MAINSport

Lamtumirë Gianluca Vialli, një prej futbollistëve më të dashur të të gjitha kohërave

Bota e futbollit është sërish në zi. Pas vdekjes së Sinisha Mihajlovic, iPeles, një tjetër kampion i madh, Gianluca Vialli, ka ndërruar jetë në Londër ku ndodhej i shtruar në spital. Ish-sulmuesi i Cremoneses, Sampdorias, Juventusit dhe Chelsea, si dhe sulmuesi i kombëtares, ishte 58 vjeç dhe ishte sëmurë prej disa kohësh. Më 14 dhjetor, ai njoftoi se duhej të pezullonte angazhimet e tij me ekipin kombëtar (ishte kreu i delegacionit) për t’u fokusuar në betejën kundër kancerit në pankreas. Vialli kishte njoftuar se ishte i sëmurë në një intervistë për Corriere della Sera më 25 nëntor 2018.

Konfirmimi i familjes

Familja e Gianluca Viallit ka konfirmuar vdekjen e ish-kampionit me një shënim. “Me pikëllim të pamasë njoftojmë ndarjen nga jeta të Gianluca Viallit – thonë ata -. I rrethuar nga familja e tij, ai ndërroi jetë mbrëmë pas pesë vitesh sëmundje, të cilën e përballoi me kurajo dhe dinjitet. Falënderojmë ata që e kanë mbështetur ndër vite me dashuri. Kujtimi dhe shembulli i tij do të jetojnë përgjithmonë në zemrat tona.”

KARRIERA

Në karrierën e tij 19-vjeçare si futbollist, Vialli luajti 673 ndeshje mes Serisë A, Premier League dhe kupave evropiane, duke shënuar 259 gola. Me fanelën e kaltër ai krenohet me një medalje të bronztë në Italia 90, një argjend dhe një të bronztë në Kampionatin Evropian U21 në 1984 dhe 1986, për një total prej 59 ndeshjesh me ekipin kombëtar, ku shënoi 16 gola. U tërhoq nga futbolli më 1 korrik 1999.

Si trajner, ai drejtoi ekipin e Chelseat nga viti 1998 deri në vitin 2000 (për gjashtë muaj ishte trajner dhe futbollist) dhe atë të Ëatford në sezonin 2001-02. Që nga nëntori 2019, ai i ishte bashkuar FIGC-së si kryetar i delegacionit të kaltër, së bashku me mikun dhe partnerin e tij sulmues në kohën e Sampdorias, Roberto Mancini.

FITORET

Trofetë e tij janë të shumtë: dy kampionate (Samp dhe Juve), një Champions League (Juve 1995-96), një Superkupë UEFA (Chelsea 1998), një Kupë UEFA (Juve 1992-93), dy Kupa të Kupave (Samp 1989-90 dhe Chelsea 1997-98), një Kupë Anglie (Chelsea 1996-97), 4 Kupa Italiane (Juve dhe tre me Sampdorian), 1 Kupë e Ligës Angleze dhe 2 Superkupa Italiane. Si menaxher në Chelsea ai gjithashtu fitoi një Kupë FA. Gianluca Vialli lë pas gruan e tij Cathryn, dhe dy vajza: Olivia dhe Sofia.

Back to top button