Nunc est Bibendum

Asnjë BREXIT pa kuota vere

 

screen-shot-2016-10-07-at-16-49-59

Nga Andi Qinami

Brexit do të thotë ndarje, e si në çdo divorc kjo nënkupton edhe zgjidhjen e ngërçeve financiare dhe shpërndarjen e të mirave të përbashkëta. M’u kujtua batuta simpatike anonime lidhur me temën, publikuar në revistën “Forbes” nga mesi i viteve ‘90. “Ajo le të mbajë vilën dhe Rolls-in, unë dua Montrachet-in” (verë e famshme e nënrajonit Côte de Beaune në Bourgogne).

Lista e aseteve evropiane që Britania e Madhe ka vënë në qendër të diskutimeve të ardhshme me BE-në është e gjatë. Pas diskutimeve, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të jetë e prirur të sigurojë një fetë sa më të madhe pas Brexit.

Marrëveshja e daljes nga BE-ja do të duhet të përmbajë edhe parashikimin për kthimin e kuotës mbi 60 miliard Euro të pensioneve të eurokratëve, dhe pothuajse € 20 miliardëve kredi të Bankës Evropiane të Investimeve.

Duke u munduar të minimizojë goditjen e mundshme financiare, Britania me të drejtë ka hedhur sytë edhe në anën tjetër të bilancit të BE-së, që përfshin asete pasurish të patundshme, dhjetëra satelitë në hapësirë, koleksionin e mbledhur të artit në Parlamentin Evropian, dhe kuotën e verës dhe pijeve alkoolike në përgjithësi. Britania është pra duke planifikuar të kërkojë një pjesë të kantinës së BE-së, ndërkohë që qeveria përgatitet për pazarin me Brukselin.

Aktualisht kantina e mirëfurnizuar e BE-së që me gjithë gjasat përmban shishe të rralla dhe të shtrenjta nga e gjithë Evropa, i shërben ofrimit të banketeve dhe pritjeve të BE-së si dhe për të kënaqur personalitetet e shquara që mbërrijnë si vizitorë. Ndërsa inventari nuk është i njohur, detajet e përmbajtjes së saj kanë qenë gjithnjë të vakta. Në vitin 2012, një kërkesë drejtuar Parlamentit Evropian zbuloi se Komisioni Evropian kishte 15.500 shishe verë në qilar. Verërat kishin një vlerë prej rreth 260,000 €. Këshilli i Ministrave të BE-së, besohet të ketë pasur pak më shumë se 27.000 shishe në qilarin e tij në vitin 2012. Shifrat, jo të bëra publike gjërësisht, janë raportuar përmes publikimit të Çështjeve Evropiane (European Affairs Publication) ‘’Politico’’, i quajtur më parë Europian Voice. Vera e kuqe përbënte tre të katërtat e sasisë së përgjithshme të këtyre shisheve.

Mbajtja e sa më shumë aseteve do të shërbente për të lehtësuar në një farë mënyre dëmet financiare shkaktuar nga shkëputja e Britanisë së Madhe nga BE-ja. Një burim, i përfshirë në përgatitjet për negociata – ka thënë për Financial Times: “Sigurisht që ne do t’i kërkojmë pasuritë”. Gazeta e cila nuk bën të ditur identitetin e burimit, pohon se Britania derdh rreth një të tetën e kontributeve neto të buxhetit të BE-së, prandaj ajo mund të gëzojë teorikisht të drejtën për rreth 5,000 shishe verë, 250 distilate e likerna, shumën 2.25 milion nga vlera e përgjithshme e koleksionit të artit të Parlamentit Evropian, dhe rreth € 10m nga vlera e përgjithshme e kontabilizuar e ndërtesës së Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.

Shishet e rekuperuara në këtë mënyrë do të mund të vihen më pas në shitje me qëllim rikapitalizimin, ashtu siç ka ndodhur jo pak herë vitet e fundit me verërat e qilarit të Mbretërisë së Bashkuar, ndodhur në afërsi të Pallatit Buckingham e për të cilin Nunc est bibendum ka shkruar disa rreshta me rastin e vizitës së Xi JingPing.

Ndërkohë as Komisioni Europian, as qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nuk kanë qenë në dispozicion për koment.

Diskutime post Brexit, me vend apo pa vend qofshin, u ngritën në mediat tona para disa kohësh, lidhur me pasojat eventualisht serioze të Brexit, të na falin ekonomistet e përfshirë në shkëmbimet tregtare dhe ekonominë shqiptare, por besoj se lexuesi ynë është me të drejtë më i vëmendshëm ndaj asaj për çka flitet shpesh në kategorinë Nunc est bibendum, verën. Nga emërimi, të shtunën e kaluar, i ish ministrit të jashtëm francez, Z. Michel Barnier si shef i negociatave për palën e BE-së, duket se prej tij do të varet edhe fati i kuotave angleze të verës.

Leave a Reply

Back to top button