Bota

Vladimir Putin, një spiun i dështuar

Screen Shot 2015-08-11 at 10.26.13

Nga Jim Hoagland

“The Washington Post”

Ish-zyrtari i KGB-së i ulur përballë meje ngriti dorën, për të ndërprerë monologun tim të shkurtër mbi luftën “hibride” të Vladimir Putinit në Ukrainë. Ishte padyshim puna e dikujt të formuar nga shërbimi i inteligjencës sovjetike, po thosha unë, dhe që është ekspert në operacionet e fshehta dhe me mashtrimin si strategji.

“Prit!”- më ndërpreu paprimtas bashkëbiseduesi im. “E vërteta është se ai nuk është asnjeri prej nesh”. Unë përpëlita sytë. Një veteran i inteligjencës sovjetike në tryezë nuk tundej, në mbështetje të këtij komenti. Ai moment më çoi tek biseda të tjera, mbi një çështje të pak muajve, mes nesh dhe operativëve të inteligjencës evropiane, të cilët kishin studiuar karrierën 17-vjeçare në KGB, të presidentit aktual rus.

Edhe ata zbuluan portretin e Putinit si një spiun i dështuar, që ishte duke u shtrydhur nga KGB-ja, kur sistemi sovjetik u shemb, dhe që lidhjet politike papritmas i ofruan atij një shteg drejt pushtetit. “Ai është parë nga sistemi si një person që merrte në sy rrezikun, dhe që kishte pak njohuri për pasojat e dështimit”- thoshte njëri prej tyre. “KGB-ja e asaj kohe, nuk ishte e etur për rreziqe”- shton ai.

Kjo lloj analize mbi Putinin, ndryshe nga ajo që e paraqiste si një spiun mjeshtër, përshtatet më mirë me atë që ai ka bërë si bosi i Kremlinit. Putin sot tregon një përbuzje të hapur për mendimet publike në Rusi, si dhe një mospërfillje të shkujdesur ndaj sanksione e dëmshme ekonomike dëmshme, dhe mosmiratimin ndërkombëtar që ka provokuar aventura e tij në Ukrainë, tipare këto të denja për një lojtar të dehur.

Kur po kërkoja detaje nga koha që Putin kaloi si spiun i KGB-së, më ra në sy fakti se atij i ishte dhënë një detyrë e dorës së dytë në Dresden, në vend se të caktohej në kryeqytetin e Gjermanisë Lindore në vitin 1985, dhe më pas u dërgua për kundërspiunazh në Leningrad, dhe jo në Moskë në fund të asaj epoke.

“Ishte një mesazh, se ai duhet të kërkonte një tjetër karrierë”-tha një nga operativët, ndërsa të gjithë insistuan në ruajtjen e anonimitet dhe fshehtësisë, mbi atë se ku dhe kur u zhvilluan bisedat tona. Në këtë kaudër, ngjitja e Putinit në shkallët e pushtetit – me ndihmën fillestare të kryebashkiakut të Leningradit Anatoli Sobçak dhe presidentit të atëhershëm rus, Boris Jelcin – është një tjetër histori.

Ai ka treguar rrugës dinakëri, aftësi taktike dhe me kalimin e kohës tiparet e një burri shteti (për shembull në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara sulmeve terroriste të 11 Shtatorit). Por ai ka treguar edhe një gatishmëri shqetësuese, për të shitur “fermën e tij”, edhe pse shfaqej si një kultivues.

Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi javën e kaluar, se ekonomia e Rusisë do të tkurret me 3.4 përqind këtë vit, në qoftë se sanksionet perëndimore do të vazhdojnë. Dhe qendra kërkimore amerikane “Peë Research Center”, raportoi se Rusia tashmë po shihet në një dritë më pak të favorshme se Shtetet e Bashkuara, në pjesën më të madhe të botës. Hendeku i imazhit, është 43 pikë përqindje në Evropë (ku 69 përqind, kishin një pikëpamje të favorshme ndaj Shteteve të Bashkuara, kundrejt 26 për qind për Rusinë) dhe 42 pikë në Afrikë (SHBA 79 përqind, Rusia 37 përqind).

Ajo që është më kritike, regjimi i Putinit ka arritur atë që kolumnisti i “Moscoë Times”, Vladmir Frolov javën e shkuar me guxim e quajti si fazën e “le t’i lëmë ata të hanë tortë”. Ekseset e fundit publike, shkojnë nga dasma multimilionë dollarëshe e sekretarit të shtypit të Putinit në Soçi, sikurse shkruan Frolov tek “një vendim ligjërisht i dyshimtë për të shtyrë me 3 muaj zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, çka nuk i jep Kremlinit asnjë avantazh politik, përkundrazi nxjerr në pah një ndjenjë të brendshme pasigurie dhe dobësie. . . . Teprimet e Presidentit dhe njerëzve të tij, janë shndërruar në një burim të paqëndrueshmërisë politike”.

Për më tepër, kërcënimi i regjimit për të bërë shkatërruar në mënyrë demonstrative ushqimet e importuara nga Evropa, që kanë arritur të depërtojnë në Rusi, pavarësisht një embargoje të miratuar për t’u hakmarrë ndaj sanksioneve perëndimore “valëvitet përballë vlerave ortodokse dhe ndjenjave publike të traumatizuara nga një histori urie, lufte dhe pamjaftueshmërie sovjetike”- vazhdon ai.

Shkatërrimi i ushqimeve ndodhi të enjten me buldozer, dhe u shfaq në televizivionet kombëtare. Plagët e thella që Rusia ka vuajtur nën Putinin, janë pothuajse tërësisht të vetë-shkaktuara – një realitet që ka implikime të rëndësishme për politikën amerikane.

Ka shumë arsye për Shtetet e Bashkuara të jenë të përmbajtur ndaj krizën ukrainase.

Të presësh që Putini të veprojë po kështu është e kotë, pasi ai nuk është i tillë. As politika, s’mund të ndërtohet mbi frikën e shprehur nga disa strategë, se ne duhet të pranojmë neutralitetin e përhershëm të Ukrainës për të shmangur shtyrjen e një Rusie të dobësuar, drejt një kolapsi që do të rrezikojë stabilitetin global.

Veprimet e Putinit, do të përcaktojnë sesa larg dhe shpejt Rusia do të vazhdojë të zhytet në izolim dhe rënie ekonomike. Perëndimi, duhet të adopotojë një qëndrim pritës syçelët, dhe të jetë i përgatitur që Putin të marrë përsipër rrezikun e krijimit të krizave të reja gjatë rrugës. Kjo është ajo që unë kuptova nga hetimi im modest: Putin nuk është aq i zgjuar sa mendoja unë dikur, ose sa besohet gjerësisht se është.

Përkthimi: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button