Shkence

Dilemat e shkencës: A duhet ta bëjmë çdo njeri “normal”?

Frank Swain

Imagjinoni një pilulë ose terapi të aftë për të rikrijuar qarkun tuaj nervor në mënyrë që t’ju bëjë më të ndjeshëm: një që zvogëlon agresivitetin dhe rrit tej mase aftësinë tuaj për arsyetim moral dhe prirjen për të falur. A nuk do të ishte bota një vend më i mirë, po të ishim të gjithë të inkurajuar ta kishim këtë aftësi? Në fakt, nëse lumturia njerëzore qëndron në anën tjetër të një tableti, pse të mos përqafosh utopinë dhe ta rekomandosh me forcë?

Një skenar i tillë mund të mos jetë aq larg sa mendoni. Teknologjitë për të lexuar dhe manipuluar modelet e mendimit po rriten. Projekti Neuralink i Elon Musk po përpiqet të krijojë komunikim të drejtpërdrejtë midis trurit dhe kompjuterëve, ndërsa Kernel, një kompani në Kaliforni, ka investuar 100 milionë dollarë për të zhvilluar implantet e trurit të inteligjencës artificiale. Shok-ët elektrikë të përcjellë në tru janë zbuluar se luftojnë depresionin, dhe kimikate të caktuara mund të na ndihmojnë të marrim më shumë vendime morale.

Por, edhe nëse zbatimi i konformitetit shoqëror nëpërmjet mjeteve teknologjike ose farmakologjike mund të ishte i realizueshëm në praktikë, a do të ishte gjëja e drejtë për t’u bërë? Apo njerëzit kanë një të drejtë të patjetërsueshme për të qenë vetja, me kusht që ata të mos jenë rrezik i menjëhershëm për veten apo për të tjerët?

“Kjo është një temë për të cilën duhet të flasim më shumë tani,” thotë Chris Danforth, bashkë-drejtor i Laboratorit të Historisë Kompjuterike në Universitetin e Vermontit. Të lejosh që shumica e popullsisë të ribëjnë atë që janë, në interesa të sigurisë së tyre mund të duket se është më e mira për numrin më të madh të njerëzve, por hap dyert për disa mundësi të tmerrshme. Historikisht, ata që sfiduan status quo-n panë që motivimet e tyre u përkthyen në devijime mendore – siç janë gratë viktoriane të mbyllura në azil për rebelim kundër shoqërisë patriarkale, ose meshkujt homoseksualë si Alan Turing, të cilëve iu dha “zgjedhja” e kastrimit kimik.

“Të jesh normal është një koncept i rrezikshëm”, thotë Mark Slater, një psikiatër dhe zëdhënës i Kolegjit Mbretëror të Psikiatërve në Londër. “Si mund ta vlerësojmë lumturinë apo kënaqësinë, ose një tension të caktuar të gjakut, si normale?” Jo vetëm që “normaliteti” është një koncept iluzor, por koncepti ynë për të është gjithnjë në ndryshim. Nëse do të fillonim të optimizonim njerëzit për cilësitë që do të dëshironim të shihnim në shoqëri, kush do i zgjedhë se cilat janë këto cilësi? Ndoshta konformizmi nuk është aq i mirë për shoqërinë sa mendojmë.

Në vitin 2015, psikologu Jesse Harrington në Universitetin e Merilendit botoi një studim që tregonte se shoqëritë shumë kufizuese shkojnë më keq në matjet e lumturisë së përgjithshme, shkallën e depresionit dhe vetëvrasjeve, sesa ato të moderuara – por pastaj, kështu dilnin edhe kultura shumë tolerante. Kur është fjala se sa anormalitet, mbase do të ishte më mirë të kishim “sasinë normale” të tij. / New Scientist – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button