AnalizaMAIN

Vetmia e madhe e Perëndimit

Për demokracitë liberale me madhësi të mesme, viti 2026 rrezikon të jetë një vit i vetmisë së madhe. Udhëheqësit perëndimorë ndihen të kërcënuar dhe të tallur nga një Amerikë, mbrojtja e së cilës u nevojitet ende, si ata oborrtarët që durojnë thumbimet e një mbreti të plakur e mizor. Dhe për ta plotësuar këtë ndjenjë izolimi, Kina, fuqia tjetër e madhe e ditëve tona, as nuk dëshiron, as nuk mund të shndërrohet në një mik alternativ për Perëndimin.

Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, u bëri thirrje fuqive të mesme të qëndrojnë së bashku dhe të bashkëpunojnë në “koalicione të vullnetit”, në një fjalim të drejtpërdrejtë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, më 20 janar.

“Ne jemi në mes të një çarjeje, jo të një tranzicioni,” deklaroi ai. Carney akuzoi shtetet më të fuqishme se po përdorin varësitë ekonomike, financiare dhe të zinxhirëve të furnizimit si armë politike.

“Në një botë rivaliteti mes fuqive të mëdha, vendet që ndodhen në mes kanë dy zgjedhje: ose të garojnë me njëra-tjetrën për favore, ose të formojnë grupime vendesh me mendësi të ngjashme, për t’u mbrojtur dhe për të menaxhuar rreziqet,” tha ai.

Për Kanadanë, kjo do të thotë ulje e varësisë ekonomike nga Amerika. Carney përmendi partneritetet strategjike që ka nënshkruar me Kinën dhe Katarin.

Megjithatë, ai nuk pretendoi se Kina është zgjidhje magjike për varësinë nga SHBA. Mënyra se si Kina ndjek interesat e saj, duke shpërfillur vlerat, mund të tërheqë fuqi të mesme transaksionale, si ato në Gjirin Persik. Por për vendet që synojnë të mbrojnë vlerat themelore, të respektojnë të drejtat e njeriut dhe të jenë, sipas fjalëve të vetë Carneyt, “parimore dhe pragmatike”, Kina ofron vetëm një mbrojtje të pjesshme.

Gjatë vizitës në Kinë nga 14 deri më 17 janar, Carney njoftoi se Kanadaja do të importojë 49,000 automjete elektrike të prodhuara në Kinë me kushte preferenciale. Kjo bie ndesh me strategjinë amerikane për të mbajtur jashtë automjetet elektrike kineze nga Amerika e Veriut përmes tarifave 100%, një politikë të cilës Kanadaja iu bashkua në vitin 2024, nën presionin e SHBA-së, e cila blen më shumë se dy të tretat e eksporteve kanadeze.

Në këmbim të këtyre lëshimeve, Kina sinjalizoi se do të blejë më shumë produkte bujqësore dhe karburante kanadeze, ndër mallrat e tjera. Kjo tregoi një gatishmëri për të ngrohur marrëdhënie që kishin qenë të ftohta për pjesën më të madhe të dekadës së fundit.

Ka pasur komente sipërfaqësore, edhe nga analistë konservatorë në SHBA, se Carney po rreshtohej përkrah Kinës kundër Donald Trumpit. Por pritja që Kina i bëri Carneyt ishte larg një marrëveshjeje të madhe strategjike. Në Pekin, Carney falënderoi Kinën për një partneritet “që na përgatit mirë për rendin e ri botëror”. Këto fjalë të ngrohta nuk u kthyen mbrapsht nga presidenti kinez, Xi Jinping, i cili u kufizua të këshillonte Kanadanë që marrëdhëniet të ndërtohen mbi respekt. Mediat zyrtare kineze sugjeruan se tensionet e mëparshme dypalëshe i kishin zbuluar Kanadasë disa “realitete” të rëndësishme.

Një tjetër fuqi e mesme, Britania e Madhe, pritet të dërgojë kryeministrin e saj në Kinë në fund të janarit. Edhe pse asnjë kryeministër britanik nuk e ka vizituar Kinën prej tetë vitesh, pritshmëritë për misionin e Sir Keir Starmer janë të ulëta. Në Whitehall flitet për promovimin e biznesit britanik (me njoftime optimiste për uiskin skocez apo salmonin) dhe për normalizimin e idesë se liderët britanikë duhet të angazhohen me ekonominë e dytë më të madhe në botë.

Në heshtje, Starmer mund të kërkojë bashkëpunim më të thellë në shkencat e jetës dhe teknologjitë e gjelbra, ndonëse investimet kineze janë frenuar nga lobimi amerikan dhe debatet e brendshme mbi rrezikun që teknologjitë kineze, si turbinat e erës, mund të paraqesin për sigurinë kombëtare. Zyrtarët britanikë presin tituj mediatikë të ashpër për “Keir-in që përkulet” para “tiraneve kinezë”.

Si paralajmërim, më 20 janar opozita e akuzoi qeverinë për “dorëzim”, pasi miratoi një projekt të vonuar prej kohësh për ndërtimin e një ambasade të madhe kineze pranë Kullës së Londrës.

Politikanë dhe media konservatore kanë ngritur zërin duke pretenduar se Kina do ta përdorë këtë “mega-ambasadë” për të përgjuar kabllot e komunikimit pranë zonës, apo për të sulmuar disidentë kinezë në Britani, madje duke i mbajtur në bodrume të fshehta të godinës.

Pa dyshim, shërbimet e sigurisë në botën demokratike i konsiderojnë agjentët dhe hakerët kinezë si një kërcënim të pakrahasueshëm, nga vjedhja e sekreteve te ndikimi mbi politikanë dhe survejimi i infrastrukturës kritike. Por paniku rreth një “super-ambasade” është i gabuar dhe i dobët. Kina nuk ka nevojë për ambiente diplomatike për të tentuar sulme kibernetike; këtë mund ta bëjë nga një magazinë e marrë me qira.

Ekspertët britanikë të sigurisë kibernetike janë të nivelit botëror dhe e konsiderojnë kompleksin e planifikuar si një rrezik të menaxhueshëm. Ideja se Kina do të mbante të burgosur në bodrumet e ambasadës do të ishte një rrezik absurd. Më thjesht: lejimi i ndërtimit të një ambasade të madhe është shenjë vetëbesimi, jo nënshtrimi.

Në fund të viteve ’30, Britania toleroi përdorimin nga Gjermania naziste të një ambasade madhështore pranë The Mall, edhe pse ambasadori i saj, Joachim von Ribbentrop, ishte i urryer për flirtimin me elitën pajtuese dhe për përshëndetjet hitleriane në aktivitete.

Kina nuk do ta bëjë këtë të lehtë

Edhe pse politika e brendshme shpjegon pjesërisht agjendën e kufizuar të Starmerit në Kinë, ambiciet e ulëta janë edhe strukturore. Nëse Britania shpreson të mbrohet nga presioni trumpian, Kina ofron pak ndihmë. Varësitë më të mëdha britanike nga SHBA lidhen me asete jetike si parandalimi bërthamor, avionët luftarakë dhe shërbimet digjitale, përfshirë cloud computing. Britania dhe vendet e tjera perëndimore nuk do të blejnë armë apo ruajtje të dhënash nga Kina.

Edhe në fusha më të buta, historia e Kinës në përdorimin e zinxhirëve të furnizimit si armë politike e bën pak ngushëlluese zëvendësimin e varësisë nga Amerika me varësi nga Kina.

Nëse manovrimi është i vështirë, a mund të fitojnë demokracitë liberale peshë gjeopolitike duke kërcënuar se do t’i kthehen Kinës kundër Amerikës? Një pengesë e madhe është vetë Kina. Në Pekin, zyrtarët ankohen me përçmim se kanë besuar deklaratat perëndimore për autonomi më të madhe nga SHBA, vetëm për t’i parë më pas të rreshtohen sapo Uashingtoni ngriti zërin.

Për Xi Jinpingun po aq sa për Donald Trumpin, ajo që ka rëndësi është fuqia. Dhe në këto kohë të vetmisë për aleatët e mesëm të Amerikës, Kina nuk është shpëtimtare. / The Economist – Bota.al

Back to top button