Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në vitet ’90 të shekullit të kaluar ishte anëtar i Partisë Radikale të Serbisë, që udhëhiqej nga i akuzuari për krime lufte në Tribunalin e Hagës, Vojisllav Sheshel. Si aktivist i kësaj partie, përmes një fotografie që qarkullonte nëpër rrjetet sociale, shihej se si Vuçiçi mbante arkën me birra për shefat e tij, Sheshelin dhe nënkryetarin e radikalëve, tashmë presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikolliç.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-99, ai ishte ministër i Informacionit në Qeverinë e Serbisë, post të cilin e ka marrë më 24 mars 1998. Vuçiçi atëherë angazhohej për mbylljen e mediave në gjuhën shqipe, si javorja “Zëri” dhe ditorja “Bujku”.
Më 27 shkurt 1999, shefi i tij i dikurshëm, Shesheli, deklaron: “Nëse ndodh bombardimi nga ana e NATO-s, nëse ndodh agresioni amerikan, ne serbët goxha do ta pësojmë, por shqiptarë në Kosovë nuk do të ketë kurrë”!
Vuçiçi si ministër i atëhershëm i Informacionit, censuronte çdo lajm që binte ndesh me politikat e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç. Ai formoi një organ censure, ndërsa urdhëronte që forcat e NATO-s të cilësohen si nazistë dhe fashistë, ndërsa që sulmet e NATO-së për të mbrojtur popullatën civile shqiptare, të cilësoheshin si “veprime shkatërrimtare”, “agresion kriminal” dhe “orgji vrasëse” kundër popullit serb.
Ëndrra e tij ishte Serbia e Madhe, ndërsa pas vitit 1999 deklarohet si antiamerikan i përbetuar, meqë sipas tij ata u kanë bërë gjëra të këqija serbëve.
Në vitin 1995, kur NATO kërcënonte për herë të parë me bombardime të forcave serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, Vuçiç në Parlamentin e Serbisë ka thënë kërcënimin më makabër: “Vriteni një serb, ne do të vrasim qindra myslimanë”.
Ndërsa, më herët për kroatët ka thënë: “Vëllezër serbë, motra serbe, përshëndes popullin e Banisë serbe, të Glinës serbe, që keni ngritur pishtarin e lirisë që më 26 qershor 19991. Ju jeni të parët që jeni kthyer kundër pushtetit pustash, ju keni çliruar të parët territoret serbe në Republikën Serbe të Krainës. Kurrë këtu pushteti nuk do të vijë më”, transmeton Telegrafi.
Po ashtu, kohë më parë një shtetas i Bosnjës ka kërkuar që të hetojnë presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikolliç, dhe kryeministrin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, për nxitje të krimeve të rënda gjatë luftës në Bosnje.
Omer Isoviç, një ish-ushtar i Bosnjë dhe Hercegovinës nga Tuzlla, i ka dërguar një kërkesë Prokurorisë së shtetit për nisjen e hetimeve kundër dy zyrtarëve të lartë serbë, për “nxitje të krimeve të luftës ndaj banorëve jo-serb të Bosnjë e Hercegovinës gjatë periudhës 1992-1995”.
Vuçiçi dhe Nikoliçi, në atë kohë, ishin bashkë me Sheshelin aktivistët më të spikatur të partisë. Prandaj, ka shumë gjasa që edhe ata të jenë të përfshirë në punë të pandershme”, ka thënë Isoviç.