Nunc est Bibendum

“Bourgogne” e kërcënuar?

DSC02305

Nëse Bordeaux është mbretëresha e verërave natyrore, Bourgogne është mbreti”, thoshte njëfarë H. Warner Allen aty nga mesi i shekullit të kaluar, që me shumë zell shkruajti për verën.

Dhe ne në Nunc est Bibendum, ende nuk kemi folur për këtë rajon, ku vreshti ka gjetur hershëm atdhe e ngritur kult, vendlindje e të mëdhave Romanèe Conti, La Tâche, Richebourg, e të tjera, që disave më me fat u sjellin ndërmend shijime të papërsëritshme, e disa të tjerëve mund t’u ngjallin thjesht kërshëri. Por sidoqoftë… absolutisht jo për xhepin e më të shumtëve.

Ndër të gjitha rajonet e mëdha të verës në botë, Bourgogne është padyshim më i vështiri për t’u deshifruar e kuptuar. Kushdo që njihet për herë të parë me këtë territor francez, teksa hedh sytë mbi hartën ku dallohen një pafundësi parcelash të vogla, secila me historinë e saj shekullore dhe reputacionin legjendar, do të mbetej i hutuar. E po të kemi parasysh se pjesa më e madhe e verërave që lindin këtu, në të vërtetë vijnë nga vetëm dy lloje rrushi, Noir Pinot dhe Chardonnay, atëherë çudia dhe misteri shtohen edhe më tepër. Origjina e vreshtarisë në këtë zonë është tepër të lashtë. Ata që më shumë se kushdo tjetër lanë gjurmë në këtë fushë janë ndoshta murgjit Cistercian, që sipas historisë aty jetuan e punuan, të cilët kanë krijuar edhe bazën e klasifikimit të sotëm të zonës. Duhet thënë se ata bënë një punë të paqme duke ofruar bazat e para për një klasifikim (i cili ekziston ende sot), të zonave që rezultojnë më të prirura e të përshtatshme për një vreshtari të pashoqe.

DSC02276

Nuk do të mjaftonin shumë faqe për të përshkruar mjeshtërinë e verëtarisë, tipike të këtij rajoni dhe kompleksitetin e pakrahasueshmërinë e verërave që lindin këtu, por le të ndajmë sot vetëm një shqetësim që vinte disa javë më parë nga Yohan Castaing përmes revistës Decanter. Sfida jo pak serioze duken në horizont për këtë rajon. Kjo sipas një raporti të Këshillit të Verës të Rajonit të Bourgogne-s (BIVB). Teksa kërkesa për verën e Bourgogne është prej shekujsh gjithnjë e fortë dhe çmimet mbeten të larta, sasia e përgjithshme e vjeljeve po tkurret – dhe kjo jo vetëm për shkak të kërcënimit shumëvjeçar të reshjes tipike, breshërit. BIVB lajmëron se vreshtat janë të “moshuara” tashmë dhe rendimenti është ulur ndjeshëm që nga viti 2000 si pasojë e një sërë faktorësh. Problemi i parë ka të bëjë me sëmundjet degjenerative të hardhisë si Esca apo virusi (Grapevine Leaf Roll, GLRV), të cilat kanë prekur pothuajse 14% të vreshtave dhe kohët e fundit kanë vrarë shumë vreshta. Më shumë se 100.000 hektarë vreshta në të gjithë Francën u humbën si pasojë e sëmundjeve në vitin 2014. Po ashtu mosha e vreshtave është një tjetër problem i rëndësishëm. Në Côte d’Or and Saône-et-Loire, 60% e vreshtave kanë një moshë që shkon përtej 30 vjetëve. Mosha mesatare e një vreshti burgonjas është 50 vjeç dhe ky më vete është shkak për rendimente më të ulëta. Xhiroja financiare e vreshtave ka rënë me një %. Rimbjellja vetëm e vreshtave të vdekur dhe jo e të gjithë vreshtave të zonës, është një tjetër faktor që çon po ashtu në prodhim të ulët. Duke pasur parasysh edhe ndryshimet klimaterike me të cilat përballemi thuajse kudo aktualisht, konkluzioni është që verëtarët duhet të jenë shumë aktivë në trajtimin e problemeve të ndryshme. Raporti tregon se prodhimtaria relativisht e ulët e viteve 2011, 2012 dhe 2013, ka bërë të zbresin edhe të ardhurat e kantinave duke i bërë ato të mos të ushtrojnë praktikën e rimbjelljes. Pronarët e disa zonave cilësuar si vreshta Bourgogne Grand Cru ose Premier Cru  nuk dëshirojnë të rimbjellin të gjithë zonën e të reduktojnë të ardhurat e tyre për të paktën 4 apo 5 vjet rresht. Për t’u përballur me situatën BIVB ka lançuar një program për të ndihmuar vreshtarët dhe ne jemi të sigurt se në këtë rajon të bekuar, kjo do të kryhet mençurisht dhe pa e ndërprerë prodhimin.

Siç e kemi thënë më parë, çfarë lëndon verën, lëndon të gjithë, e nëse bëhet fjalë për Bourgogne, nuk mund të kalonte pa i dedikuar disa rreshta.

Andi Qinami

Leave a Reply

Back to top button