Enciklopedike

Brazilia, një qytet i pazakontë

braziliaTifozë nga e gjithë bota vijnë në Brazil për futbollin dhe për turizmin. Mes 12 qyteteve ku zhvillohen ndeshjet e botërorit për Kupën e Botës, njëri është i veçantë: Brazilia. Qyteti u ndërtua 50 vjet më parë në pjesën malore qendrore të vendit për të zëvendësuar Rio de Zhaneiron si kryeqytet të Brazilit. Brazilia është një perlë arkitekturore e projektuar nga arkitekti i njohur brazilian, Oscar Niemeyer. Ngjyrat dhe format e ndërtesave nuk të lënë asnjë dyshim se ndodhesh në Brazilia … Kryeqyteti i Brazilit është ëndrra arkitekturore e një njeriu: Oscar Niemeyer. Niemeyerit, i cili konceptoi ndërtesën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, iu dha leje e plotë për të projektuar Brazilian 50 vjet më parë me kolegun e tij, Lucio Costa.

Në vitin 1987, qyteti u shpall pjesë e trashëgimisë historike dhe kulturore të njerëzimit nga UNESCO-ja. Sot pas 17 vjetësh, qyteti shijohet nga shumë turistë si Cesar Augusto Quintero. “I mrekullueshëm. Ky qytet është futurist, është i bukur. Jemi duke vizituar vendet turistike,” thotë Quintero. Stili i Niemeyer-it është i pazakontë. Shembulli më i mirë është katedralja e qytetit. Nga jashtë nuk të bën shumë përshtypje, por sapo hyn brenda, të bien në sy drita dhe format. “Kjo është ndryshe nga kishat tradicionale, por është interesante. Brenda, ka shumë dritë. Është bashkëkohore dhe e bukur”, thotë turistja Ana Gonzales.

Dy milionë banorët e Brazilias u gëzohen çdo ditë thesareve të tilla si Muzeu Kombëtar. Ndërtesa e Ministrisë së Jashtme, Palacio da Alvorada, është po ashtu një objekt që ia vlen të shihet nga të 500 mijë turistët që po vizitojnë Brazilian gjatë Kupës së Botës.

François nga Bregu i Fildishtë nuk habitet shumë me këtë qytet: “Këtu ka shumë vende turistike, hapësira, dhe mendoj se është diçka e mirë për jetën. Arkitektura këtu është moderne. Kjo më bën të mendoj për kryeqytetin e vendit tim, Yamoussoukro. Dikur, një ish-presidenti ynë e vizitoi Brazilian dhe u frymëzua për të ndërtuar kryeqytetin tonë.” Brazilia ka shumë gjëra të tjera interesante. Këtu nuk i gjen plazhet e Rio-së, as ujëvarat e Iguazusë, por falë shijes së Oscar Niemeyer-it, qyteti ia vlen të vizitohet.

Leave a Reply

Back to top button