Sport

Dhuna në Beograd/ “Frankfurter Allgemeine Zeitung“: Idiotësia shqiptaromadhe

Nga Michael Martens
Në stadiumin e Beogradit një fluturake shkakton trazira

frank

Shkatërrimi i Jugosllavisë mund të tregohet edhe si histori e përleshjeve në ndeshje të futbollit. Atëherë 13 maji i vitit 1990 do të ishte një kthesë e rëndësishme. Atë ditë – ende ekzistonte shteti me emrin Jugosllavi, por shpërbërja e tij ishte e dukshme – u ndërpre një lojë e ligës jugosllave mes Dinamos së Zagrebit dhe Cërvena Zvezdës së Beogradit pas përleshjeve mes simpatizantëve të ekipeve. Më shumë se 80 veta u lënduan. Nuk do të kalonte shumë kohë dhe serbët e kroatët do të hapnin zjarr kundër njëri-tjetrit.
Që nga dita e martë analet e dhunës ballkanike në futboll janë pasuruar me një episod të ri. Natyrisht pjesëmarrësit i tregojnë ato në mënyra të ndryshme, por fillimi i këtij episodi nuk kontestohet: në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Europian mes Serbisë dhe Shqipërisë në Beograd qenë luajtur 40 minuta dhe nuk ishte shënuar asnjë gol, kur një objekt fluturues pa pilot – një lloj mikro-fluturakeje – filloi të fluturojë mbi fushë. Në fluturake ishte varur një flamur. Ai tregonte konturat e shtetit shqiptaromadh të ëndërruar nga nacionalistët shqiptarë – një shtet që përfshinë krahas Shqipërisë dhe krahinës së Kosovës, që deri më 2008 i takonte Serbisë, edhe gati gjysmën e Maqedonisë dhe Malit të Zi, pjesë të Serbisë jugore si dhe të Greqisë veriore, përfshirë edhe ishullin e Korfuzit.
Ishte e qartë se një demonstrim i tillë i shovinizmit shqiptaromadh nuk do ta ngjallte miqësinë mes popujve në atmosferën gjithsesi të ndezur në stadiumin e Partizanit të Beogradit. Gjendja eskaloi shpejt pasi Stefan Mitroviqi, një serb që luan për SC Freiburg, ia doli ta kap flamurin në qiell. Ai dëshironte ta largonte atë nga fusha e lojës dhe me këtë incidenti do të kishte marrë fund dhe do të kishte qenë e mundshme të vazhdohej loja. Por, kur Mitroviqi deshi ta largojë “korpus deliktin” ai u sulmua brutalisht nga dy lojtarë shqiptarë. Ajo çfarë pasoi do të mund të përshkruhej me eufemizma si një rrahje reale në kafehane: huliganë serbë u vërsulën mbi bar, njëri qëlloi me një karrige prej plastike mbi kokën e një lojtari shqiptar. Ekipi i Shqipërisë braktisi fushën në panik, me ç’rast lojtarët u sulmuan nga persona të tjerë të dhunshëm. Skena të neveritshme, që nuk mund të arsyetohen – të shkaktuara nga ekspozimi i nacionalizmit agresiv shqiptar dhe sjellja e dy lojtarëve shqiptarë në fushë. Në vijim në disa qytete në Europën Juglindore ndodhën trazira, për shembull në qytetin e Mitrovicës të ndarë mes shqiptarëve dhe serbëve. Edhe në Vjenë, në kryeqytetin e Ballkanit, një numër i madh policësh u detyrua t’i pengojë përleshjet mes shqiptarëve dhe serbëve në distriktin e 16-të.
Menjëherë pas ndërprerjes së ndeshjes ky incident edhe ashtu i çuditshëm mori me vete edhe një akuzë të habitshme. Kanali televiziv serb RTS raportoi duke iu referuar policisë se njeriu që e kishte drejtuar fluturaken nga lozha e stadiumit të Partizanit ishte Olsi Rama – vëllai i kryeministrit shqiptar. Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq theksoi se bëhej fjalë për një “provokim politik të përgatitur paraprakisht”. Pyetja më e rëndësishme, sipas tij, tani është se si “do të reagojnë BE dhe UEFA, sepse nëse dikush nga Serbia do ta kishte shpalosur në Tiranë apo në Prishtinë flamurin e Serbisë së Madhe, atëherë kjo menjëherë do të gjendej në rendin e ditës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
Olsi Rama, i cili sipas raporteve të medieve serbe u lirua pasi u mor shkurt në pyetje, pas kthimit në Tiranë e mohoi me këmbëngulje se e ka drejtuar fluturaken. Për raportet shqiptaro-serbe do të ishte mirë që përgënjeshtrimi i tij të dëshmohet. Javën që vjen në Beograd pritet të shkojë Edi Rama në një vizitë historike, e para e një kryeministri shqiptar pas gati shtatë dekadash. Pas lojës Rama shkroi në Twitter se është “krenar” me ekipin kombëtar. Se nga buron krenaria e kryeministrit ndoshta ai do të mund ta shpjegojë në Beograd.

Leave a Reply

Back to top button