Sport

De Biasi: Të arrijmë objektivin dhe të respektojmë kundërshtarin

Screen Shot 2015-10-07 at 20.07.11

Trajneri i Shqipërisë, Gianni De Biasi kërkon të shmangë tensionin e tepërt para sfidës vendimtare me Serbinë, që mund ta kualifikojë Shqipërinë në Europianin e Francë 2016. 58-vjecari duke iu referuar edhe ngjarjeve të Beogradit, kujton se bëhet fjalë thjesht për një ndeshje futbolli, ku duhet respektuar kundërshtari. “Kjo për mua është vetëm një ndeshje futbolli, një ndeshje që mund të na çojë drejt një objektivi shumë të rëndësishëm. Ne luajmë gjithmonë për t’i fituar ndeshjet, duke respektuar kundërshtarët. Kjo nuk do të thotë se jemi mendjemëdhenj, por që e respektojmë kundërshtarin dhe e dimë qëllimin tonë.”

De Biasi e pranon se një sfidë e tillë është shumë e thjeshtë për t’u përgatitur në aspektin e motivimit, por nga ana tjetër kërkon edhe shumë zgjuarsi. “Kjo është ndeshja më e thjeshtë për t’u përgatitur pasi motivimin e ka brenda. E rëndësishme për mua është që ato energji që janë akumuluar të shkojnë në drejtimin e duhur. Nuk duhet të jemi të tendosur, sepse është thjesht një ndeshje futbolli, do të luajmë si zakonisht, me pasime të shkurta, me zgjuarsi dhe të shfrytëzojmë ato raste që na paraqiten.”

Për De Biasin, arma më e fortë e kuqezinjve është forca e grupit, pasi edhe ata që janë në stolin e rezervave, po japin kontribut të madh për arritjen e objektivit. “Lojtarët që kemi grumbulluar janë ata që besojmë se mund të japin një kontribut të rëndësishëm për ekipin. Forca e grupit tonë janë dhe ata lojtarë që nuk luajnë.”/Supersport

Leave a Reply

Back to top button