Horizonti.alMagazine

Zbulohet “pulsi” 27.5 milion vjeçar i Tokës, por nuk e dimë ende se çfarë e shkakton atë

Nga Jacinta Bowler

“Science Alert”

Në 260 milion vitet e fundit, dinozaurët u shfaqën dhe më pas u zhdukën. Pangea u nda në kontinentet dhe ishujt që ne shohim sot, dhe njerëzit e ndryshuan me shpejtësi dhe në mënyrë të pakthyeshme botën në të cilën jetojmë.

Por përmes gjithë kësaj, duket se është Toka ajo po e ruan ritmin e kohës. Një studim i ri i ngjarjeve të lashta gjeologjike, sugjeron që planeti ynë ka një “rrahje zemre” të ngadaltë, të qëndrueshme të aktivitetit gjeologjik çdo 27 milion vjet apo më shumë.

Ky impuls i ngjarjeve gjeologjike të grumbulluara – përfshirë aktivitetet vullkanike, shfarosjet masive, riorganizimet e pllakave tektonike, dhe ngritjen e nivelit të deteve – është tepër i ngadaltë, një cikël 27.5 milion-vjeçar i baticave dhe rrjedhave katastrofike.

Por për fatin tonë të mirë, ekipi hulumtues vëren se ne jemi edhe 20 milion vjet para “të rrahurës tjetër të zemrës së Tokës”. “Shumë gjeologë besojnë se ngjarjet gjeologjike janë të rastësishme. Por studimi ynë ofron prova statistikore mbi një cikël të përbashkët, duke sugjeruar se këto ngjarje gjeologjike janë të ndërlidhura dhe jo të rastësishme”-thotë Majkëll Rampino, gjeolog i Universitetit të Nju Jorkut, dhe autori kryesor i studimit.

Ekipi zhvilloi një analizë të re mbi epokat e 89 ngjarjeve gjeologjike të kuptuara mirë nga 260 milion vitet e kaluara. “Këto ngjarje përfshijnë kohë të shfarosjeve detare dhe jo-detare, ngjarje të mëdha ooksike-anoksike, shpërthime vullkanike, luhatje të nivelit të detit dhe riorganizimin e pllakave tektonike”- shkruan ekipi në studimin e tij.

“Rezultatet tona sugjerojnë se ngjarjet gjeologjike globale janë përgjithësisht të ndërlidhura, dhe duket se ato ndodhin me impulse sipas një cikli bazë 27.5 milion vitesh. Gjeologët kanë shqyrtuar prej kohësh ekzistencën e një cikli të mundshëm të ngjarjeve gjeologjike.

Në vitet 1920-1930, shkencëtarët e kohës sugjeruan se të dhënat gjeologjike kishin një cikël 30 milion vjeçar, ndërsa në vitet 1980-1990 studiuesit përdorën mjetet më të fundit të teknologjisë, për të gjetur një cikël me gjatësi 26.2 deri 30.6 milion vjetësh.

Tani kemi zbuluar se kjo kohë është 27.5 milion. Një studim në fund të vitit të kaluar nga të njëjtët autorë, sugjeroi që ky cikël 27.5 milion vjeçar, është edhe momenti kur ndodh zhdukja masive.

“Ky studim është shumë i mirë, por unë mendoj se një hulumtim më i mirë mbi këtë fenomen ishte ai i vitit 2018 nga Myler dhe Dutkievic”- tha për ScienceAlert gjeologu tektonik Alan Kolins nga Universiteti i Adelaides në Australi, që nuk ishte i përfshirë në këtë studim.

Studimi i vitit 2018, nga dy studiues të Universitetit të Sidneit, analizoi ciklin e karbonit dhe tektonikën e pllakave të Tokës, duke arritur në përfundimin se cikli është afro 26 milion vjet. Kolins thotë se më studimin e fundit mbi këtë temë, shumë nga ngjarjet gjeologjike që shqyrtoi ekipi janë shkakësore, pra njëra shkakton drejtpërdrejt tjetrën. Kësisoj disa nga 89 ngjarjet e marra në analizë janë të lidhura mes tyre:për shembull, ngjarja anoksike që shkaktojnë zhdukjen e specieve detare.

“Duke thënë këtë, ky lloj cikli 26-30 milion vjeçar duket se është real dhe për një periudhë më të gjatë kohore. Edhe pse nuk është e qartë se cili është shkaku i tij themelor”- thekson Kolins. Kërkime të tjera nga Rampino dhe ekipi i tij, sugjerojnë se përplasjet e kometave  mund të jenë shkaku kryesor, ndërsas një studiues hapësinor mendon se përgjegjës për këto ndryshime është Planeti X.

Por nëse Toka ka vërtet një “rrahja zemre” gjeologjike, kjo mund të jetë për shkak të diçkaje që është më pranë Tokës. “Këto impulse ciklike të tektonikës dhe ndryshimit të klimës, mund të jenë rezultat i proceseve gjeofizike që lidhen me dinamikën e tektonikës së pllakave dhe mantelit të Tokës, ose mund të alternohen me ciklet astronomike të lidhura me lëvizjet e Tokës në sistemin diellor dhe galaktikën tonë”-shkruan  ekipi në studimin e tij. / bota.al

Back to top button