
Marcus Aurelius ishte një perandor romak, por edhe një nga mendimtarët më të thellë të stoicizmit. Në shënimet e tij personale, të njohura si Meditations, ai la pas reflektime që sot duken çuditërisht moderne.
Në një botë të mbushur me ankth, presion social dhe shpërqendrim të vazhdueshëm, idetë e tij ofrojnë qartësi dhe mbi të gjitha… qetësi.
Ja 7 mësime që mbeten aktuale edhe sot e kësaj dite.
-
Kontrollo vetëm atë që varet nga ti
Një nga parimet themelore të stoicizmit është dallimi mes asaj ne mundemi të kontrollojmë
dhe asaj që nuk mundemi të kontrollojmë.
Ne nuk kemi asnjë kontroll mbi opinionet e të tjerëve, mbi motin, fatin apo të kaluarën. Por kemi në dorë kontrollin mbi mendimet dhe reagimet tona.
Shumica e stresit në kohën që jetojmë lind nga përpjekja për të kontrolluar të pakontrollueshmen.
-
Mos e merr gjithçka si personale
Marcus Aurelius shkruante se njerëzit veprojnë sipas natyrës dhe njohurive të tyre. Kur dikush të ofendon apo sillet padrejtësisht, reagimi i menjëhershëm është zemërimi.
Por ai sugjeron: ndalo, reflekto, dhe kupto.
Shpesh sjellja e të tjerëve flet më shumë për ta sesa për ty. Dhe një përpjekje sado e vogël për të kuptuar dhe t’i kuptuar, shmang shumë pasoja.
Lexo edhe: Kush ishte Marcus Aurelius? Filozofia stoike dhe fuqia e “Meditimeve”
-
Jeta është e përkohshme
Marcus Aurelius rikujton vazhdimisht ne Meditimet e tij se lavdia kalon, pasuria zhduket, trupi plaket!
Ky nuk është pesimizëm, por kthjelltësi mendore. Sepse kur ne kuptojmë përkohshmërinë, pikërisht atëherë fillojmë të vlerësojmë momentin dhe të mos e humbasim energjinë në gjëra të vogla.
E keni parasysh kur marrim pjesë në një varrim? Se si mendojmë me vete apo bisedojmë me ata që kemi pranë, dhe themi “ehh, çfarë është jeta”, “pse duhet të grindemi me njerëzit”, “çfarë do marrim me vete kur të ikim nga kjo botë”. Dhe pastaj, mbaron dreka e varrimit, kalojnë edhe 2 orë dhe… harrojmë.
-
Disiplina e mendjes është liri
Sipas Marcus Aurelius, mendja mund të bëhet ose burim vuajtjeje, ose burim qetësie.
Nëse lejon mendimet negative të dominojnë, bëhesh skllav i tyre. Nëse i vëzhgon dhe i drejton, fiton liri të brendshme.
Ky parim është thelbësor edhe në psikologjinë moderne.
-
Vepro me drejtësi, jo duke u prirur nga egoja
Si perandor, ai kishte pushtet absolut. Por e shihte rolin e tij si shërbim, jo si privilegj.
Në jetën moderne, kjo përkthehet në lidership me integritet, marrëdhënie me respekt dhe vendime të bazuara në parime, jo në krenarinë personale.
-
Mos u anko për realitetin
Marcus Aurelius shkruante: nëse diçka është jashtë kontrollit tënd, pranimi është më i mençur se të ankuarit. Ankimi i vazhdueshëm konsumon energji pa prodhuar zgjidhje. Pranimi nuk do të thotë dorëzim; do të thotë të fokusohesh në atë që mund të ndryshosh.
-
Jetë në përputhje me natyrën
Për stoikët, të jetosh në përputhje me natyrën do të thotë të ndjekësh arsyen, të pranosh rendin e botës, të veprosh me virtyte.
Në një epokë krahasimi social dhe presioni për sukses të jashtëm, kjo filozofi ofron stabilitet të brendshëm.
Pse këto mësime janë kaq aktuale?
Sepse problemet njerëzore nuk kanë ndryshuar aq sa teknologjia. Ankthi, zemërimi, frika dhe ambicia ekzistonin edhe në Romën e lashtë.
Marcus Aurelius nuk ofron receta magjike. Ai ofron disiplinë mendore.
Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse “Meditimet” vazhdojnë të lexohen: sepse na mësojnë si të ruajmë qetësinë në një botë që rrallë është e qetë. / bota.al





