
Kur Friedrich Nietzsche botoi në vitin 1887 veprën e tij më provokuese, ai nuk synonte ta përmirësonte moralin, por ta çmontonte atë nga themelet. Në librin Gjenealogjia e Moralitetit, Nietzsche sfidon idenë se e mira dhe e keqja janë kategori universale. Sipas tij, ato janë produkte historike të pushtetit, psikologjisë dhe konfliktit njerëzor.
Ne e ndërtojmë jetën mbi bazën e moralit, por rrallë pyesim: nga vjen ai? A është “e mira” vërtet e mirë, apo një mjet kontrolli?
Nga “Çfarë është e drejtë?” te “Nga vjen morali?”
Filozofët para Nietzsche-s ishin përpjekur të përcaktonin çfarë duhet të jetë morali, qoftë ai i arsyes (si te Kant), apo i dobisë (si te Bentham dhe Mill). Nietzsche e përmbysi pyetjen. Ai nuk pyeti më “Çfarë është e drejtë?”, por “Nga vjen morali?”.
Sipas tij, vlerat nuk janë absolute. Ato janë produkte të marrëdhënieve të pushtetit, të historisë dhe të psikologjisë kolektive. Kjo është metoda e tij “gjenealogjike”: të analizosh origjinën e një ideje për të kuptuar funksionin e saj real.
Ashtu si evolucioni biologjik shpjegon mbijetesën e specieve, Nietzsche mendonte se edhe vlerat evoluojnë brenda konteksteve shoqërore. Ato nuk zbresin nga qielli; ato lindin nga konflikti.
Lexo edhe: Kështu foli Zarathustra. “Koncentrat” fjalësh të mençura nga Kryevepra e Niçes
Morali i zotërinjve dhe morali i skllevërve
Një nga konceptet më të famshme të Nietzsche-s është ndarja mes dy moraliteteve:
Morali i Zotërinjve
Ky moral lind nga të fortët, aristokratët, luftëtarët, sundimtarët. Për ta “e mira” ishte forca, krenaria, shëndeti, guximi. “E keqja” ishte dobësia dhe dështimi. Heronjtë grekë si Akili përfaqësojnë këtë etikë afirmuese të jetës.
Morali i Skllevërve
Ky moral lind nga të dobëtit dhe të shtypurit. Ata e përmbysin sistemin. Dobësia bëhet virtyt. Vuajtja bëhet shenjtëri. Përulësia bëhet mirësi.
Sipas Nietzsche-s, ky moral lindi nga një ndjenjë e thellë mërie, një urrejtje e fshehtë ndaj pushtetit që shndërrohet në sistem vlerash.
Lexi edhe: Pse duhet të qeshim me veten, sipas Senekës dhe Niçes
Krishtërimi dhe triumfi i moralit të skllevërve
Nietzsche e pa krishterimin si triumfin përfundimtar të moralit të skllevërve. Krenaria u kthye në mëkat, fuqia në mizori, vuajtja në shpëtim. Në vend që të nderoheshin heronjtë, morali filloi të nderonte martirët. Dhe ai ngre një pyetje të fortë: A janë vlerat tona vërtet tonat, apo i kemi trashëguar verbërisht?
“Ressentiment” nuk është thjesht zemërim. Është një mëri e akumuluar që nuk mund të shprehet drejtpërdrejt. Në vend që të sfidojnë të fuqishmit, të dobëtit krijojnë një sistem moral ku pushteti shpallet mëkat. Kështu lind një përmbysje radikale e vlerave.
Nietzsche argumenton se ndjenja e fajit nuk është natyrore, por historike. Në shoqëritë e hershme, gabimet kompensoheshin me dëmshpërblim. Me kalimin e kohës, ndëshkimi u zhvendos nga jashtë brenda njeriut. Sipas tij, feja dhe normat shoqërore krijuan “ndërgjegjen e keqe”.
Më vonë, edhe Sigmund Freud do të përshkruante një mekanizëm të ngjashëm me konceptin e super-egos, ndërsa Carl Jung do ta shihte konfliktin e brendshëm si mundësi për individin.
Por Nietzsche mbetet kritik: A është faji moral, apo instrument kontrolli?
Vullneti për pushtet kundër vlerave asketike
Nietzsche kritikoi “vlerat asketike”, glorifikimin e vuajtjes, mohimin e dëshirave dhe nënshtrimin e jetës. Ai propozoi diçka tjetër: vullnetin për fuqi, energjinë krijuese për të tejkaluar veten, për të afirmuar jetën, për të krijuar vlera të reja.
Sipas tij, njeriu i lirë nuk është ai që bindet, por ai që krijon.
Trashëgimia e Nietzsche-s
“Gjenealogjia e Moralitetit” ndikoi thellësisht mbi mendimin modern. Filozofë si Foucault përdorën qasjen gjenealogjike për të analizuar pushtetin dhe institucionet. Psikologjia moderne gjeti paralele në analizën e fajit dhe ndërgjegjes.
Megjithatë, idetë e Nietzsche-s mbeten të debatueshme. Disa i shohin si relativizëm moral. Të tjerë si thirrje për emancipim. Por pyetja e tij mbetet aktuale: Pse i besojmë vlerave vetëm sepse janë të vjetra? / bota.al





