HistoriMAIN

Dinastia Rameside: Një epokë e artë në Egjiptin e Lashtë

Përgjatë historisë së tij shumë të gjatë, fati i Egjiptit të lashtë është vendosur gjithnjë nga dinastitë e mëdha sunduese. Një shtet dhe perandori e fuqishme ka nevojë për një sundimtar po aq të fuqishëm. Dhe që nga bashkimi i Egjiptit të Poshtëm dhe atij të Sipërm dhe themelimi i Dinastisë së Parë rreth vitit 3000 Para Krishtit, kjo perandori e lashtë ka pasur zakonisht një lider të fortë në krye të saj.

Kur kjo gjë nuk ndodhte, ajo zhytej në kaos dhe ishte shumë e brishtë. Praktika e dinastive të fuqishme vazhdoi për mijëra vjet. Një nga dinastitë më të fuqishme që bie në sy në historinë e Egjiptit është Dinastia XIX-të, e njohur edhe si Dinastia Rameside. Po cilët ishin faraonët më të mëdhenj të kësaj epoke? Dhe çfarë i bëri ata kaq të veçantë?

Bashkimi i Egjiptit të Sipërm dhe atij të Poshtëm, ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e lashtë. Ajo arritje diplomatike dhe ushtarake i atribuohet përgjithësisht Faraonit Narmer dhe daton rreth vitit 3100 Para Krishtit, një kohë vërtet e hershme sa i përket formimit të qytetërimeve më të vjetra në botë.

Nëpërmjet atij bashkimi, Narmer themeloi Dinastinë e Parë të Egjiptit dhe filloi diçka që do të ndikonte tek fillimet e botës së qytetëruar. Përgjithësisht pranohet se Egjipti është sunduar nga 34 dinasti të tilla, derisa u pushtua dhe u bë pjesë fillimisht e Perandorisë Romake dhe më vonë e pushtuesve të tjerë.

Disa ishin të mira, të tjera ishin të shkëlqyera, dhe të tjerët ishin thjesht më të këqij. Dhe çdo dinasti prodhoi disa faraonë vërtet legjendarë. Një dinasti që la shumë gjurmë në historinë e Egjiptit ishte Dinastia XVIII-të. Në atë kohë Egjipti arriti kulmin e fuqisë dhe dominimit të tij në rajon.

Ai mbajti armiqtë larg dhe e zgjeroi shumë ndikimin e tij. Sundimi i kësaj dinastie filloi rreth vitit 1550 Para Erës Sonë dhe përfundoi në vitin 1292 Para Erës Sonë. Por pse përfundoi një periudhë kaq e fuqishme? Thuhet shpesh se epokat e mira dhe të begata  prodhojnë sundimtarë gjithnjë e më të këqij.

E vërteta është se në atë periudhë u ngjit në pushtet faraoni Akhenaten, një udhëheqës i fuqishëm, por i çuditshëm, i cili u përpoq të reformonte tërësisht fenë e vjetër të kombit të tij.

Akhenateni imponoi adhurimin e Diellit, duke nxitur shumë zemërimin e njerëzve. Egjipti u përça, u përfshi në trazira të brendshme dhe u dobësua.

Populli nuk ishte gati për ndryshime aq të mëdha. Kur Akhenaten vdiq, trashëgimtari dhe pasardhësi i tij, Tutankhamun, u përpoq të zhbënte ndryshimet rrënjësore të babait të tij.

Por ai ishte një fëmijë shëndetlig për shkak martesave të shumta brenda fisit, ndaj dhe mbretërimi i tij ishte relativisht i shkurtër.

Duke pasur asnjë fëmijë për t’ia lënë trashëgim fronin, Tutankhamun u pasua nga këshilltari i tij i ngushtë Keperkheperure Ay. Ai kishte plane të mëdha për të vazhduar Dinastinë XVIII.Por vdiq pas vetëm 4 vite sundim, dhe në vend të tij u ngjit një burrë pa asnjë lidhje me dinastinë mbretërore të mëparshme.

Horemheb e mori kurorën përmes martesës. Gruaja e tij ishte një nga vajzat e Ay. Ky faraon shkëlqeu në rolin e tij. Ai bashkoi një shtet të përçarë, e stabilizoi atë dhe nisi një fushatë për fshirjen e gjurmëve të paraardhësve të tij. Ai shkatërroi tempujt dhe statujat e Akhenaten, ripërdori monumentet e Ay dhe Tutankhamun, dhe fshiu ngadalë kujtesën e reformave të tyre fetare.

Horemheb mbretëroi për 14 vite dhe të gjithë menduan se Dinastia XVIII do të vazhdonte pas tij. Por kjo gjë nuk ndodhi. Faraoni nuk la pas djem, dhe në vend të tij emëroi aleatin dhe zëvendësimin e tij, Paramesin. Ashtu si Horemheb, Paramesi nuk ishte me origjinë mbretërore.

Gjithsesi familja e tij ishte shumë e njohur për kohën, dhe nga vezir ai u bë faraon. Me ngjitjen në fron, i vuri vetes një emër mbretëror:Menpehtir Rameses I, ose Ramsesi I. Dhe me të filloi Dinastia XIX e famshme e Ramesidëve. Me Ramsesin I, filloi një periudhë e re e historisë së lashtë egjiptiane.

Ramsesi ishte tashmë i moshuar kur u bë faraon, dhe kishte një djalë dhe një nip. Mbretërimi i tij ishte i shkurtër. Zgjati vetëm një ose dy vjet, para se të vdiste. Ai u pasua nga djali i tij, Seti, që mori emrin Menmaatre Seti I. Edhe atij, iu desh të korrigjonte pasojat e këqija të mbretërimit të diskutueshëm të Akhenatenit.

Por pati shumë sukses në këtë aspekt dhe mbretëroi për rreth 15 vjet si një mbret i fuqishëm dhe dominues. E konsolidoi perandorinë dhe u fokusua në rikonfirmimin e ndikimit mbi Sirinë dhe Kanaanin, dy rajone që ishin vazhdimisht në presionin e Perandorisë Hitete fqinje, një nga armiqtë tradicionalë të Egjiptit.

Për shkak të kësaj, Seti I kreu disa fushata të mëdha ushtarake kundër hititëve në veri. Shumica e betejave përfunduan me fitoren e Egjiptit. Megjithatë ai nuk ia doli të thyente fuqinë e Perandorisë së madhe Hitite. Gjithsesi arriti të ripushtojë shumicën e territoreve që u prekën nga lufta, dhe e rikonfirmoi dominimin e Egjiptit në rajon.

Seti vdiq në 1279 Para Krishtit dhe u varros në një varr luksoz në Luginën e Mbretërve. Por e gjithë madhështia dhe fuqia e tij do të mbetej në hije nga djali dhe trashëgimtari i tij, RamsesiII, i cili do të bëhej një faraon edhe më i mirë se I ati. Duke mbajtur emrin e gjyshit të tij, Ramses II fitoi epitetin “I Madh” dhe konsiderohet si faraoni më i famshëm dhe më i fuqishëm i periudhës së Mbretërisë së Re, e cila është epoka e artë e Egjiptit të lashtë.

Pjesa e parë e sundimit të tij iu kushtua ndërtimit të tempujve, monumenteve, madje edhe qyteteve të reja mbresëlënëse për kohën Ai ndërtoi Pi-Ramesses, kryeqytetin e tij të ri që shtrihej në deltën e Nilit, nga i cili do të kryente fushatat e tij të reja ushtarake. Dhe punimet u kryen shumë shpejt, pasi Ramsesi II synonte të ripushtonte territoret që tashmëkontrolloheshin nga hititët, nubianët dhe fiset libiane.

Ai depërtoi thellë në Nubi, Siri dhe Kanaan, duke i shkatërruar armiqtë e tij dhe duke i mbajtur kufijtë e Egjiptit të sigurta nga kërcënimet e Popujve të Detit. Kudo që lindnin kërcënime, Ramsesi i Madh i përballoi ato me efikasitet dhe vendosmëri. Fuqia e ushtrisë së Egjiptit të lashtë arriti kulmin pikërisht gjatë mbretërimit të Ramsesit II.

Ajo numëronte rreth 100.000 burra, që shifër e jashtëzakonshme për një epokë kaq të lashtë. Dhe ishte ai numër kaq i madh që i mbajti armiqtë larg dhe e forcoi ndikimin e Egjiptit. Ramsesi i Madh mbretëroi për shumë kohë, dhe vdiq diku në vitin e 90-të apo të 91-të të jetës së tij.

Ai u pasua nga djali i tij i 13-të, Mernepta. Mbretërimi i tij ishte mjaft i qetë kur krahasohej me babanë ose gjyshin e tij, dhe zgjati jo më shumë se 10 vjet. Me vdekjen e tij, nisi një rënie graduale e fuqisë dhe madhështisë së Dinastisë XIX Rameside.

Marrë me shkurtime nga Ancient Origins – Bota.al

Back to top button