rrethanash e me referenca tw pijes së dashur të verës, gjatë pritjes tek berberi: “Këtë vit nuk ka verë”.

Edhe nga Montalcino, pak më lart e më në perëndim, djep i më shumë se një të kuqeje me famë botërore, lajmet s’janë më të mira. Mesi i javes së kaluar solli sërish vetëm shira. Këtë javë duket të ketë mot më të mirë… thotë një guru Italian i botës së verës, por sidomos ata që kanë vreshtat më në veri, mbeten të shqetësuar. Se sa kritike është situata, e tregon vendimi jo i lehtë për t’u marrë, i një prodhuesi të verës Amarone Classico, i cili këtë vit nuk do të prodhojë fare të tillë.

Në krahinën e Piemonte-s, më specifikisht Langa, nga vjen një tjetër e kuqe legjendare italiane, presin akoma e shpresojnë të rekuperojnë disi në vjeljen e rrushit nebbiolo, kurse me varietetet më pak fisnike është tashmë betejë e humbur.

Më pozitive ka qenë situata për krahinën e Lazios, më në qendër, apo për Siçili. Ishulli tirrenik i Sardenjës, çuditërisht ka performuar shumë mirë. Por përgjithësisht “një vit me më shumë hije se sa drita”, për njohësit e sektorit.

Prodhuesit dhe verëdashësit presin akoma me shpresë për klimën e ditëve që kanë mbetur deri në vjelje, për sa i përket varieteteve që “japin” të kuqet më të rëndësishme. E ndërkohe flitet për ulje me të paktën 15% të prodhimit të përgjithshëm. Kjo është pak nga çfarë po ndodh në Enotria, siç e quan dikush me dashuri gadishullin përballë, sepse është atdhe i shumë llojeve, “i gjatë” e i shtrirë në shumë breza klimaterike.

Ne Shqipërinë e Mesme disa prodhues na shpjegojnë se, me ndonjë përjashtim të vogël, rrushi nuk është maturuar mirë, dhe prodhimi rrjedhimisht do të vuajë pasojat. Megjithëse, nga zona tipike e varietetit shesh, një prodhues i vëmendshëm e i përkushtuar, pozitivisht, pohon se ka arritur të mbajë standartet për të cilat ka mundur të shquhet deri tani.

tumblr_lt5xe60KX41qhgyl1o1_500Nga veriu i Shqipërisë, aty ku më së miri kallmeti ka ditur të shprehë potencialin e tij, një tjetër prodhues i mirënjohur, me keqardhje, si ai edhe kultivues të tjerë të zonës që e furnizojnë, pohojnë se këtë vit, krahas mungesës së cilësisë, edhe sasia do të ulet. Me tre të katërtat.

Një tjetër prodhues i devotshëm në rrëzë të Tomorrit e tashmë me ekperiencë rreth dy dekada, shpjegon se jo vetëm cilësia, por edhe sasia do të preket ndjeshëm këtë vit (ai vetë do të mbetet gjithsesi optimist) me të paktën 50 %. Një mik i mirë dhe prodhues ai vetë, nga Leskoviku na sjell lajme të mira për hardhitë e vizituara.

Edhe në Korçë, punonjës të një Kantine serioze, emrin e së cilës, siç bëmë deri tani, nuk po përmendim, thonë se shqetësimet janë po ato. Cilësia dhe sasia.

Është për t’u pranuar… teknologjia dhe savoir faire-i bëhen faktorë pikërisht në vite të sikletshme, por gjithësesi, ky vit jo shumë me fat për prodhuesit e verës, është një shuplakë e vërtetë për verëtarinë e “thyeshme” shqiptare. Por zgjedhja për të mos prodhuar fare etiketa të caktuara (meqë cilësia do ishte tejet e diskutueshme) nuk është e përqafueshme nga prodhuesi shqiptar. Kjo edhe sepse në vend nuk kemi, në fakt, cru të vërteta e të konsoliduara.Megjithëse fatkeqësisht për verëdashësin, kush abuzon, gjithsesi do të vazhdojë dhe – sa e hidhur për t’u thënë – kush mbush shishe me gjithçfarë produktesh nuk do të ndalojë… aq më tepër në këto kushte klimaterike.

Por le të shpresojmë për pak diell në ditët në vijim. Çfarë lëndon verën, lëndon dhe ne.

Leave a Reply

Back to top button