Bota

Viktor Orban një tjetër kokëçarje e madhe për BE-në

Screen Shot 2015-10-29 at 22.01.36

Nga James Traub

“Foreign Policy”

Budapesti – Një fantazëm po e përndjek Evropën – fryma e populizmit reaksionar. Partitë ksenofobike, janë ngulitur thellë në politikën e vendeve me peshë demokratike si Franca dhe Holanda;por rreziku më i madh shtrihet në lindje. Në fillim të këtij muaji, Partia e Lirisë në Austri, thellësisht kundër emigrantëve, gati i fitoi zgjedhjet lokale në bashkinë e Vjenës që njihet si një bastion i të majtës.

Në zgjedhjet e zhvilluara të dielën e shkuar, polakët i dhanë shumicë parlamentare partisë së krahut të djathtë, Ligji dhe Drejtësi. Sa të shqetësuar duhet të jemi mbi angazhimin ndaj parimeve demokratike liberale të demokracive të reja të Evropës? Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, kohët e fundit kalova një javë në Hungari, kryeministri i së cilës, Viktor Orban, ka përkrahur haptazi idenë e “demokracisë joliberale”.

Orban u bë i njohur ndërkohmbëtarisht muajt e fundit, duke urdhëruar ndërtimin e një gardhi me tela me gjemba për të parandaluar hyrjen e refugjatëv në Hungari, duke këmbëngulur me zë të lartë se vendi tij nuk do t’u ofrojë azil refugjatëve jo të krishterë.

Por, kryeministri hungarez ka shpërfillur vlerat liberale, që kur partia e tij Fidesz fitoi pushtetin 5 vjet më parë. Gjuha e tij përbuzëse – më e rreptë sesa masat që e kanë shoqëruar atë – e ka bërë më popullorin në mesin e votuesve të tij se çdo lider tjetër në Evropë. Fidesz gëzon një shumicë prej dy të tretash në parlamentin hungarez.

Hungari e Orbanit, nuk është Rusia e Putinit, dhe as Turqia e Erdoganit, por është një vend ku kontrolli ndaj pushtetit është zbehur ndjeshëm. ”Ka një ndërhyrje të shtetit në jetën e përditshme, diçka që më parë nuk ka ndodhur në këto përmasa”- thotë Laszlo Seres, gazetar i një të përjavshmeje opozitare.

Zyrtarë të qeverisë, thotë ai, po rishikojnë kurrikulumin mbi tekstet e historisë si dhe po emërojnë mësuesit;autorë të panjohur të ekstremit të djathtë në të shkuarën, papritur janë rehabilituar.

Orban ka emëruar zyrtarë të partisë së tij në Gjykatën Kushtetuese dhe prokurori. Në renditjen më të fundit të Freedom House, ku shkalla 1 është ajo e vendit më të lirë dhe 7 më pak të lirë, Hungaria renditet në shkallën e dytë për lirinë e përgjithshme, të drejtat politike dhe liritë civile. Nga ana tjetër Polonia, Sllovakia, Republika Çeke morën vlerësimin 1 në të gjitha rastet.

Një nga ligjet e para të miratuara në parlamentin e kontrolluar nga Fidesz në vitin 2010, ishte krijimi i një strukture të për të rregulluar mediat. Ligji e konsideronte krim, që dënohej me gjobë deri në 900 mijjë dollarë, publikimin e “lajmeve të pabalancuara” apo materialeve që cilësohen “fyese” për një grup ose “shumicën”, apo që fyen “moralin publik”.

Ligji provokoi reagime të ashpra jashtë vendit, teksa Hungaria sapo kishte marrë presidencën e radhës të Bashkimit Evropian. Në një mënyrë që do të shndërrohej në një model për të, Orban u kundërpërgjigj duke paraqitur në parlament një masë pak më pak të ashpër, e cila më pas e kaloi testin e autoriteteve evropiane. Elementët më drakoniane të ligjit nuk janë zbatuar. Asnjë media opozitare nuk është gjobitur apo mbyllur, për shkak të fyerjeve ndaj kryeministrit Orban, partisë Fidesz apo popullit hungarez.

Megjithëse Orban e ka kthyer median publike në organ të propagandës së Fidesz, gazetat dhe televizionet private mbetet kritike ndaj qeverisë. Gergo Saling, redaktor i uebsajtit investigativ “Direkt36”, më tha se ”frika ishte shumë më e madhe, sesa realiteti”. Megjithatë, historia nuk përfundon këtu. Saling ka qenë më herët redaktor i Origo, një tjetër uebsajti kryesor i lajmeve në vend.

Pasi ai botoi një artikull, duke iu referuar akuzave për korrupsion që përfshinin Janosh Lazarin, shefin e kabinetit të Orban, ai u thirr në zyrën e botuesit të tij dhe u pushua nga puna. Pastaj, dhjetëra gazetarë u larguan nga Origo në shenjë proteste. Uebsajti është në pronësi të “Magyar Telekom”, një degë e Deutsche Telekom.

Saling u trondit, pasi mendonte se kompania gjigante gjermane, do të ishte e imunizuar nga presioni politik. Ai arriti në përfundimin se kryeministri Orban mund të diktojë formën e lajmin, pa pasur nevojë për të mbyllur ndonjë media.

Orban duket se teston papushim limitet e institucioneve evropiane – sigurisht edhe të vetat. Në vitin 2011, parlamenti miratoi një ligj mbi “të drejtën e lirisë së ndërgjegjes dhe të fesë”, e cila krijoi të njëjtën lidhje me lirinë e ndërgjegjes, si ligji i mediave bëri për lirinë e fjalës. Ligji kërkonte që organizatat fetare të merrnin miratimin zyrtar të parlamentit përmes një votimi me dy të tretat, duke krijuar kësisoj klasa të besimeve të favorizuara dhe atyre jo të favorizuara.

Ata që nuk e kalojnë pragun, do të humbasin avantazhet e lehtësirave fiskale, që ishin më parë në dispozicion për të gjitha kishat. Hindusët, Budistët, Hebrenjtë e Reformuar, Metodistët, dhe të tjerët nuk arritën të zyrtarizohen. Gjykata Kushtetuese e Hungarisë i riktheu të drejtat shumë prej këtyre grupeve. Megjithatë Orban e kishte bërë të qartë:Hungaria është një komb i krishterë.

Ndërkohë kryeministri hungarez beson, ashtu si Vladimir Putini, se OJQ-të përbëjnë një kolonë e pestë të mundshme që duhen vënë nën kontroll. Në një fjalim verën e shkuar, ai e përshkroi grupet e shoqërisë civile që marrin fonde nga jashtë si “aktivistë politikë të paguar nga të huajt”. Prandaj, tha ai, “ne duhet ta bëjmë të qartë se ata nuk janë qytetarë që janë kundër nesh, po aktivistë politikë që përpiqen të promovojnë interesat e huaja.

Në fakt, Orban e bëri këtë të qartë që vitin e kaluar, kur ai pati një përplasje diplomatike me Norvegjinë mbi financimin e OJQ-ve, që promovojnë të drejtat civile dhe individuale, duke përfshirë organizatën ‘Transparency International’. Qeveria e Fidesz, pretendoi se Norvegjia ishte duke u përpjekur të influenconte politikën hungareze, duke i dhënë fonde grupeve të lidhura me një parti opozitare të krahut të majtë, ndërsa kërkoi që paratë t’i dorëzohen direkt qeverisë.

Norvegjia u kundërpërgjigj, duke pezulluar fondet. Në shtator, prokurorët akuzuan disa OJQ për vjedhje, ndërsa bastisën zyrën që administronte fondet. E megjithatë që prej përplasjes mbi grantet norvegjeze, qeveria nuk ka bërë asgjë për të ndjekur penalisht OJQ-të që kritikojnë politikat e Fidesz.

Është e pamundur për të shpjeguar këtë përzierje të zgjuar të retorikës toksike dhe veprimit të matur Orban, pa iu referuar Jobbik, partisë hungareze e ekstremit të djathtë. Jobbik u ngjit në skenën politike në zgjedhjet e vitit 2010, me një platformë anti-rome dhe anti-semitike. Asokohe, kjo forcë politike fitoi gati 17 për qind të votave.

Në vitin 2014, mori rreth 21 përqind, duke fituar më tepër terren, ndërsa Fidesz pati rënie. Jobbik e ka zbukuruar gjithnjë e më tepër imazhin e saj, duke u përpjekur të fshijë kujtimet e rolit të saj të dikurshëm, si krahu politik i Gardës Hungareze, një grup paraushtarak tashmë i ndaluar me ligj. Ka një teori, veçanërisht të zakonshme në mesin mbështetësve më të ethshëm të Orban, që kryeministri i Hungarisë është duke bërë çmos për të prerë lidhjet me ksenofobët e hapur.

Por kjo nuk është një gjë e lehtë. Jobbik ka fituar gjithnjë e më shumë mbështetjen e të rinjve të arsimuar nga të gjitha partitë tradicionale, duke përfshirë Fidesz-in. Personi i vetëm i butë që takova në Hungari ishte një deputet i Jobbik, Marton Gyongyosi, 38-vjeç, i diplomuar në “Trinity College” në Dublin, që u ul të bisedonte me mua në sallën e quajtur gabimisht dhoma e shtypit (në fakt shtypi normalisht nuk lejohet, dhe unë isha një përjashtim) në godinën madhështore të parlamentit në Budapest, i ndërtuar në vitin 1904. Gyongyosi më kundërshtoi, kur unë e përshkrova Jobbik si një parti “konservatore”.

“Për popullin hungarez”- më tha ai- “partitë konservatore në Evropën Perëndimore janë gjithashtu liberale”. Si majtët dhe të djathtët në Evropë, shtoi më tej, janë trashëgimtarët laike të Iluminizmit dhe Revolucionit Francez. Hungaria, tha ai, është duke luftuar për të “mbrojtur sovranitetin e saj”, përballë vlerave evropiane post-kristiane.

Gyongyosi më bëri përshtypje si një figurë plotësisht e arsyeshme dhe madje erudite, teksa po flisnin për hebrenjtë. E pyeta pse ai kishte kërkuar që të gjithë deputetët të cilën mbajnë edhe pasaportën izraelite, krahas asaj hungareze të vetëidentifikoheshin publikisht. Për një moment, retorika e mëndafshtë u zhduk, tek një Gyongyosi i nevrikosur.

Pastaj ai më tregoi për një fjalim, që presidenti i atëhershëm izraelit Shimon Peres kishte mbajtur para një grupi biznesmenësh izraelitë në tetor 2007, në të cilën ai dyshohet të jetë shprehur se kolonializmi nuk u përhap me anë të topave, por me financa dhe se Izraeli kishte kolonizuar me sukses shumë vende, mes tyre edhe Hungarinë, Poloninë dhe Manhatanin.

Gyongyosi pranoi se të flasësh për komplotet izraelite, në një vend që dikur dëboi mbi 600 mijë hebrenj drejt dhomave të gazit, ishte e vështirë. Por, tha ai, “unë kam probleme me sionizmin, dhe jo me popullin hebre”. Jobbik është një parti anti-izraelite dhe pro-ruse. Gyongyosi u dëbua nga Ukraina në nëntor 2014, kur ai udhëtoi atje si një vëzhgues i vetë-emëruar për zgjedhjet e mbajtura nga rebelët në rajon lindor të Donbasit.

Në këndvështrimin e tij, Shtetet e Bashkuara po “lëvizin kukullat e saj” nga Gjeorgjia, e cila tashmë është nën kontrollin e saj, në Ukrainë, duke i lënë pak mundësi zgjedhje Putinit, përveçse për të luftuar përsëri. Gyongyosi gjithashtu më tha se Jobbik kishte patur një ide me positive, sesa Orban mbi OJQ-të, duke paraqitur një projekt-ligj që do të kërkojë nga grupet që marrin fonde nga jashtë për t’u emërtuar “agjentë të huaj”, pasi ato janë në Rusi. E pyeta nëse i po akuzonte grupe të tilla për tradhti. “Absolutisht”- tha ky zotëri i veshur me kujdes në një kostum elegant marinari.

Pra është e vërtetë, Viktor Orban ka një problem me Jobbik. Sa më shumë profesionale që bëhet kjo e fundit, aq më shumë e tretshme do të jetë sarkazma e tyre. Dhe ende Orban nuk i ka rezistuar aq shumë Jobbik sa ta asimilojë atë. Peter Kreko, drejtor i Institutit të Kapitalit Politik, një think tank në Budapest, argumenton se Orbani e përdor Jobbik si “si një pionier”, duke eksploruar territorin e rrezikshëm mbi emigrantët apo marrëdhëniet me Rusinë, në mënyrë që hungarezët të mësohen me idetë ekstremiste – dhe në këtë mënyrë e bëjnë të sigurtë që Orban t’i shprehë ato.

Kreko dhe kolegët e tij, debatojnë vazhdimisht nëse Orban mendon në të vërtetë atë që thotë. Kreko beson, ose më mirë shpreson, se edhe nëse Orban nënkupton më të keqen, “ka një ndikim të moderuar, që është BE-ja”.  Rusia nuk ka nevojë për BE-në dhe mendimin e saj të mirë, ndërsa Hungaria, e cila si një ekonomi e dobët do të marrë 29 miliardë dollarë fonde të BE-së, për zhvillimin gjatë 7 viteve të ardhshme, ka.

Por Kreko pranon se është alarmuar thellësisht nga retorika racore, që Orban dhe zëvendësit e tij kryesorë kanë përdorur që kur filloi kriza e refugjatëve. Ai është i shqetësuar, se ajo po funksionon. “Në fund, burimi i vërtetë i pushtetit të Orban, është popullariteti i ideve të tij”- thotë ai. Në këtë kuptim, problemi qëndron tek vetë hungarezët.

Jo shumë kohë më parë, Hungaria cilësohej gjerësisht si një ndër vendet më progresive të ish-bllokut sovjetik. Kreko ka frikë se zhgënjimi në rritje me demokracinë dhe tregun e lirë gjatë 15 apo më shumë viteve të fundit, ka bërë hungarezët të jenë të hapur ndaj ideve që dikur do t’i kishin refuzuar. E njëjta gjë, vë në dukje ai, është e vërtetë për Sllovakinë, Rumaninë dhe Bullgarinë. Kryeministri i Hungarisë, thotë ai, është “modeli për një politikë të re”. Dhe ky është një mendim i frikshëm.

Shënim: James Traub është studiues në Qendrën për Bashkëpunim Ndërkombëtar

“Foreign Policy”  – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button