Sport

“Baraba! Baraba!”

Mund të themi që mbas këtij vendimi, serbët ia dolën! Përpjekjet e tyre, ashtu sikurse dhe frika që i detyron europianët “t’i hapin rrugë budallait”, arritën të krijojnë në institucionet më të lartë, europianë dhe të UEFA-s, një turmë që e “pyetur” për të vendosur se kë do të donte të “çlironte” nisi të thërrasë, fillimisht mbyturazi e më pas me zë të lartë: “Baraba! Baraba!” Dhe kështu u bë. U dënuam edhe ne. I “lau duart” edhe Platini

7 gjeraNëse provat kundër kombëtares së Shqipërisë do të kishin qenë kaq kokëforta dhe të pakundërshtueshme, nëse do të kishte patur qoftë edhe një detaj që të bënte lidhjen mes trazirave të 14 tetorit në stadiumin e Beogradit dhe zyrtarëve të Federatës Shqiptare të Futbollit, me siguri presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, s’do të kish patur nevojë të prononcohej nëpër media, duke ndikuar në mënyrë të drejptërdrejtë në vendimin e Komisionit të disiplinës. Më shumë se një herë madje. Fillimisht duke lëshuar broçkullën e dron-it me bombë, më pas duke kërkuar mospërfshirjen e politikës në sport dhe në fund, haptaz fare, duke paralajmëruar ndëshkimin e rreptë të të dy federatave. Federatës serbe, që ishte përgjegjëse për organizimin dhe Federatës shqiptare, që as tifozë nuk ishte lejuar të sillte në Beograd.
Kaq shpesh, Platini nuk kishte folur as kur u gjend në mesin e një skandali mbarëbotëror, që lidhej me votimin për zgjedhjen e vendit organizator të Kupës së Botës 2022, ku fitues doli Katari. Presidenti i UEFA-s foli vetëm një herë, për të hedhur poshtë akuzat dhe mohuar që punësimi i të birit si drejtor në një kompani sportive katariote kishte lidhje me votimin. Nuk bëri thirrje atëherë për ndalimin e ndërfutjes së politikës në sport. Ndoshta sepse për ta përgënjeshtruar do të kishte mjaftuar darka e presidentit francez, Nicolas Sarkozy, me katariotin “strumbullar” të skandalit të rryshfeteve, Bin Hammamin, në të cilën vetë Platini ishte ndërmjetës dhe i pranishëm. Një përzierje e fortë e politikës dhe e sportit, me presidentin e UEFA-s në qendër.
Një “merak” ky i përzierjes së politikës me sportin, që nuk e pati këtë javë plot akuza e kundërakuza, presidenti i FSHF-së, Armando Duka. Në një kohë kur të gjithë shqiptarët, sportistë e politikanë, në Shqipëri, Kosovë e nëpër botë, e shihnin trepikëshin në tavolinë, si vendimin më të mirë për të vënë drejtësi mbi atë që kishte ngjarë në Beograd, Presidenti Duka zgjodhi të ndërrojë kostum dhe të veshë atë të politikanit. Duke deklaruar se nuk i interesonte trepikëshi dhe se për momentin, shqetësimi i tij madhor ishte miqësia mes dy vendeve. Cudi e madhe! Ndërkohë që autoritetet serbe të futbollit na akuzonin për të bëra e të pabëra, dhe kërkonin me forcë trepikëshin në tavolinë, me qëllimin për t’u zhveshur nga përgjegjësia me të cilën i ngarkon mungesa totale e organizimit, që rrezikoi edhe jetën e futbollistëve të Shqipërisë në ato pak sekonda, Presidenti i federatës sonë e kishte mendjen tek miqësia mes dy popujve(!)
Të gjithë këta elementë, bashkë me lobimin e fuqishëm që nisi menjëherë pas ndeshjes nga ana e autoriteteve serbe – ndërkohë që ne, të ngazëllyer prej “ngritjes së flamurit” mu atje, në Beograd, apo qëndresës burrërore me grushtat shtrënguar, na u deshën 24 orë të organizohemi, të mbledhim veten e të fillojmë përpjekjet tona – me siguri që kanë ndikuar në vendimin e padrejtë që mori komisioni i displinës i UEFA-s, duke na futur të gjithëve në një thes, serbë dhe shqiptarë, organizatorë dhe mysafirë, agresorë dhe viktima, të marrët që ulërinin për të vrarë shqiptarët, dhe shqiptarët që vraponin për mburojë nën rrebeshin e gurëve të tifozëve dhe shkopinjve të policëve.
Ndonëse shenjat nuk ishin premtuese që në krye të herës, kishim preferuar që ta “vdisnim” të fundit shpresën për drejtësi, të bindur ndoshta se ata, europianët e UEFA-s, do të merakoheshin më shumë për zbatimin e parimeve mbi të cilët janë ndërtuar të gjithë ngrehinat e institucioneve të tyre, dhe jo mbi dëshirat për të vendosur ekuilibër atje ku vetëm barazi s’mund të ketë.
Mund të themi që mbas këtij vendimi, serbët ia dolën! Përpjekjet e tyre, ashtu sikurse dhe frika që i detyron europianët “t’i hapin rrugë budallait”, arritën të krijojnë në institucionet më të lartë, europianë dhe të UEFA-s, një turmë që e “pyetur” për të vendosur se kë do të donte të “çlironte” nisi të thërrasë, fillimisht mbyturazi e më pas me zë të lartë: “Baraba! Baraba!” Dhe kështu u bë. U dënuam edhe ne (një faktor lehtësues ky për Serbinë, pa dyshim). I “lau duart” edhe Platini.
Ky ishte dënimi ynë i parë. I dyti është që, do të na duhet të dëgjojmë edhe për pak kohë moralizuesit që përpiqen të na kompleksojnë pse u ndiem mirë kur, edhe një copëz simboli mbi një pëlhurë që fluturon, arriti të na bashkojë në një shpërthim nacionalizmi, kurrësesi shkatërrimtar.
Për të na ngushëlluar mbetet vetëm kënaqësia e pakrahasueshme që na dha skuadra e Shqipërisë për 41 minuta në fushën e blertë të Beogradit, aty ku u ndiem superiorë. Me futboll, pa politikë. Apo jo, Mishel?

Nga Ermal Gjinaj
bota.al

Leave a Reply

Back to top button