Sport

Bayerni përgatit një goditje të madhe në merkato

Screen Shot 2015-05-27 at 17.46.03

Bayerni ka planifikuar të zhvillojë një merkato të fuqishme gjatë kësaj vere dhe bavarezët minimalisht do të afrojnë në skuadër një lojtar të madh. Alternativat janë të shumta duke filluar nga Antoine Griezmann e deri te Paul Pogba. Dëmtimet e shpeshta të dyshes Robben-Ribbery e kanë detyruar Bayernin të blejë një sulmues krahu për të mos patur të njëjtin fat si këtë sezon dhe vitin e ardhshëm, vec Griezmman objektiva të tjerë për repartin e avancuar janë edhe Eden Hazard, Angel Di Maria dhe Raheem Sterling.

I preferuari  i Pep Guardiolës është sulmuesi francez i Atleticos së Madridit. Vlera e Griezmann në merkato kap shifrën e 60 milionë Eurove dhe drejtuesit e kampionëve të Gjermanisë do të bëjnë cmos për të transferuar 24-vjecarin në Alianz Arena. Në preferencat e Guardiolës nuk mbetet pas as Angel Di Maria që ka kaluar një sezon të vështirë te Manchester United dhe dëshiron largimin. Kartoni i argjentinasit mund ti kushtojë bavarezëve plot 65 milionë Euro, shifër e lartë kjo por gjithsesi e përballueshme për financat e një klubi si Bayerni. Më e vështirë është rruga që të con te Eden Hazard pasi Chelsea nuk dëshiron ta shesë sulmuesin belg por pavarësisht kësaj 25-herë kampionët e Gjermanisë do ta bëjnë një tentativë edhe për 24-vjecarin, vlera e të cilit në merkato varion nga 60 deri në 80 milionë Euro. Më pak kushton Rahem Sterling. Talenti me origjinë xhamajkane ka një kontratë deri në 2017-n me Liverpoolin dhe nëse nuk rinovon kartoni i tij mund ti kushtojë Bayernit vetëm 30 milionë Euro.

Por Guardiola nuk kërkon përforcime vetëm në sulm por edhe në mesfushë. Emri i parë për këtë repart është ai i Kevin De Bruyne. Mesfushori belg i Wolfsburgut pëlqehet shumë nga drejtuesit e Bayernit dhe mund tu kushtojë këtyre të fundit 50 milionë Euro. Një tjetër emër i lakuar si një përforcim i mundshëm është ai i Paul Pogba. Por përvec se kushton shumë djaloshi i artë ka si zgjedhje të parë Spanjën për të ardhmen e tij. Ndërkohë mediat gjermane kanë zbuluar një lajm të bujshëm që nuk do të ketë pëlqyer aspak tifozëve të Bayernit kur e kanë dëgjuar. Në verën e vitit 2013 vëllai i Pep Guardiolës, Pere Guardiola i ofroi gjigjandëve gjermanë kartonin e Luis Suarez për 50 milionë Euro por drejtuesit e Bayernit refuzuan pasi e quajtën shumë të madhe shifrën e kërkuar dhe me siguri tashmë do të jenë penduar për zgjedhjen e tyre, pasi ishte pikërisht uruguaiani me Barcën e tij që i eliminoi bavarezët nga Uefa Champions League./SS

Leave a Reply

Back to top button