Sport

50 pyetje për Paolo Maldinin

“Shpesh kam menduar se Arrigo Sacchi ishte i çmendur dhe një çikë e mendoj edhe tani, por pa të nuk do të kishte ndodhur epopeja e Milanit”

Pastaj Berlusconi “vizionar”, Costacurta i “nënvlerësuar”, Ancelotti (“Me të vitet më të bukura”) dhe babai Cesare…

 

Përvjetorët e kampionëve të mëdhenj të sportit e trazojnë kohën thuajse më mirë se tonët. Për ndonjë rrugëtim të çuditshëm mendor na detyrojnë që të shkojmë më thellë në kujtime, të rimendojmë se ku qemë në rastin e arritjeve më të bukura, t’i përjetojmë ato me një pjesëmarrje afektive. Paolo Maldini është si një shok udhëtimi: shumë tifozë janë rritur me të, po aq janë plakur duke ndjekur ndeshjet e tij. Sot feston 50 vjetorin: prej karakterit është përqëndruar gjithmonë ndaj të ardhmes, por kësaj radhë na ka dhuruar me dëshirë një shëtitje në të kaluarën. Në 50 pyetje.

 

1 Kush është sot Paolo Maldini?

«Një ish sportist, një bashkëshort, një baba, një njeri i lumtur».

 

2 Pesë kujtime, nga një për dekadë.

«Një moment sportiv dhe një josportiv për çdo dekadë. 1-10: Fillimi i shkollës (më ka dhënë shumë, edhe pse nuk jam diplomuar) dhe kontaktet e para me topin. 11-20: Takimi me Adrianën dhe debutimi në Serie A. 21-30: Lindja e Cristian dhe Botërori Italia ’90 bashkë me Kupën e parë të Kampionëve. 31-40: Lindja e Daniel dhe finalja e Manchester. 41-50: Humbja e prindërve dhe dita që kam lënë futbollin».

 

3 Viti më i bukur?

«1996 dhe 2001 prej lindjes së fëmijëve dhe sezoni 2002 – 03: më i miri për mua si forcë, kokë, teknikë».

 

4 Çfarë do të thonin sot babai Cesare dhe nëna Marisa?

«Nuk qenë gjërat që më thonin, por ajo që provoja kur më buzëqeshnin. Është kënaqësi e madhe të bësh krenarë prindërit e tu».

 

5 Në moshën 50 vjeçare babai yt fitonte Botërorin si zëvendës i Enzo Bearzot dhe ndërkohë ju ishit më të rinjtë e Milanit. Atëhere apo më prapa, e ke pyetur ndonjëherë veten si do të kishte qenë juaj 50 vjeç?

«Jo, nuk e kam imagjinuar veten në moshë tjetër. Bile as e kuptoja se çfarë do të thoshte për tim atë të ishte 50 vjeç. Ndiqja punë e tij, por vetëm kur jam rritur e kam vlerësuar vërtet çfarë kishte bërë në futboll».

 

6 Koha kalon më shpejt tani apo kur luanit?

«Tani fluturon. Më përpara më pak, pavarësisht impenjimeve dhe ndeshjeve».

 

7 Çfarë raporti keni me djemtë Christian dhe Daniel?

«Më pëlqen të luaj e të bëj shaka me ta. Dua që të jenë seriozë, unë dhe ime shoqe i fshikullojmë kur duhet. Janë djem të mirë dhe jam i kënaqur prej tyre».

 

8 Çfarë roli ka pasur familja në rritjen tuaj njerëzore dhe profesionale?

«Ka qenë ylli im polar, si familja e origjinës, ashtu edhe ajo që kam krijuar. Vlerat e prindërve të mi i kam gjetur tek Adriana».

 

9 Në 50 vite kanë qenë 5 papë, shumë personazhe të politikës e të kulturës italiane, 9 presidentë amerikane. Cili personazh ju ka lënë gjurmën më të fortë?

«Nuk jam kushedi sesa fetar, por ka qenë shumë emocionuese të takoje Papën Ëojtyla dhe Papën Francesco: më kanë transmetuar ndjesi unike».

 

10 Në muajt e parë të Berlusconi dhe Sacchi, sa herë keni menduar: «Janë të çmendur»?

«Për Berlusconi kam menduar: “Shpresojmë që të ketë të drejtë”. Kurse për Sacchi, hëm, kam menduar shpesh se ishte i çmendur dhe një çikë e mendoj edhe tani. Ama pa të nuk do të kishte ndodhur epopeja e Milanit. Do të thotë se një çikë budallallëk duhet».

 

11 Fanella si një lëkurë e dytë: vetëm një imazh retorik apo është vërtet kështu?

«Për mua është kështu: unë kam pasur vetëm dy fanella, atë kuqezi dhe atë kaltëroshe. Zgjedhjen, atë të vërtetën, nuk e bën kur je fëmijë, por pak e nga pak, duke kuptuar për shembull se ajo skuadër ka të njëjtat objektiva si ti. Nuk e kam marrë asnjëherë në konsideratë idenë e lënies së Milanit dhe kurrë shoqëria nuk ka menduar të më shesë».

 

12 Cili ka qenë Maldini më i mirë?

«Në nivel fizik, ai i sezonit ’91-92 dhe atij ’93-94. Por unë zgjedh Maldinin e sezonit 2002-03. Unë kam qenë estet sepse më ka mësuar babai. Kam provuar gjithmonë të bëj ndeshjen e përkryer, por është e pamundur. Mund t’i afrohesh, por vetëm nëse luan në pozicion qëndror si në sezonin 2002-03 dhe jo në krah. Atë vit kam bërë 19 ndeshje në Champions, të gjitha. Dhe shumë prej tyre i luajta mirë».

 

13 Çfarë do të thotë të jesh flamur?

«Do të thotë të kesh përgjegjësi më shumë dhe vjen momenti në të cilin je i gatshëm t’i marrësh përsipër. Edhe pse nuk je ti që vendos të bëhesh flamur. Qysh fëmijë kam kërkuar të shoh sa më shumë te jetë e mundur dhe të flas sa më pak të jetë e mundur. Por në një moment të caktuar kuptova se kishte ardhur momenti që të merrja përgjegjësi mbi vete. Atëhere ndryshon edhe perceptimi i të tjerëve ndaj teje».

 

14 Cili ka qenë Milani më i mirë?

«I pari i Sacchi, ’92-93 i Capello dhe 2002-03 i Ancelotti. Kishte shumë cilësi, edhe në stol».

 

15 Gëzimi më i madh?

«Debutimi në Serie A. I ulur në autobusin drejt stadiumit, pyesja veten “A mund të qëndroj këtu?”. Nuk do ta kisha menduar kurrë se do të futesha. Pastaj ndodhi. Fusha ishte shumë e keqe, topi i parë që preka qe një kalim topi prapa drejt portierit Terraneo. Gjithmonë e kam pyetur veten së çfarë do të kishte ndodhur sikur topi të kishte prekur ndonjë gungë…».

 

16 Duke riparë tani ndeshjet para Sacchi, duket që skuadrat ecnin. Parë nga brenda, ka qenë vërtet revolucion?

«Po. Më përpara përgatitjet qenë deri më të ashpra, por të përqëndruara tek idetë e viteve ’60. Mendoni që gjatë stërvitjes nuk mund të pihej: thoshin se uji të bënte keq… Sigurisht që nuk shkonim më shpejt nga sa shkohet tani. Edhe shumë: verticalizonim gjithmonë dhe bënim pak posedim topi. Tani ekzagjerohet me posedimin dhe kështu që lodhesh më pak. Një përzierje midis posedimit dhe vertikalizimit do të ishte mrekulli. Me Sacchi mezi fituam një kampionat, pasi nuk menaxhonim ndeshjet».

 

17 Kush ju ka mësuar më shumë?

«Fati im ka qenë që kam pasur mësues shumë të zot. Capello tek Primavera, Niels Liedholm, më pas Sacchi që ka përmbysur gjithçka. Kam pëlqyer edhe Zaccheroni me mbrojtjen treshe: unë isha kundër, por ai qe i zoti të ma shpjegojë se çfarë donte».

 

  1. Çfarë është San Siro?

«Një teatër, një vend i shenjtë. Dhe shtëpia ime e dytë, afër me të parën…».

 

19 Shoku më i fortë?

«E vështirë… Zgjedh Franco Baresi prej agonizmit, vullnetit, teknikës».

 

20 Shoku që ju ka dëfryer më shumë?

«Në fushë Weah, jashtë saj De Napoli, Carbone, Rino (Gattuso) dhe shumë të tjerë».

 

21 Si tifoz, jeni preokupuar gjithmonë për Milanin?

«Po, jam i preokupuar. Nuk besoj se UEFA e ka me Milanin, bile besoj se do të donin një Milan të fortë. Pastaj do të shohim zhvillimet».

 

22 «Që ti të mund të takosh triumfin e katastrofën dhe të përballosh ata dy mashtrues në të njëjtën mënyrë». Shprehja e Rudyard Kipling shoqëron lojtarët në qendrorin e Wimbledon. Çfarë raporti keni pasur me triumfin dhe me katastrofën?

«I kam pranuar si pjesë të lojës. Katastrofa të dhemb, por e kam menaxuar thuajse më mirë se triumfin që të bën të ndjehesh mirë pasi mund ta ndash me shokët. Kurse në katastrofë ndjehesh i vetmuar edhe në një sport skuadre».

 

23 Itali – Argjentinë ’90, Itali – Brazil ’94, Milan – Liverpool ’05: cilën do të riluanit?

«Itali – Argjentinë: finalja më e drejtë do të kishte qenë midis nesh e Gjermanisë dhe pastaj… në Romë do të kishim fituar. Në ‘94  Brazili luajti më mirë. Për sa i përket Liverpool, atë finale e kam riluajtur dy vite më pas…».

 

24 Manchester ’03, finalja e Champions Juve – Milan: duke hyrë në fushë ju, Del Piero e Buffon bëni shaka dhe qeshni. Keni luajtur të gjithë deri… vonë. Lehtësia ka qenë forca juaj?

«Sigurisht, por Sacchi dhe Capello kjo lehtësi nuk i pëlqente. Ja pse vitet më të bukura kanë qenë ato me Ancelotti. Unë mendoj se nëse je gati, mund edhe të bësh shaka e të qeshësh: përqëndrimi mbetet».

 

25 Ju kanë plagosur më shumë kritikat pas Botërorit 2002 apo trajtimi i tifozëve ditën e fundit në San Siro?

«Kritikat pas Botërorit. Aty kemi shkuar përtej fushës, kishte shumë injorancë. Më pyetën deri nëse luaja  pse isha i rekomanduar: Unë? Në 2002?».

 

26 Cili ka qenë rivali juaj par excellance?

«Vetja ime: çdo ditë në stërvitja e ngrija stekën. Kjo sfidë më stimulonte».

 

27 Do t’u jepte të kishit në shtëpi riprodhimin e Kupës së Botës apo Topin e Artë?

«Kupën e Botës, që varet nga ajo që bën në fushë. Topi i Artë varet nga gjykime personale».

 

28 Rekordi i pranive në Serie A është akoma i yti. Jeni i fiksuar pas rekordeve?

«të japin kënaqësi. Kam akoma primatin e minutave të luajtura në Botëror. Një miku im amerikan që nuk di shumë nga futbolli ka blerë librin e Guinness dhe djali i tij më ka gjetur aty… Kam shënuar edhe golin më të shpejtë e finales së Champions».

 

29 Keni qenë shumë i vëmendshëm ndaj fiksimit të paletave: me tifozët, me gazetarët, me ambientin. Çështje karakteri? Nevoja për të ndarë Paolo nga Maldini?

«Të dyja gjërat. Jam i ndrojtur, kështu që mbrohesha kështu. Pastaj edhe kam menduar gjithmonë se me mbarimin e ndeshjes kisha të drejtën e shijimit të jetës dhe të familjes».

 

30 A është i njëjtë raporti midis fëmije dhe sportit sot siç ka qenë kur ishit ju fëmijë?

«Jo aspak, atëhere ishte sporti dhe pak tjetër. Nuk ekzistonin celularët dhe rrjetet sociale. Rreziku tani është që fëmijët të hyjnë në botën virtuale dhe të mos dalin më».

 

31 Futbolli ishte një lojë e bërë punë apo një punë e bërë më buzëqeshjen e atij që e luan?

«Koka ishte gjithmonë “për punë”. Isha aq kompetitiv sa që kur kthehesha në shtëpi zbrisja nga tramvaji dy stacione më përpara dhe pastaj bëja garë me të. Kampioni nuk do të humbasë kurrë».

 

32 Kjo është gjenerata e parë që nuk ju ka parë në fushë. Si e përshkruani veten për një fëmijë 10 vjeçar?

«Dinë të gjithë për mua dhe e dini pse? Jam akoma në playstation dhe, kur më takojnë në rrugë, më pyesin nëse isha kaq i shpejtë edhe në fushë… Gjithësesi, do t’ua përshkruaja veten si një mbrojtës i zoti i dashuruar pas topit. Më ka pëlqyer gjithmonë ta gjuaj, ta prek atë gjë të rrumbullakët që e kam adhuruar qysh fëmijë».

 

33 Çfarë ju mungon më shumë nga futbolli?

«Arritja në stadium, tensioni para ndeshjes, kur rreshtohesh në mesfushë. Momente shumë të bukura».

 

34 Çfarë gjëje nuk keni duruar kurrë nga futbolli?

«Nuk më ka pëlqyer të ndjerit i detyruar që të bëj diçka për të kënaqur tifozët. Pastaj pse duhet të ndjej një refuzim njerëzor pas një humbjeje? Unë ndjehem keq vetë…».

 

35 A ka një kulturë të mjaftueshme sportive në Itali?

«Jo, absolutisht. Nuk pranohet humbja. E kujtoj gjithmonë entuziazmin e tifozëve të Liverpool kur ishin 0-3 në Stamboll».

 

36 Duke parë në këto ditë Botërorin, mund të ishim. E kemi paguar llogarinë gjithë përnjëherësh?

«Tamam: Zoti top ka paraqitur faturën e 4 viteve gabime dhe na ka bërë të humbasim një xhiro. Federate nuk e kishte vendosur futbollin në qendër të projektit».

 

37 Cili është problem më i madh i futbollit italian?

«Menaxhimi, nuk kemi akoma president. Abete e çmoj, është njeri shumë i zoti, por jemi gjithmonë aty. Menaxhimi i eliminimit nga Suedia ka qenë qesharak».

 

38 Top 11-shja e kundërshtarëve të tu?

«Shumë e vështirë, por po jap podiumin: Maradona, Ronaldo e më pas me meritë të barabartë Zidane, Platini e Romario».

 

39 Tenisi përfaqëson nevojën e sfidave të tjera apo dëshirën e thjeshtë për të mos qëndruar në vend?

«Pak nga të gjitha. Tenisi i sfidon gjunjët e mi në mënyrë të pranueshme, shkëmbimi zgjat pak, mund t’ia kaloj. Pastaj, në nivel koke, të mëson shumë».

 

40 Çdo herë që gjunjët ju lënë, a mendoni se sporti bën edhe keq?

«Mendoj se është llogaria që duhet të paguaj. I kam zili ish shokët e mi që luajnë akoma futboll: unë nuk e bëj dot, gjunjët nuk më lejojnë të vrapoj 10 minuta radhazi».

 

41 Tri kampionë sportesh të tjera që keni admiruar.

«Edëin Moses, Bjorn Borg dhe Michael Jordan».

 

42 Kush janë shokët e tu?

«Midis ish lojtarëve Ba, Carbone, Sheva, Tassotti, Baresi, Massaro, Ferrara. Pastaj janë shokët jashtë futbollit që i frekuentoj qysh kam lënë futbollin. Më parë nuk pija as edhe një kafe me ta».

 

43 Edhe për këtë u keni thënë jo shumë propozimeve?

«Nuk është tamam kështu. Kam fatin që nuk kam nevojë të punoj dhe kështu që mund të zgjedh. Ama Barbara Berlusconi i kam thënë po: nuk është prishur muhabeti nga ana ime. I kam thënë jo pronësisë aktuale. Me kombëtaren do të kisha bërë team manager në Botërorin e 2014, por më pas nuk më telefonuan më. I thashë jo Chelsea pasi sapo e kisha lënë futbollin dhe nuk ishte i qartë roli im».

 

44 Kurse tani është hipoteza FIGC?

«Gjithçka është një pikëpyetje e madhe».

 

45 Një fjalë për 10 njerëz që kanë shoqëruar karrierën tuaj: Liedholm, Berlusconi, Galliani, Sacchi, Capello, Ancelotti, Vicini, Baresi, Costacurta. Zgjidheni ju të 10-in.

«Liedholm qetësues. Berlusconi vizionar. Galliani milanist. Sacchi obsesiv dhe vizionar edhe ai. Capello praktik. Ancelotti i qetë. Vicini xhentëlmen. Baresi kurajoz. Costacurta i nënvlerësuar. I 10-i është im atë: i ndershëm».

 

46 Gabimi më i madh?

«Kam bërë shumë dhe vetëm duke gabuar mund të rritesh. Por çdo herë kam marrë përgjegjësitë e mia».

 

47 Çfarë është talenti?

«Një dhuratë nga Zoti, nga prindërit e tu. Por për një sportiest nuk mjafton, bile bën që të rriten brengat nëqoftëse nuk e zhvillon. Unë nuk isha talenti i skuadrave rinore të Milanit. Ka shumë fëmijë të talentuar që nuk ia dalin».

 

48 Pse jeni respektuar gjithmonë nga të gjithë?

«E thjeshtë: nëqoftëse respekton, të respektojnë. Rruga është e gjatë, pasi ekziston gjithmonë ndjesia se duke luajtur futboll njerëzit nuk të kuptojnë se kush je. Por nuk është kështu, njerëzit kuptojnë. Kështu që duhet të jesh vetëvetja».

 

49 Ju pëlqen Milano juaj?

«Shumë, është në hap me botën. Është e gjallë, eksperimenton, ofron mundësi, është ndërkombëtare. Paksa ajo që kam kërkuar në jetë: nga viti 1989 shkoj me pushime jashtë për të zgjeruar horizontin. Milano është e ndrojtur, e prerë: e njoh veten tek ajo».

 

50 A ka diçka që nuk e keni treguar ndonjëherë dhe sot do donit ta thonit?

«Dua të them vetëm se jeta është e bukur. Jam njeri me fat dhe ëndërrimtar. Të ëndërruarit të ndihmon dhe kam akoma diçka për ta realizuar, të cilën nuk mund ta zbuloj. Më shumë kam brengën që nuk kam shfrytëzuar famën e viteve si futbollist për të krijuar një fondacion bamirësie».

(nga Gazzetta dello Sport)

 

Përgatiti: ARMIN TIRANA / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button