Shkence

Zgjidhet misteri i kaskadave të gjakut në Antarktidë

Ka kaluar 106 vjet që kur fenomeni i “kaskadës së gjakut” u vu re nga gjeologu Griffith Taylor në liqenin e ngrirë Bonney në Antarktidë, por tani misteri ka marrë fund, në sajë të studimit të një ekipi të përbashkët të shkencëtarëve të Universitetit të Alaska Fairbanks dhe Colorado College.

Që nuk ishte gjak, por ujë, kjo është kuptuar tashmë në 1911, megjithatë për dekada të tëra janë bërë përpjekje për të gjetur një shpjegim bindës për fenomenin. Nëse deri në vitin 2003 komuniteti shkencor ishte i bindur se ky qe efekti i disa algave të kuqe, nga atëherë doli në dritë hipoteza – tani konfirmuar dhe dokumentuar nga kërkime të reja – që efekti i “gjakut” vjen nga një liqen i kripur nëntokësor, 1.5 milion vjeçar, që përmban doza të larta hekuri, i cili oksidohet sapo bie në kontakti me ajrin.

Duke përdorur një pajisje gjetje të vendndodhjes të quajtur RES (radio-echo sounding), hulumtuesit ishin në gjendje që të zbulonin se nën sipërfaqen e akullt të Antarktidës australiane ekziston një masë uji, që rrjedh për miliona vjet, në sajë të një cikli të vet hidrik, që pengon ngrirjen.

E ashtuquajtura “kaskadë” ndodhet në skajin verior të Glacier Taylor, i cili shtrihet për 100 kilometra dhe është pjesë e maleve transantarktike. Dhe kur vargmali filloi të zgjerohej – miliona vjet më parë – u bllokua liqeni i kripës, nën një shtresë të dendur bore dhe akulli. Në këtë mënyrë liqeni është bërë gjithnjë e më i koncentruar, derisa uji është bërë shumë i kripur për të ngrirë në temperatura normale.

Ngricat nëntokësore pastaj filluan të largojnë hekurin nga shkëmbinjtë mbi të cilët qëndron liqeni. Sapo arrin në sipërfaqe, pra, uji i liqenit merr ngjyrën e tij të kuqe të gjakut, për shkak të kontaktit midis metalit që përmban dhe ajrit. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button