BlackBerry thuhet se është duke përgatitur modelin e saj të parë të telefonit në sistemin operativ Android, dhe sipas raporteve të ndryshme mediale pretendohet se ky model do të vijë me dizajn të jashtëzakonshëm.
Sipas burimeve të Evan Blass (llogarisë së famshme @evleaks), modeli i ri i telefonit të BlackBerry do të quhet Venice, dhe për këtë model tashmë janë publikuar disa pamje në internet të cilat sugjerojnë se e shfaqin këtë version të ri të telefonit.
Njëra ndër specifikat e dizajnit të BlackBerry Venice janë dy skajet e lakuara të ekranit të cilat janë mjaft të ngjashme me ato të modelit rival të telefonit – Samsung Galaxy S6 Edge.
Në ballinën e ekranit të BlackBerry Venice shihen disa nga aplikacionet kryesore të Google, sikurse Chrome, Maps, Drive dhe Picasa, duke sugjeruar se BlackBerry Venice do të ofrojë një përvojë krejtësisht origjinale në Android, madje edhe me ndërfaqe të thjeshtë sikurse telefonat e Google, Nexus.
Ende nuk dihet nëse ky model do të ofrojë edhe tastierën rrëshqitëse, sikurse ishte paraqitur në Kongresin Botëror Mobil në muajin mars.
Sipas thashethemeve, BlackBerry në Android do të ofrojë ekranin me 5.4” në QHD, procesorin Snapdragon 808 me 3GB RAM, kamerën kryesore me 18MP si dhe kamerën e përparme me 5MP.
Koha e mundshme e daljes së këtij modeli pritet të jetë muaji nëntor. (Telegrafi)