Më kujtojnë të vishem mire, sepse temperaturat do të ulen ndjeshëm nga dje. Kjo, pak ditë më parë. Por është vetëm fillim tetori e ndërmend vijnë këto kapriço të motit, që janë kthyer në normale.
Ndryshimet klimatike janë përpara syve të të gjithëve, e verërat e ardhshme s’dihet si do jenë. Sigurisht ndryshe. Po e thonë e shkruajnë sa vjen e më shpesh. S’mund të bëjmë më pak, në Nunc est Bibendum, megjithëse as këtë vit nuk i kemi dedikuar asnjë rresht vjeljes, si kemi bërë për 2014 e .
Megjithë lajmet e fundit me valencë ndërkombëtare, si fërkimet SHBA-Kore e Veriut e më së fundi Iran, apo fatkeqësi natyrore e të tjera, duket si punë për sipërfaqësorë të mendosh verën, por siç këndojnë vargje të moçme e të mençura:
“Kush jeton veç me dashurinë e vetmuar për veten,
a duke pyetur veten çfarë – vallë diçka – pas vdekjes vjen,
do të ishte më pak patetik, hardhinë të nderojë
se sa vdes duke u munduar frymën të përjetësojë’’.
Në muajin gusht, Profesori Attilio Scienza, një studies i madh i vitikulturës, në një intervistë në rrjet, analizonte shumë seriozisht situatën shqetësuese, pasojë e një “tropikalizimi”, si e quan ai, të klimës së pellgut të Mesdheut.
Sipas tij: “Kërkimi shkencor mbi nënshartesën është thelbësor. Në Milano, kemi krijuar tashmë varietete që u rezistojnë këtyre klimave, por mbetemi të vetëdijshëm se shumë mbetet ende për të bërë.
Verërat italiane do t’i ngjajnë gjthnjë e më tepër atyre australiane apo kaliforniane dhe verërat e Veriut do të jenë më të ngjashme me ato të Jugut. E na pëlqen kjo apo jo, verërat e së ardhmes, asaj të afërme, do të jenë shumë ndryshe nga ato të tanishmet. Ky është një cikël që ka ngjarë e do të ngjasë përsëri…”.
Dikush ka arritur deri aty, sa të mendojë të ndërrojë kulturën, siç është rasti i një verëtari të respektuar abrucez, i cili duket se do të shtojë ullishtet, në dëm të sipërfaqes së mbjellë me vreshta.
Pse nuk ia dilte dot më të ruajë parametrat e verës që prodhon, koherentë me aftësinë për t’u vjetëruar, sidomos me rrushin e tij Montepulciano.
Për një tjeter shijues që prej gjysmë shekulli i dedikuar verës, shumë gjëra po ndryshojnë, jo vetëm klima. Prandaj sipas tij, ndryshimet duhen kuptuar thellë, e prandaj lipset ndërgjegjësim. Në rradhë të pare, nga ana e atyre që verën e prodhojnë, që nesër mos të gjejnë veten duke qortuar, nuk di se kë. Jo sepse zgjidhja është e lehtë, e padyshim nuk vjen sa hap e mbyll sytë. Sidomos po të mendosh se zor që Kina a India, do të heqin dorë nga industrializimi i tyre galopant, apo administrate e Trump do t’i rikthehet papritur mbështetjes së Protokollit të Kyotos…
Pra jo pak gjë.
Si shijues, shqetësimi mbetet – sidomos për kë preferon freski e aroma, ndaj strukturës e gradës alkoolike – por edhe kurioziteti për shijet e së ardhmes, mbetet po ashtu. Në vend, një ngushëllim vjen edhe njëherë nga fakti se vendi i thepisur ofron mikroklima, e parcela që megjithëse krejt afër, ndryshojnë fort nga njëra-tjetra. Oshilacionet e regjistruara këtë vit të fundit të tundin vendit, pavarësisht se për shqetësim serioz, mes atyre dy-tri prodhuesve shqiptarë të pyetur lidhur me vjeljen e këtij viti, nuk dëgjojmë.
Por siç kemi thënë edhe më parë në Nunc est Bibendum: Jo vetëm mbi verëtarë, a verëra, do të jenë shkrimet tona, por edhe mbi të tjerë, njerëz të verës, siç i ‘’pagëzoi’’ puna ndër vite, që i çoi të njihnin copëza terreni, varietete, histori, tradita, teknologji. Me pak fjalë, ata që ishin aty e që i provuan apo i krijuan. Shpeshherë ishin verëra që ndoshta kurrë sdo të vijnë më. Se vetë toka ka ndryshuar, se shijet, pritshmëritë nuk janë më si më parë.
Andi Qinami