Shkence

MISTERET E UNIVERSIT: Boshllëku është plot

Screen Shot 2015-08-13 at 23.07.20

Përbërësi kryesor i Universit është shumë i ndryshëm nga ai që mendojmë: nuk është “hapësirë e pastër”, por mizëri aktiviteti “kuantik”, që ende ka mbetur pa u kuptuar nga njeriu

Kompleks, dinamik, plot me surpriza… Boshllëku nuk është aspak i mërzitshëm siç mund të mendohet: është nënshtresa mbi të cilën është e ndërtuar bota, si dhe tryeza e provës e teorive fizike më të avancuara. Michelangelo Mangano, fizikant teorik në Cern të Gjenevës, shpjegon përse: “Imagjinojmë të marrim një kuti hermetike e të nxjerrim ajrin që përmban. Do të arrijmë boshllëkun kur t’ia kemi dalë të heqim çdo molekulë të vetme nga brendësia e saj: një detyrë e vështirë, por në parim e mundur. Në kuti do të mbetej fusha gravitacionale, që megjithatë mundemi ta zvogëlojmë duke u larguar nga Toka. Në këtë pikë do të mbetemi me diçka të ngjashme me idenë e zakonshme e boshllëkut. Në këtë boshllëk, megjithatë, janë prezente fenomenet kuantike. Për shembull është fusha e Higgs, egzistenca e të cilës është demonstruar tani së fundmi me zbulimin e thërrmijës homonime, në Cern të Gjenevës.

Fusha e saj më e rëndësishme është ajo e iniciimit të masës së thërrmijave si elektronet dhe kuarket, thërrmijat nënatomike. Nëse fusha e Higgs zhduket, për ta kuptuar, ne vetë do të humbasim përbërjen tonë dhe do të shpërbëhemi në një vetëtimë energjie të pastër, sepse të gjitha thërrmijat do të humbisnin masën e tyre dhe do të fluturonin në çdo drejtim me shpejtësinë e dritës.

SASI MAGJIKE. Prandaj fusha e Higgs egziston, e mundemi ta imagjinojmë si një lëng të gjithëpranishëm, i cili vendos strukturën e boshllëkut. Por ka një problem: duke qëndruar tek përllogaritjet, çdo centimetër kub i këtij lëngu të padukshëm ka një energji të pamasë, shumë më shumë sesa do të mjaftonte për të shpërbërë të tërë Tokën. Edhe për të kuptuarin e zakonshëm, ky është një konkluzion i pallogjikshëm: boshllëku nuk mundet të ketë një energji kaq të madhe. “Në realitet e dimë nga vëzhgimet astronomike që ka një energji shumë të vogël, por jo asgjë: është e ashtuquajtura “energji e errët” që bën të zgjerohet universi”, shpjegon Mangano.

Si shpjegohet atëherë mungesa e lidhjes? Sot për sot askush nuk e di. Por fusha e Higgs është vetëm një pjesë e problemit: “Në boshllëk janë të pranishme shumë fusha të tjera”, shpjegon Mangano. Dhe mbi të gjitha, duke shtuar ato të njohura, mund të kishte të tjera për t’u zbuluar. Pritet, me pak fjalë, që duke shtuar energjitë e jashtëzakonshme të të gjitha këtyre komponentëve të padukshëm, merret si rezultat pikërisht ajo vlerë shumë e vogël, që vendos zgjerimin aktual të kozmosit. “Është një magji e vogël”, komenton shkencëtari. “Por është njëra nga sfidat e mëdha të fizikës së këtij shekulli”.

Leave a Reply

Back to top button