Bota

Francë / Macron dhe Le Pen shkojnë në balotazh. Fundi i turpshëm i partive tradicionale

Kandidati centrist Emmanuel Macron dhe udhëheqësja ei ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, dolën i pari dhe e dyta respektivisht në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të Francës të dielën, sipas parashikimeve të sondazheve. Ata do të përballen me njëri-tjetrin, në një balotazh më 7 maj.

Balotazhi do të vërë Francën përballë një zgjedhje të vështirë – midis platformës liberale të Macron, pro-BE dhe vizionit nacionalist të Le Pen, e cila do të përfshinte një goditje mbi imigracionin dhe një refuzim të integrimit evropian. Sondazhet e opinionit para raundit të parë parashikonin se Macron do ta mundte me lehtësi Le Penin, në një votim kokë më kokë.

“Sot është e qartë që po kthejmë një faqe në jetën politike të Francës”, tha Macroni në një deklaratë të shkurtër për AFP. “Populli francez ka shprehur dëshirën e tij për rinovim”.

Në një miting në veri të Francës, Le Peni u tha mbështetësve të saj: “Zgjedhja tashmë është mes globalizimit të egër, një bote ku terroristët mund të udhëtojnë të lirë, dhe një France me kufij të fortë”.

Ajo tha: “Është koha për të çliruar popullin francez nga elita arrogante. Unë jam kandidate e popullit. Unë i bëj thirrje të gjithë patriotëve kudo që janë, pavarësisht nga origjina e tyre, për t’u bashkuar me mua. Në rrezik është mbijetesa e Francës”.

Rezultati i raundit të parë përbën një dështim të madh për partitë tradicionale kryesore franceze, socialistët dhe konservatorët e Les Républicains, pasi asnjë nga kandidatët e tyre nuk u kualifikua për në raundin e dytë. Figura të larta nga të dyja partitë e mëdha u bënë thirrje mbështetësve të tyre të bashkohen pas Macronit, për të siguruar që Fronti Nacional i Le Pen të mposhtet.

Në projektimin e tij më të fundit, televizioni TF1 tha se Macron, i cili formoi lëvizjen e tij të pavarur politike vitin e kaluar, kishte fituar 23 përqind të votave dhe Le Pen kishte 22 përqind, me ish-kryeministrin konservator François Fillon dhe kandidatin e majtë Jean-Luc Mélenchon nga 19 për qind secili.

Televizioni France 2 projektoi se Macroni kishte 23.7 përqind të votave dhe Le Peni 21.7 përqind, me Fillon dhe Melenchon nga 19.5% secili. Në të dy projektimet, kandidati socialist Benoit Hamon doli i pesti, mes 6 dhe 7 përqind.

Rezultatet e sondazheve të opinionit publik, realizuar dy ditë para të dielës, parashikonin pak a shumë këto rezultate. Ndërkohë, edhe pse pritej që atentati terrorist i të enjtes të ndikonte në këtë rezultat, me sa duket kjo nuk ndodhi.

Rezultati i të dielës është nja rritje mbresëlënëse për 39-vjeçarin Macron, një ish nëpunës civil dhe bankier, që ka qenë praktikisht i panjohur për publikun, deri kur u emërua Ministër i Ekonomisë në vitin 2014. Ai hoqi dorë nga posti në gusht të vitit që kaloi dhe formoi lëvizjen e tij politikem “En Marche”. /bota.al

Leave a Reply

Back to top button