Sport

Barra e të qënurit Leo Messi

Jeff Himmelman

Messi ka preferuar gjithmonë që të lërë lojën e tij të flasë për të, dhe ky muaj mund të jetë shansi i tij më i mirë dhe përfundimtar për t’u treguar skeptikëve në vendin e tij se e meriton fanelën. Vendi i tij në histori varet prej kësaj. “Këtu, ne të justifikojmë apo të dënojmë në varësi të faktit nëse topi hyri në rrjetë apo jo”, më tha shkrimtari Eduardo Sacheri. “Messi është i panjohur, deri kur të flasë rezultati”.

leo 1Në pjesën më të madhe të Argjentinës, ku Lionel Messi ka jetuar deri kur mbushi 13 vjeç, vendasit zëvendësojnë tingullin e “y” me “sh”. “Yo”, përemri që përdoret për “Unë”, bëhet “sho”, dhe “calle” që për folës të tjerë të spanjishtes do të shqiptohej “ka-yay”, bëhet “ka-shey”. Tingulli i jep spanjishtes që flitet në Argjentinë një butësi, e cila i ngjan më shumë disa aspekteve të gjuhës portugeze që flitet në Brazil. Më e rëndësishme për këtë histori, ajo “sh” dhe fakti që Messi e ka mbajtur gjatë gjithë jetës së tij, ka qenë ndonjëherë e vetmja lidhje mes futbollistit më të mirë të botës dhe vendit për të cilin ai luan.

Gjatë nëntë viteve të fundit, Messi ka udhëhequr F.C.Barcelonën drejt fitimit të titujve kombëtarë dhe ndërkombëtarë, ndërkohë që ka thyer rekorde individualë në mënyra që nuk të duken si të kësaj bote.

Në vitin 2012, ai shënoi 91 gola në 69 ndeshje – një shifër shumë e lartë – për klubin dhe kombëtaren, dhe është zgjedhur nga FIFA si lojtari më i mirë në botë, katër herë gjatë pesë viteve të fundit, diçka e paprecedentë kjo. Cilësia e lojës së tij në Europë e ka vendosur që tani, kur është vetëm 26 vjeç, në listën e shkurtër të futbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave.

Por pavarësisht gjithë këtyre, Messi nuk është çmuar asnjëherë gjerësisht në Argjentinë. Rezistenca më e madhe ndaj tij, përveç faktit që nuk ka shkëlqyer gjithmonë me kombetaren, është se ai nuk është argjentinas aq sa duhet.

Muajin që kaloi, qëndrova në Buenos Aires dhe në Rosario, vendlindja e Messit, ku dëgjova versione të kësaj kritike pothuajse kudo ku shkova, që nga shoferët e taksive, deri tek komentatorët profesionistë: Messi u largua nga Argjentina shumë shpejt, ai nuk u rrit në radhët e klubeve dhe nuk luajti për një ekip të kategorisë së parë në Argjentinë, siç kanë bërë heronj të tjerë si Diego Maradona dhe Carlos Tevez. Ai “nuk e ndien fanelën” e kombëtares ashtu si futbollistët e tjerë. Sulmet kanë qenë ndonjëherë kaq personalë, saqë thuhet se Messi ka menduar edhe të largohet nga kombëtarja. Por një gjë që askush nuk e ka mohuar asnjëherë është se kur flet, Messi vazhdon të duket sikur është nga Rosario, dhe ky fakt i vogël e ka mbajtur gjallë këtë lidhje të brishtë.

Kur del nga dogana në Aeroportin Ndërkombëtar të Ezeizas, në rrethinat e Buenos Airesit, ndesh menjëherë në pamjen e Messit, në një reklamë për dyert e xhamit që ndajnë udhëtarët nga ata që presin matanë. Përgjatë autostradës deri në hyrje të qytetit, ai shfaqet sërish, në një reklamë për një prodhues argjentinas mallrash elektronikë, dhe në qendër të Buenos Airesit, shumëleo 2 billboard-e të mëdhenj kanë fytyrën e tij. Si njësi komerciale, Messi është kudo.

Dhe ai është gjithashtu askund. Mu desh vetëm një shpjegim në një spanjishte të çalë, për arsyen pse kisha ardhur në Argjentinë – pra të kuptoj se çfarë kuptimi ka Messi për Argjentinën – që taksisti të fillonte të më rrëfente një histori krejt tjetër. “Gjithmonë na ka pëlqyer mënyra si luan Messi”, më tha taksisti, Dario Torrizi. “Por nuk na pëlqen se cili është”. Të gjithë në Amerikën Latine e duan Maradonën, tha Torrisi, “por nuk është e njëjta gjë për Messin”.

Në Argjentinë, nuk i shpëton dot këtij krahasimi. Maradona pranohet gjerësisht si një prej futbollistët më të mëdhenj të historisë. Ai pati një karrierë të suksesshme klubesh në Europë, por më e rëndësishmja ai udhëhoqi Argjentinën drejt fitores së Kupës së Botës në vitin 1986. Maradona është bombastik, i pëlqejnë festat dhe gjithmonë shfaqet në titujt e gazetave. Argjentinasit e duan. Messi i heshtur e humbet këtë garë që pa nisur.

Disa mendojnë se Messi ia ka kaluar tashmë Maradonës në fushë – ai ka shënuar më shumë gola në nivel klubesh, në një moshë shumë më të re – ndërkohë që të tjerë mendojnë se nuk barazohet me Maradonën, edhe nëse sjell Kupën e Botës këtë vit. Shkrimtari Martin Caparros më tha: “Maradona kishte avantazhin e madh që nuk i duhej të ishte si dikush tjetër, ndërsa Messit i duhet të jetë si Maradona gjatë gjithë kohës”.

Në moshë të vogël, Messi ka qenë nazeli në të ngrënë. Pjata e tij e preferuar ka qenë gjithmonë “milanesa a la napolitana”, që e ëma ia gatuante disa ditë në javë, përndryshe do të ishte shumë e vështirë ta bëje të hante. Një prej trainerëve të tij të hershëm në Rosario, Carlos Marconi, zbuloi se Messit i shijonin edhe “alfajores”-at, një lloj çokollate. Sipas një interviste të vjetër televizive me Marconin, ata bëjnë një ujdi: një çokollatë për çdo gol që do të shënonte. Problemi ishte se Messi shënonte zakonisht katër apo pesë gola për ndeshje, dhe Marconit iu desh t’ia bëjë më të vështirë. Ai shpalli një regjim të ri: dy çokollata për çdo gol që Messi do të shënonte me kokë. Ndeshjen e radhës, Messi dribloi të gjithë lojtarët e ekipit kundërshtar, më pas ndaloi tek vija e portës, e ngriti topin në ajër me këmbë me qëllim që të shënonte me kokë në portën e boshatisur.

Ka gjithfarësoj historish të tilla për Leon në Rosario, si për shembull ajo herë kur u mbyll në banjë për pjesën e parë të një ndeshjeje, më pas doli me forcë dhe shënoi tre gola në pjesën e dytë, duke sjellë fitoren. Historitë për Messin e rritur në fakt nuk janë aq të ndryshme – një gol epik kundër skuadrës së Getafes kur ishte 19 vjeç, mrekullia me takë kundër Atletikos së Bilbaos vitin që kaloi, që e bëri komentatorin e famshëm Ray Hudson që të ulërinte pa pushim.

Nga këndvështrimi teknik, aseti më i vyer i Messit është aftësia e tij për të vrapuar shpejt me topin të ngjitur pas këmbës së majtë. Ky dominim i topit, bashkë me shpejtësinë e lartë, krijon kohë dhe hapësirë që futbollistë të tjerë elitarë nuk mund t’i kenë.

Por gjenialiteti i vërtetë i gjenialitetit të Messit është se ai mbetet ende ai djaloshi që bëri ujdinë, gola për çokollata. Ai luan si fëmijë: në mënyrë instiktive, i lirë. Kur erdhi fillimisht në Barcelonë, në moshën 13 vjeç, ishte tashmë vetvetja. Në stërvitje shënonte gola epikë ku i driblonte i vetëm të gjithë dhe më pas kthehej duke ecur, a thua asgjë nuk kishte ndodhur, për befasinë e trainerëve të tij. I pyetur shumë vite më vonë nëse konsiderohej më shumë argjentinas apo spanjoll sa i përket stilit të lojës – një pyetje e rëndësishme, duke patur parasysh që ligjërisht mund të zgjidhte vetë për cilin nga këto ekipe të luante – Messi tha: “Argjentinas, sepse pavarësisht faktit që jam rritur këtu dhe kam mësuar shumë në Spanjë, unë nuk e kam ndryshuar asnjëherë mënyrën e të luajturit, siç kam bërë që kur isha shumë i vogël”.

Qyteti i Rosarios ndodhet 180 milje në veriperëndim të Buenos Airesit. Eshtë vendlindja e Che Guevarës dhe vendi ku u ngrit për herë të parë flamuri i Argjentinës në vitin 1812.

Teksa hynim brenda në qytet me makinë, Jonathan Gilbert – një gazetar i shkëlqyer dhe përkthyesi im në Argjentinë – më tregoi ngjyrat verdheblu të Rosario Central, rivali vendas i Newell’s Old Boys, me të cilat ishin lyer pengesat e betonit në autostradë. Në Rosario ka dy ekipe të Divizionit të parë, dhe o je me njërën, o me tjetrën. U ndalëm në një restorant të quajtur Comedor Central, propnë e një tifozi të Central me emrin Juan Yacob, i cili mori një pamje përhumbjeje në fytyrë kur i kërkuam të flasim për Messin. “Jeta fubollistike e Messit është zhvilluar në Europë”, tha Yacobi, me një ngërdheshje injoruese.

Edhe në qendrën stërvitore të të rinjve të Newell’s, klubi i dikurshëm i Messit, komentet për të ishin shumë të vakët. Disa baballarë që po shikonin një ndeshje të fëmijëve të tyre thanë se u pëlqente Messi dhe ishin krenarë që ai është nga Rosario, por më mirë do preferonin që Newell’s të fitojë kampionatin se sa Argjentina të sjellë në shtëpi Kupën e Botës. (Komentatori argjentinas i futbollit, Martin Mazur më tha që të mos i marr shumë seriozisht këto komente. “Kështu flasin tani”, tha ai. “Por prit sa të fillojë Kupa e Botës, dhe do e shohësh që vetëm për atë mendojnë”).

Kur Messi ishte 10 vjeç ndërroi jetë gjyshja nga e ëma, Celia. Ajo ishte gruaja që e afroi fillimisht me futbollin e organizuar dhe i shtyu trainerët që të shikonin nipin e saj të imët që të luante me më të rriturit. Kur vdiq Celia, Messi, familja e tij dhe stafi i trainerëve në Newell’s nisën të kuptojnë se kishte diçka jonormale gjatësia e tij. Një doktor e diagnostikoi me mungesë të hormonit të rritjes. Nëse Messi donte të rrinte në një gjatësi normale – dhe të shpresonte për një karrierë si profesionist – duhej të merrte përditë injeksione.

Trajtimi ishte i kushtueshëm dhe për dy vite u mbulua nga vendi ku punonte i ati, Jorhe, në një fabrikë çeliku pranë Rosarios. Kur ai mbulim nisi të ndryshojë, familja Messi i kërkoi ndihmë klubit, një kërkesë për të cilën u ra dakord. Rrëfimet për atë që ndodhi më vonë ndryshojnë mes tyre, por pas disa muajsh familja Messi nisi të kërkojë mënyra të tjera për të paguar për trajtimin. Kur një mik i familjes me kontakte tek Barcelona u ofroi që të bënin një prezantim, familja pranoi menjëherë. Charly Rexach, drejtor teknik i Barcelones në atë kohë ndodhi që të ishte larguar për Olimpiadën e vitit 2000 në Australi, kur aty mbërriti familja Messi. Messi punoi me klubin për pothuajse dy javë, por familja priste vendimin përfundimtar të Rexach. Thuhet se kur u rikthye, Rexach i kërkoi stafit që të vendosnin Messin në një fushë futbolli bashkë me djem të tjerë më të rritur se ai. Për aq kohë sa Messit iu desh të përshkonte dy të tretat e fushës, Rexach e kish marrë vendimin që të firmoste për Messin, faturat mjekësore dhe gjithçka. Leo dhe i ati u zhvendosën menjëherë në Barcelonë, ku Messi u bë futbollist profesionist që në moshën 13 vjeç.

Ai shkonte në shkollë, më pas në stërvitje në La Masia, akademia e famshme e Barcelonës, kthehej në shtëpi dhe ndonjëherë mbyllej në dhomën e tij me qëllim që i ati të mos e shihte tek qante prej vetmisë. Ai nuk vinte prej lagjeve të varfëra. Por të thuash që nuk ka vuajtur, kjo nuk është e vërtetë.

Në mënyrën e tij, Messi vazhdon të vuajë. Për disa vite ka qenë për shkak të performancës në nivelet që pritet prej tij në ekipin kombëtar, dhe dhimbjen që kjo gjë shkaktonte. Por që nga momentet e vështirë të Copa America në verën e 2011, kur Messi u fërshëllye nga tifozët argjentinas pasi ekipi i tij u eleminua në çerekfinale, ai ka luajtur më mirë për vendin e tij.

Cuditërisht, vuajtja këtë vit ka ardhur kryesisht tek Barcelona, ku Messi nuk ka qenë në formën më të mirë. Për një klub të mësuar me fitime titujsh, ky sezoni i fundit ka qenë një katastrofë. Miku dhe ish traineri i Messit tek Barcelona, Tito Vilanova, ndërroi jetë prej kancerit në fyt. Messi u dëmtua në fillim të sezonit dhe u duk se nuk e rimori asnjëherë veten. Dhe skuadra doli dobët në kompeticionet kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

“Në këtë moment, Messi nuk ndihet mirë me topin”, më tha Marcelo Sottile, një gazetar i revistës së futbollit Ole, si dhe autor i një libri për Messin. “Duket sikur është i lidhur”. Askush nuk e di përsenë.

Hudson thotë: “Kupa e Botës po vjen në një moment kur, krejt papritur dhe çuditërisht, ka një pikëpyetje të madhe për njërin prej futbollistëve më të mëdhenj të kësaj loje. Kjo është gjëja e fundit që i nevojitet, pas këtij viti që ka kaluar. E megjithatë, pesha e vendit të tij bie pikërisht mbi të. Dhe ai nuk po shkon thjeshtë në një Kupë Bote. Ai po shkon në një Kupë Bote në Brazil! Si futbollist i Argjentinës! Ajo fanelë e Argjentinës që ai vesh ka qenë gjithmonë e rëndë. Këtë herë, ajo peshon 10 ton!”

Messi pritet të mbajë veshur atë fanelë, pa ndonjë mbështetje reale në vendin e tij. Sottile thotë: “No tiene hinchada” (ai nuk ka bazë tifozësh). “Për Messin ka më pak shanse që ta falin”, shton Sottile. Të gjithë shpresat janë varur tek ai, dhe megjithatë askush përveç shokëve të skuadrës nuk e mbron.

Ndërkohë që ndodheshim në Rosario, bëmë pelegrinazhin në vendin ku ka lindur Messi, 525 Estado de Israel, një shtëpi në një lagje të klasës së mesme. Messi nuk jeton më aty, por familja e tij vazhdon ta ketë në pronësi, dhe është e qartë që për të është e rëndësishme. Takuam një prej fqinjëve që ka 40 vjet që jeton në rrugën e Messit. Kur e pyetëm nëse Messi qëndronte gjithmonë në rrugë duke rendur pas topit të futbollit, ai ngriti dorën tek mesi për të na treguar gjatësinë e Messit dhe më pas na buzëqeshi, për të na treguar budallallëkun e pyetjes sonë. Sigurisht që kështu bënte. Nuk e di përse, por ai moment i shkurtër e bëri ekzistencën e Messit të tingëllojë reale, në një mënyrë të tillë që ende nuk e kishin përjetuar në Argjentinë. Ai jetonte këtu, luante në këto rrugë përpara se të gjithë ta dinin se cili ishte. Tani, është shndërruar në një gjëzë psikologjike shumë të ndërlikuar: Argjentina ka nevojë për të, ai ka nevojë për Argjentinën, dhe borxhet duken të pashlyeshëm.

Në Kupën e Botës ka gjithmonë surpriza, por Argjentina ka një grup të lehtë dhe me siguri do të kalojë pa problem në 16-she.

Messi ka preferuar gjithmonë që të lërë lojën e tij të flasë për të, dhe ky muaj mund të jetë shansi i tij më i mirë dhe përfundimtar për t’u treguar skeptikëve në vendin e tij se e meriton fanelën. Vendi i tij në histori varet prej kësaj. “Këtu, ne të justifikojmë apo të dënojmë në varësi të faktit nëse topi hyri në rrjetë apo jo”, më tha shkrimtari Eduardo Sacheri. “Messi është i panjohur, deri kur të flasë rezultati”. Internatinal Neë York Times/

Përshtatur në shqip nga bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button