Sport

DRAZHEN PETROVIÇ / Nga Kamenko tek Mozarti

Biografia e Drazhen Petroviçit, ikonë e paharruar e basketbollit jugosllav (kroat) dhe europian. Një sport që nuk do të kthehet më kurrë…

drazen-petrovic

Nuk është e vështirë të shkruash diçka origjinale për një legjendë; nëqoftëse personazhi në fjalë është (me të drejtë) i jashtëzakonshëm, atëhere kjo përpjekje bëhet deri “banale”. Drazhen Petroviç Mikulandra e ka tejkaluar statusin e sportistit të madh për t’u bërë një ikonë popullore, fatkeqësisht në mënyrën më të dhimbshme dhe më absurde. Kështu, nga ajo pasdite me shi e 17 viteve më parë në Gjermani, është transformuar në një lloj monoliti teozofik. Objektiv i kësaj biografie është që t’i ndriçojë meritat më pak banale dhe kontradiktat më të fshehura.
“Kam lindur pëer basketbollin. Dëshira ime është gjithmonë ajo që të jem më i miri dhe për t’u bërë i tillë jam i gatshëm për gjithçka”. Në Shibenikë, në rrugën Petra Preradovida, Drazheni u rrit me bukë dhe basketboll: ishte meritë e një familjeje të apasionuar, e babait Jole dhe e vëllait Aza, që ai fëmijë kaçurrels filloi shumë shpejt më praktikën e basketbollit. Një legjendë metropolitane që do venitej menjëherë. Petroviçi nuk lindi me dhuntinë e Zotave: njëlloj si Fausti, e fitoi një kontratë të përjetshme me disiplinën dhe punën. Domethënë nuk qe një Çosiç apo një Delibashiç, talente të pastër, por e kultivoi artin e tij me një mizori dhe përkushtim të pakrahasueshme. Nga ana tjetër, një keqformim në shtyllën kurrizore e detyroi gjatë fëmijërisë që të shtrihej nëpër shtretër ortdopedikë: ecja e famshme, si prej pistolieri, ishte pasoja estetike e atij problemi, që pati ndikime edhe në spostimet anësore gjatë mbrojtjes në basketboll.
Në fillim mekanika e gjuajtjes, që u bë shenja dalluese e katapultuesit kroat, ishte mediokre dhe plot me gabime; siç e tregonte edhe nofka e parë që i ishte ngjitur vogëlushit Petroviç, domethënë kamenko (gurëpunues!). Megjithatë, Drazheni i papërvojë, e shndërroi në ritual makthin e tij me 1000 gjuajtje në palestrën e klubit, në orën 6 të mëngjesit përpara fillimit të shkollës. Pothuajse 2 orë zhytje vetmitare me mbajtje topi, ndalim dhe gjuajtje. Në moshën 15 vjeçare, mu në kulm të një rritjeje teknike dhe fizike të pandalshme, hyri për të qenë pjesë e ekipit të parë: filloi në këtë mënyrë, pa u ndjerë fare, epoka e “Djallit nga Shibeniku”. I drejtuar nga veprimete një enfant prodige të “çartur”, Shibeniku arriti në dy finale radhazi të Kupës Koraç (të humbura të dyja përballë Limozhit) dhe në iluzionin e një titulli kombëtar të bujshëm. I vulosur në parket nga 2 gjuajtje të lira të fenomenit 18 vjeçar, por më pas i anulluar pas reklamimit shumë të drejtë të Bosnjes së Sarajevës: rrjeta e këtij takmi qe praktikisht e padenjë për një ndeshje…
Epoka e kukkozia-s
Stërvitja prej maniaku, mekanike, e djaloshit të përkëdhelur nga babai Jovan (funksionar i Milicisë) e shndërroi në një anësor të plotë e shumë modern. 1 metër e 97 centimetra, dinamizëm i shkëlqyer, bagazhin teknik të një ballori (por jo mentalitetin) dhe koracën e një fundori; i lëkundshëm në duelet një me një, i pakapshëm në hapësirat e shkurtëra. Dhe me aftësia luçiferiane për të zgjedhur, në një fraksion të sekondës, nëse të gjuajë apo t’u pasojë shokëve, ia shumëfishon rrezikshmërinë. Një kampion i madh sasior, mitralues, që kryesoi një kombëtare tranzicioni drejt bronzit olimpik të Los Anxhelosit 1984.
Ajo verë u bë themelore për basketbollin pasi u verifikuan dy fakte vendimtare: Drazheni vendosi të bashkohet me Azan tek Cibona dhe Boris Stankoviç ndryshoi historinë e lojës europiane, ndoshta botërore. Deus ex machina i FIBA-s “zhdoganoi” treshen e butë nga 6 metra e 25 centimetra, duke modifikuar dinamikat e basketbollit të njohur deri në atë moment. Favorizoi në mënyrë të padiskutueshme të tijët, sllavët, që i përkisnin një shkolle më balistike dhe më pak të arsyetuar, duke penalizuar të tjerët.
Kur vlerësohet eurobasketbolli nga viti i Oruellit e këtej, harrohet shpesh puçi i Stankoviçit. Lëvizja që revolucionarizoi statistikisht lojën (një 33 përqindësh nga harku vlen sa 50 dyshe të thata) dhe që barazoi distancën për një turne rinor dhe gjysëmfinales të një Botërori: një nonsens i urryer, i përtypur dhe i asimiluar me hir e me pahir nga breza të apasionuarish. Sepse gjuajtja injorante nga 7 metra në galerinë e aborteve basketbollistike vlen një zhytje e kryer në pjesën e katërt: gjithsesi kemi të bëjmë me antibasketbollin ndaj fuqisë së radhës. Fati i mirë në rritjen e lëvizjes “jugo” në vitet Tetëdhjetë erdhi edhe nga ky rregull, pse jo dhe nga paradoksi i mos-zotërimit të një tendence taktike të certifikuar.
Në Zagreb rilindja i çertifikua nga inteligjenca e Mirko Novoselit, që ua përshtati në perfeksion kursin e ri mosketierëve të tij. Një basketboll i thjeshtë dhe me efikasitet të madh, që shfrytëzoi qëndrueshmërië e Knegos, Cvjetiçaninit, Nakiçit, agonizmin e Arapoviçit dhe lidershipin absolut të vëllezërve Petroviç. Cikli, që filloi me kampionatin kombëtar të vitit 1984, u bë legjendar me ardhjen e Mozartit të koshave: një titull tjetër i Kategorisë së Parë, tri Kupa të Jugosllavisë, dy Kupa Kampionesh dhe një Kupë Kupash.
Njeriu i duhur në vendin e duhur, i tmerrshëm në disa fragmente, u bë sinonim i “mizorisë zagrebase”: shfaqja më e paharrueshme qe ndoshta ajo kundër Limozhit në vitin 1986, kur shënoi 10 trepikësha për një rezultat final prej 51 pikësh dhe 10 asistesh. Papritmas, gjatë pjesës së parë, Drazheni e pa koshin të madh sa një vaskë banjoje: në një jerm total, realizoi një seri prej 7 trepikëshash radhazi.
Me kalimin e viteve janë harruar karakteristikat mjedisore që i favorizuan këto suksese; triumfi politik i Sekretarit të FIBA-s pati në fakt pasoja evidente edhe në menaxhimin burokratik të “të hirtëve”. Rezultati i finales së Kupës së Kampioneve 1985 u përcaktua nga tri faktorë: 36 pikët e Djallit nga Shibeniku; Novoseli që e futi taktikisht “në xhep” Lolo Sainzin, Mynihu. Përpara ndeshjes, duke nuhatur erën kundra, Real Madridi tentoi që të shpëtojë duke propozuar organizimin e Kupës Ndërkontinentale. Në Athinë një prej arbitrave ishte francezi Mainini, bashkëkombas i Presidentit të FIBA-s, Busnel: manovra klasike e Stankoviçit që e influencoi rëndshëm metrin arbitrues. Martin, qendra e të bardhëve iberikë, dhe Korbolani, lideri maksimo madridas, patën të njëjtat probleme me personalet.
Metoda u përsërit, në mënyrë të pagabueshme, edhe vitin e ardhshëm kundër Zhalgirisit të Kaunasit. Pjesa e parë qe një kryevepër që errësoi ndërmarrjet e mëdha federale (e kujtoni miun e Strasburgut 1981 në dëm të Virtus Bologna?). Në pjesën e parë sovjetikët u çmontuan nga 16 personale që prodhuan 20 gjuajtje të lira të mira, përplasja me trajtimin e rezervuar qe e dukshme (8 faulle kroate dhe 5 “shëtitje” nga vija e bamirësisë për lituanët). Arvidas Sabonis, që kur arriti të luajë u demonstrua i paarritshëm (27 pikë dhe 14 ribaunde), qëndroi në parket pothuajse 24 minuta përpara se të përjashtohej nga loja në pjesën e dytë.
Europa e Kuriliçit
Dominimi i tij nganjëherë u bë i urryer, pothuajse sa aeroplanët e vegjël të bëra nga i vëllai pas gjuajtjeve nga largësia; në kampionat arriti që të shënojë 112 pikë (40 nga 60 në gjuajtje, plus 22 gjuajtje të lira) në një shou pasdite. E kuptoi se për të përparuar në mënyrë konstante, duke e shfrytëzuar famën, hapi i mëpasëm do të ishte zbarkimi në një realitet më pak sipërfaqësor. Pavarësisht kundërshtive të kaluara, zgjodhi Real Madridin: ishte viti 1988 dhe nënshkroi një kontratë shumë të majme, 4 vjet me nga 1 milion e 200 mijë dollarë, plus një Porsche 959 me radiotelefon të inkorporuar, një ekskluzive me firmën sportive Reebok dhe një tjetër me atë të cigareve Winston. Pavarësisht nivelit të jetesës prej Mbreti, Drazheni vazhdoi me stërvitjen e fortë ditë pas dite; zuri një banesë në krah të Ciudad Deportiva dhe vazhdoi që të nxihet nën dritën artificiale të palestrës…
Edhe në “camiseta blanca” qëndrimet provokuese, të antipatisë së rrallë, nuk munguan kurrë. Pallati i sportit athinas Paqe dhe Miqësi, Real Madrid – Juve Caserta (finalja e Kupës së Kupave 1989) qe kuadri i përkryer, i ekzagjeruar, i shkëlqimit të Drazhenit dhe i atij basketbolli. Një ndeshje e papërsëritshme për nga pathosi dhe çmenduria (117 – 113 pas një kohe shtesë) me një Mozart sublim prek 62 pikësh, 12 nga 14 në gjuajtjet 2 pikëshe, 8 nga 16 për gjuajtjet nga 3 pikë, 14 nga 15 në gjuajtjet e lira dhe 5 asiste. “Garipat” e Klaudio Marçeletit, më të lehtë dhe të privuar nga një stol i besueshëm, shpalosën një performancë të bujshme duke i mundur në ribaunde spanjollët (42 – 29), me Nando Xhentilen (34 pikë dhe 10 karambola) dhe brazilianin Oskar (44 pikë) në mburojë.

Siç të donte të demonstrohej, edhe kjo shenjë kontestimi pësoi efektet e sindromës së Borisit: vunë të arbitrojnë Kuriliçin, një mik i Drazhenit (!), dhe rezultoi vendimtar… “Mos vallë do që të bësh të fitojnë italianët?”, i ulëriu Petroviçi bashkëkombasit. Në finalen e kohës së rregullt, Rigas fishkëlleu një faull ndaj Xhentiles në kohën tashmë të përfunduar që do të kishte dekretuar të papriturën kazertane; por i hirti jugosllav ndërhyri dhe e anulloi. Komentet e pasndeshjes zmadhuan shkëlqimin e 45 minutave, duke nënvizuar pisllëqet e arbitrimit (“Diario 16” shkroi “Arbitros favoriericon al Real Madrid en momento claves del encuentro”) dhe bipolaritetin diabolik të asit kroat. Që bëri të pamundurën duke arritur një vend të pamposhtshëm në kuadrin europian, të paktën sa 61 pikët e Elxhin Bejlorit në finalet e NBA-së, dhe duke shpalosur një edukatë të keqe (fyerje ndaj lojtarëve, tifozëve dhe drejtuesve kundërshtarë) po aq të pabarazueshëm.
Një sezon të vetëm në ACB dhe arrati në NBA drejt tokës së premtuar: pavarësisht skepticizmit, pas impaktit të parë shumë të fortë, pati sukses edhe në atë Sternville. Të paktën 7 vjet përpara ekspansionit total që do t’i dobësonte talentin e përgjithshëm, por do ia rriste arkëtimet milionëshe.
Të dy astronautët që kolonizuan Diellin e të gjithë sistemit të basketbollit qenë anësorët, të cilët një vit më parë në Seul diskutuan arin olimpik që i dha fund diktaturës amerikane. Nëqoftëse Petro u gjend në një armatë për unazë në Portland, element i katërt apo i pestë në një skuadër të pamundur (Clyde Drexler, Terry Porter, Danny Ainge, etc.), Sarunas Marçulonis bëri mrekullira në nellieball-in më të bukur të të gjitha kohërave. Duke ndarë minuta dhe përgjegjësi me lojtarë të kalibrit të Chris Mullin, Mitch Richmond, Tim Hardaway, Latrell Sprewell, Tarzani lituan shfaqi një përshtatshmëri më të lartë se ajo e basketbollistit nga Shibeniku. Kurse Petroviçit, pavarësisht një NBA Finals si lojtar stoli, ju desh që të priste momentin e duhur; ama asnjë lojtar europian, përpara dhe pas tij, nuk gëzoi vendosmërinë dhe etikën e Mozartit të koshave. U deshën egoja e tij e çfrenuar për të duruar sakrificën e asaj periudhe. Në një mjedis mosbesues, tejet konkurues, i pamëshirshëm ndaj një ruli 25 vjeçar të huaj. Në vitin 1990 erdhi mundësia e New Jersey dhe Drazheni nuk e la që t’i shpëtonte nga dora: dora dorës filloi të fitojë hapësirë dhe besim në brendësi të një kombinimi që hyri në histori, atij të quajtur Turmoil Team.
Merrni hapin e parë prej gepardi të njujorkezit Kenny Anderson, i ndodhur nga ana e gabuar e tunelit, i rrethuar nga tufa kushërinjsh dhe shokësh. Ngathtësinë frikësuese të Chris Morris, potencialisht (në 5 minuta të mira) një rrufe e Zotit, e pranueshme vetëm në atë ligë. Një ballor – fundor me duart alla Pearl Monroe dhe krahët alla Reed që i mundësonin një atletizëm të paparë. I njëjti që, duke u transformuar në Mister Hyde, bëri të pamundur çdo ëndërr prej konkuruesi të Nets-ave; i shtojmë sallatës së përzier Club des Hashishins të Benoit Benjamin dhe Dwayne Schintzius.
Së fundi kreu i tribusë, Derrick Coleman, Geronimo apash haluçinant: talenti më i madh i të gjatëve në 30 vitet e fundit, një katërsh me masën vëllimetrike dhe fizicitetin në kërcim dhe në mbrojtje të një pese. Anësor i gjatë i pajisur në nisje nga mbajtja e topit dhe zhdërvjelltësia e një treshi, dorë e puthur nga Shpirti i Shenjtë për të gjetur dhe kaluar fryrjen. Jo i qeverisshëm nga pikëpamja karakteriale, një mutant anarkoid që e hodhi në erë stolin duke e katandisur në një barcaletë shëtitëse. Asnjëherë i parë në formë, gjithmonë tentues ndaj trashaluqësisë, një herë (në parasezon) iu paraqit drejtuesit të përgjithshëm Willis Reed me një libërth çeqesh të nënshkruara: i shpjegoi ish qendrës së New York Knicks të skandalizuar se kishte planifikuar një seri mungesash nga stërvitja… Dhe ju kursejmë hollësitë e një denoncimi pse kish urinuar në lulet e një hoteli tejet luksoz dhe historira të tjera prej princi të gjeneratës X.
Në këtë shtëpi korrektimi Petroja përfaqësoi oksigjenin e pastër për trajnerët. Me Bill Fitch fillimisht dhe Chuck Daly më pas u bë një specialist sulmues vdekjeprurës.

Duke manovruar midis bllokimeve apo duke kërkuar një gjuajtje nga mbajtja e topit, gjithnjë e më shumë cilësor dhe thelbësor në aksion. Përdorimi magjistral i këmbës mbajtëse, shumë i rafinuar, ia zgjeronte në mënyrë të mahnitshme arsenalin e zjarrit. Karikime dhe ekzekutime shumë të shpejta dhe të pakapshme, shpërthimi kompakt dhe fatal. Pa pasur më detyrimin që të monopolizojë skenën, e interpretonte në maksimum ndeshjen dhe leximin e saj.
Duke i lënë të kalojnë shakatë e natyrës (Michael Jordan, Clyde Drexler e Mitch Richmond) u fut sëbashku me Joe Dumars e Steve Smith në ekselencën e “mitralierëve”. Domethënë dora e ngrohtë që kalërohet nga luajtësi i topit për të festuar një “vrasje ndeshjeje” të përkohshme; Drazheni më mirë se një Reggie Miller apo një Dale Ellis, më pak të aftë në krijimin vetë të zonës jetike (me hapin tërheqës prapa) për konkluzionin. Një shembull të jashtëzakonshëm e dha një mbrëmje janari të vitit 1993, kur kundër Houston Rockets shpërtheu dhe shënoi 44 pikë: ishte një Petro dhjetë herë më i fortë se ai që admironim në kupat kontinentale, më i pjekur dhe kirurgjik. Në vitin 1993, pavarësisht grumbullimit të munguar në All Star Game, u vlerësua me pesëshen e tretë absolute: natyrisht, qe europiani i parë që e fitoi një nderim të tillë dhe ajo përfshirje (më vonë) na tregon respektin e siguruar në Shtetet e Bashkuara.
Përshëndetja e Ivanisheviçit
Drazhen nuk deshi të mungojë asnjëherë nga ndeshjet e kombëtares së TIJ kroate, bile pati edhe fatin që të drejtojë Jugosllavinë më të fundit në Botërorin përpara lufte: një skuadër e madhe që paraqiti pionierin nga Shibeniku dhe valën e re të Vlade Divacit, Toni Kukoçit, Zharko Paspaljit, Arian Komazecit. Qe një ndër të paktit që i rezistoi përplasjes në Barcelona 1992 me Dream Team. Gjithashtu, pas sezonit në NBA, nuk refuzoi as një ndeshje të bardhekuqëve kundër Sllovenisë në Poloni.
Me 7 qershor të vitit 1993 flinte i lumtur kur në Denkendorf të Gjermanisë Wolkswagen Golf i kuq i errët, i drejtuar nga e fejuara Klara Szalantzy, u përplas kundër një kamioni. Në orën 17 e 20 minuta të një dite me shi dhe mjegull, Drazhen Petroviçi shkoi përtej. Për goxha kohë, duke e injoruar realitetin, e kemi kërkuar në listat e NBA-së; gjest sigurisht më pak absurd dhe i pakuptueshëm sesa të vdesësh pa mbushur akoma të 29-at. Të gjitha rievokimet e para dhe lexuara në këto vite na duken guaska boshe: sepse ikona alla Marilyn Monroe (epizmi i të vdekurit të rinj dhe shumë të bukur) nuk i jep drejtësi dhimbjes së pafundme të nënës Biserka.
Funerali i Drazhenit qe ceremonia e një populli të tërë. Willis Reed dhe Chris Morris, përfaqësuesit e Nets-ave, e kuptuan statusin e Petroviçit në atdhe vetëm duke parë dhimbjen dhe pjesëmarrjen e turmës. Nga ana tjetër, kanë qenë shumë të pakët në historinë e sportit ata që kanë mishëruar shpirtin e një kombi: Tave Schur (ish çiklist i famshëm, shënimi im.) në Gjermaninë Lindore, Diego Maradona në Argjentinë… Në Kroaci, Drazheni qe një prej këtyre të zgjedhurve.
Parabola teknike e mundshme e Petros na ka bërë gjithmonë kureshtarë. Nuk e dimë nëse do të kishte arritur një rënie të parakohshme, alla Daniloviç, frut i punës së tepruar dhe i kilometrazhit të akumuluar. Kultivojmë idenë se, me përvojën, do ta kishte pëlqyer më shumë përgjegjësinë e ndërtimit të lojës. Domethënë, më pak Dalipagiç si fundor, më shumë Slavniç në rolin e playmaker-it.
Pati kontakte me Panathinaikos për t’u kthyer (triumfalisht) në Euroligë, i mërzitur në kulm me transfertat e pambarimta amerikane dhe të stolit jo të paraqitshëm të Retinave. Por mendojmë se sirenat e Pat Rileyt do ta kishin bindur të kalonte lumin Hudson, për të veshur uniformën e New York Knicks. Përmbysja e radhës e një karriere frenetike, qershia mbi tortë e një skuadre që me të (në shtojcë të Patrick Ewing, Charles Oakley, John Starks..) do të kishte skeletin e duhur për të paktën një paradë në Fifth Avenue.
Epilogu i përkryer i ndodhisë erdhi tetë vjet më vonë, në barin e virgjër të Wimbledon. Ishte një e hënë e mërzitshme, në një kohë që i respektonte akoma ritualet e shiut dhe thelbin e gjesteve të bardha.
Një finale e paharrueshme, me dy protagonistët që do ta kishin merituar fitoren pavarësisht asaj që ndodhi: australiani Pat Rafter, panda e fundit e shërbimit dhe e voleit krijues, dhe Goran Ivanisheviç, hamletian dhe iracional në tenisin e tij ekstrem. Në përfundim të një takimi që nuk mund të këshillohej për ata me zemër të dobët, fitoi mëngjërashi nga Spliti (6/3 3/6 6/3 2/6 9/7), që në diskutimin e tij gjatë ceremonisë së Kupës (siç ishte në temperamentin e tij gjenial) improvizoi një kujtim të shokut të tij. “… Edhe një gjë. 1993… Do të doja t’ia dedikoja këtë fitore një mikut tim. Në vitin 1993 ai vdiq në një aksident me makinë. Ishte lojtari më i mirë europian dhe luante në NBA. Quhej Drazhen Petrovic dhe kjo, është për ty (duke parë nga qielli)… Nëse më sheh, prehu në paqe dhe faleminderit shumë”.
Është e nevojshme të shtohet ndonjë gjë tjetër?
PERGATITI: ARMIN TIRANA
www.bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button