FilozofiMAIN

Kriza e Perëndimit

Kur flasim për krizën e Perëndimit, shpesh përmendim Oswald Spengler, një mësues i shkollës së mesme, i cili në vitin 1918 pati sukses të jashtëzakonshëm me “Der Untergang des Abendlandes”, d.m.th. “Rënia e Perëndimit”.

Spengler besonte se çdo qytetërim, si çdo organizëm i gjallë, kishte fëmijërinë, rininë, moshën e rritur dhe plakjen e tij dhe mendonte se ai perëndimor kishte hyrë në një rënie të pakthyeshme. Ai nuk ishte i vetmi që diagnostikoi rënien e epokës së tij. Pas Luftës së Madhe, reflektimi për fatin e modernitetit shoqëroi veprat e shumë intelektualëve dhe artistëve. Deri në atë moment bota nuk kishte përjetuar kurrë, në një periudhë kaq të shkurtër, përvojën katastrofike të vdekjeve masive.

Evropa, e cila dominonte globin me armë, pasuri dhe kulturë, dukej se po zhytej në një humnerë së bashku me dhjetë milionë vdekjet e saj. Në realitet, Spengler nuk kishte prezantuar një temë të re. Gjatë shekullit të 19-të, romantizmi ushqeu pesimizmin e atyre që profetizonin fundin e Evropës. Përballë rrënojave të së kaluarës, të cilat kishin filluar të zbuloheshin me gërmimet e para të mëdha arkeologjike, shumëkush diagnostikoi rënien e progresit. Ngjashëm me të gjitha qytetërimet e mëdha e të zhdukura, edhe ai evropian, pasi të kishte arritur apogjeun e tij, do të ishte nisur drejt rënies.

Siç u pa qartë, sidomos duke filluar nga tridhjetë vitet e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, kultura perëndimore u godit nga konfliktet e modernitetit dhe paqartësia e tij. Ai kishte braktisur besimin se historia përkonte me zgjerimin e lirisë. Ai e kishte shkatërruar idenë e përsosmërisë së njerëzve, të ushqyer nga prirja për të kërkuar kushte gjithnjë e më të mira jetese. Kishte vënë në dyshim besimin në të ardhmen.

Trashëgimtarët e iluminizmit besonin në emancipimin njerëzor, duke menduar se rruga drejt një të ardhmeje më të mirë do të ishte e pakthyeshme. Kritikët e modernitetit, dukshëm më të shumtë, tregonin me gisht natyrën iluzore të kësaj shprese nga këndvështrime të ndryshme. Duke filluar me shumë katolikë që e konsideronin Revolucionin Francez si produkt djallëzor të një njeriu të etur për të jetuar pa Zot, lista do të bëhej shumë e gjatë dhe do të përfshinte protagonistët e mëdhenj të kulturës perëndimore: letrarë, sociologë, historianë, filozofë, artistë me orientim politik të ndryshëm.

Disa e mirëpritën fundin e një bote që e përbuznin, të tjerë shpallën me ankth katastrofën. Kujtojmë një autor që është sigurisht më pak i njohur se Friedrich Nietzsche, Sigmund Freud dhe Martin Heidegger, por edhe Robert Musil. Historiani zviceran Jacob Burckhardt, pas luftës franko-prusiane të vitit 1870 dhe përvojës së Komunës së Parisit të vitit 1871, shkroi se qytetërimi modern kishte shprehur, me optimizëm të çmendur, bindjen se natyra njerëzore ishte e mirë, duke iu kthyer besimit tek progresi dhe tek një ideologji e rehatisë dhe fitimit. Përballë saj, ai tërhiqej me një shpirt melankolik vetëm nga dëshira për dije. Një djalosh me emrin Niçe ndiqte mësimet e tij dhe e konsideronte një mjeshtër.

Njëqind e pesëdhjetë vjet më vonë themi se Perëndimi është në krizë. Në fund të fundit, Perëndim do të thotë toka ku perëndon dielli. Kjo mund të jetë arsyeja pse që nga Revolucioni Francez, i cili përfaqëson origjinën e atij moderniteti perëndimor, sigurisht nga pikëpamja politike, perceptimi i fundit nuk i ka braktisur reflektimet tona?

Në realitet, sot, si atëherë, nuk ka asnjë marrëveshje mes perëndimorëve për simptomat e dekadencës. Kush dhe çfarë është në rënie në kohën tonë? Demokracia liberale, Evropa, meshkujt e bardhë, Shtetet e Bashkuara, familja, vlera e të mësuarit si rrugë drejt dijes dhe jo si konsumim i menjëhershëm i informacionit?

Ndoshta duhet të pyesim veten se për çfarë jemi nostalgjikë. Në një intervistë të dhënë nga Jonathan Franzen për “La Stampa” të Torinos dhe botuar më 28 korrik, shkrimtari i njohur amerikan distancohet nga kjo narrativë. Franzen beson se perceptimi i krizës vjen kryesisht «nga paranoja që kanë shumë evropianë, se mos shohin arritjet e grumbulluara gjatë viteve të tëra studime dhe dijenxënie, të fshira nga diçka e papritur, që vjen nga Afrika, nga Lindja, nga e gjithë ajo pjesë e botës që Vetë Perëndimi është përpjekur ta kolonizojë jo vetëm kulturalisht, por edhe fizikisht”. / La Lettura – Bota.al

Back to top button