(E plotë) Intervista “shpërthyese” e Xavi Hernandez: Laporta bllokoi kthimin e Leo Messit

Xavi Hernandez

Pas pothuajse dy vitesh heshtje, Xavi Hernández ka vendosur më në fund të flasë, dhe fjalët e tij mund të tronditin themelet e FC Barcelona.

Në një intervistë të gjatë për gazetën katalanase La Vanguardia, ish-trajneri blaugrana rrëfen për herë të parë çfarë ndodhi në të vërtetë brenda klubit në muajt e fundit të mandatit të tij.

Sipas Xavit, vendimet në Barcelonë nuk merreshin vetëm nga presidenti Joan Laporta, ndërsa një figurë në hije kishte ndikim vendimtar në largimin e tij. Por zbulimi më i fortë lidhet me një tjetër histori: rikthimin e Lionel Messi në Camp Nou.

Sipas ish-mesfushorit legjendar, marrëveshja me Messin ishte praktikisht e arritur dhe kishte edhe miratimin e La Liga-s. Por në momentin e fundit, thotë ai, gjithçka u ndal nga vetë presidenti i klubit.

Në një intervistë që pritet të ndezë debat të madh mes tifozëve dhe brenda vetë Barcelonës, Xavi flet për presionet, intrigat dhe luftërat e brendshme që, sipas tij, po e dëmtojnë klubin nga brenda.


Pas pothuajse dy vitesh heshtje, Xavi Hernández, legjendë e Barcelonës dhe paraardhës i Hansi Flick në stolin blaugrana, ka vendosur të flasë. Siç thotë ai vetë, “për të treguar të vërtetën”. Pas më shumë se 40 minutash interviste, Xavi pranon se ndihet “i lehtësuar”. Ka shumë gjasa që kjo intervistë të diskutohet për vite me radhë.

Pse vendose të flasësh tani?

Për disa arsye. Kryesorja është që dua të tregoj versionin tim të së vërtetës. Pas largimit tim vendosa të mos bëja deklarata nga respekti për Barçën. Njerëzit e dinë sa shumë e dua klubin. E gjithë familja ime është culé.

Atëherë pse tani?

Sepse versioni që po tregohet nga klubi është plotësisht i rremë dhe ndiej nevojën të shpjegohem. Kam mbajtur shumë gjëra brenda dhe dua t’i sqaroj.

A të pëlqen skuadra e Flick?

Shumë. Është një ekip dominues dhe sulmues. Tifozët e Barcelonës po e shijojnë dhe unë jam i lumtur sepse mendoj se ne vendosëm baza shumë të forta që projekti të vazhdojë. Boshti i ekipit është Lamine Yamal, Pedri, Balde, Cubarsí, Fermín, lojtarë te të cilët ne besuam. Kjo është një nga trashëgimitë për të cilat jam më krenar, përtej dy trofeve që fituam.

Si është marrëdhënia jote me Flick?

Shumë e mirë. Shkëmbejmë shpesh mesazhe. E përgëzoj për skuadrën dhe flasim për futboll. Madje një herë erdhi në shtëpinë time për shkak të një situate të vështirë.

Çfarë ndodhi?

Ai erdhi të kërkonte falje pasi e pyeta nëse klubi po fliste me të ndërkohë që unë isha ende trajner. Ishin ato dy-tre javë kur klubi kishte vendosur të më largonte, por askush nuk ma thoshte në sy.

Ai erdhi dhe më tha se klubi i kishte kërkuar të mos më thoshte asgjë. Folëm për më shumë se dy orë. Është një njeri shumë i mirë dhe jam i lumtur që gjërat po i shkojnë mirë.

A flet ende me lojtarët?

Po. Kam marrëdhënie shumë të mira me ta. I përgëzoj shpesh dhe jam krenar për ta. Në dhomat e zhveshjes ne ishim një familje.

Nuk të vjen keq që nuk i stërvit më?

Jo. Përkundrazi, jam i lumtur për ta. Ne firmosëm me Raphinha, Christensen, Lewandowski, Koundé, gjithçka ishte planifikuar bashkë me Jordi Cruyff dhe Mateu Alemany.

A bëtë gabime?

Sigurisht. Por gabimi më i madh ishte se kërkesat e mia ndaj klubit u ulën me kalimin e kohës. Kur erdha nga Katari, i thashë presidentit se nëse nuk firmosnim me disa lojtarë nuk do të vazhdoja. Ai më dëgjoi. Fituam La Ligën dhe ishim konkurrues kundër Realit të Madridit. Por më vonë niveli i kërkesave ra dhe kjo është diçka për të cilën e kritikoj veten.

Në çfarë kuptimi?

Kur Sergio Busquets u largua, kërkova të firmosej me Zubimendi, por më thanë jo për arsye financiare. Pastaj Jordi Cruyff u largua për shkak të mungesës së respektit. Një muaj e gjysmë më vonë larguan edhe Mateu Alemanyn. Në atë moment edhe unë duhej të largohesha.

Marrëdhënia me Laportën ishte shumë e mirë…

Po. Falë tij u bëra trajner i Barcelonës. Por në fund ai më zhgënjeu.

Pse?

Sepse më largoi pa më thënë të vërtetën, i ndikuar nga një person që mendoj se është mbi presidentin: Alejandro Echevarría.

Po thua se ai të largoi?

Po. Praktikisht Barça drejtohet nga Echevarría. Ai ishte mik i imi shumë i afërt dhe ky është zhgënjimi më i madh.

Çfarë ndodhi konkretisht?

Në janar të sezonit tim të fundit thashë se nga qershori nuk do të vazhdoja. Por kur skuadra vazhdoi të fitonte, ata më kërkuan të qëndroja. Pastaj erdhi eliminimi nga PSG në Champions dhe gjithçka ndryshoi.

Darka e famshme me sushi?

Po, në shtëpinë e presidentit. Laporta më tha: “Xavi, nuk e imagjinoj skuadrën pa ty. Nuk e imagjinoj Camp Nou-n e ri pa ty.” Dhe unë pranova të vazhdoja.

Çfarë shkoi keq?

Në një mbledhje planifikimi, Echevarría filloi të bërtiste duke thënë se përgatitja fizike ishte katastrofë. Por kjo nuk ishte e vërtetë. Të dhënat tregojnë se që nga 2003 nuk ka pasur një Barça që ka vrapuar më shumë se skuadra jonë që fitoi La Ligën. Kjo ishte thjesht një histori për të më larguar.

Si i përjetove ato javë?

Ata nisën një fushatë mediatike kundër meje. Madje Echevarría u tha disa lojtarëve, si Sergi Roberto, Araújo, Pedri dhe Raphinha, se unë doja t’i shisja.

U përfol për një listë largimesh…

Kjo më dhemb ende sepse nuk është e vërtetë. Ne kishim planifikuar vetëm një shitje për shkak të kufizimeve financiare.

Cili ishte lojtari?

Preferoj të mos e them nga respekti për të.

Po flet nga hidhërimi?

Jo. Po flas nga ndjenja e drejtësisë. Dua që njerëzit të kuptojnë se gjërat në Barcelonë nuk po funksionojnë mirë. Klubi ka nevojë për ndryshim nga lart poshtë.

A flet ende me Messin?

Po. Kemi marrëdhënie të mirë.

A mund të ishte kthyer Messi?

Po. Dhe këtu presidenti nuk po thotë të vërtetën. Në janar 2023, pasi fitoi Kupën e Botës, ne filluam të flasim për rikthimin e tij. Kishim edhe dritën jeshile nga La Liga.

Çfarë ndodhi?

Presidenti u tërhoq. Laporta më tha fjalë për fjalë: “Nëse Messi kthehet, do të bëjë luftë kundër meje (Laportës).” Pas kësaj, Messi ndaloi së më përgjigjuri në telefon.

Do të kthehesh ndonjëherë te Barcelona?

Në këtë pikë mendoj se nuk do të kthehem më kurrë. Koha ime si lojtar dhe trajner ka përfunduar.

Si ndihesh tani që fole?

Më i qetë. Unë u largova sepse u përballa me Alejandro Echevarrían. / në shqip nga bota.al

Back to top button