Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky proteston: “Si mund të flasin për ne, pa ne?”, pyet ai pas takimeve të para midis zyrtarëve më të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në Riad. Por përgjigjen e merr drejtpërdrejt nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në një konferencë shtypi nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago.
“Ukraina është e zemëruar sepse nuk ishte në tryezë? Ata kanë pasur një vend për 3 vjet dhe për një kohë të gjatë më parë. Mund ta kishin zgjidhur gjithçka lehtësisht vite më parë, pa humbur kaq shumë territore dhe pa humbur asnjë jetë njeriu. Kush ankohet se nuk ishte në tryezë, duhej të kishte përfunduar një marrëveshje shumë kohë më parë,” tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Nuk është sekret që Rusia nuk e dëshiron Zelenskyn si bashkëbisedues, dhe Trumpi nuk fsheh ftohtësinë e tij ndaj presidentit ukrainas. Përkundrazi, ai prek një tezë që Moska e ka përsëritur disa herë, sipas së cilës Zelensky nuk ka më legjitimitet tek populli i tij.
“Në Ukrainë nuk ka pasur zgjedhje dhe është në fuqi ligji ushtarak. Më vjen keq ta them, por ai ka një nivel mbështetjeje shumë të ulët, vetëm 4%. Qytetet e vendit janë shkatërruar – nuk ka ndodhur në Kiev sepse rusët nuk duan të hedhin shumë raketa atje. Populli i Ukrainës nuk ka mbajtur zgjedhje prej një kohe të gjatë. Nuk është çështje e Rusisë, e them unë dhe e thonë edhe shumë vende të tjera.”
Trump gjithashtu bën të qartë prioritetin e tij: “Mua më pëlqen Zelensky si person, por ajo që më intereson është që puna të bëhet dhe të përfundojë. Dua të shpëtoj miliona jetë, kjo situatë mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore. Dhe mund të ishte shmangur plotësisht. / bota.al