Nunc est Bibendum

Edhe njëherë për verën

 Në këto ditë fillimviti Nunc Est Bibendum i uron të gjithë miqve, verëtarë, tregtarë e ristoratorë, të  apasionuar e shijues, një Vit të mbarë e të begatë!

Ne vetë shpresojmë të shohim se verërat shqiptare që ia kanë dalë të dallohen në vitet e fundit, do të mbajnë e do të çojnë përpara standartet, për të cilat kanë mundur të veçohen nga të tjerat. Për Nunc Est Bibendum, përkushtimi dhe trasparenca (jo pak here jemi ndeshur me verëtarë që druajnë të flasin mbi sasitë e verës që kanë mundur të prodhojnë, apo mbi metodat e punën e tyre në përgjithësi) e prodhuesve mbeten thelbësore edhe këtë vit.

Verëtaria nuk është e vetmja fushë që përballet me sfida serioze në këtë vend, e pavarësisht se nuk zbulojmë ndonjë të fshetë po të themi se autoritetet kompetente pak ose asgjë bëjnë për t’u ardhur në ndihmë, verëtarëve e prodhuesve vendas, këta kalorës ‘’të vetmuar’’  duhet të bëjnë gjithsesi përpara në punën e artin e tyre.

Le të jetë “e thyeshmja” panoramë verëtare, të paktën për momentin që jetojmë, vetëm një vlerë e shtuar e asaj çfarë ka për të ofruar turizmi dhe enogastronomia e vendit, e nëqoftëse ndonjëherë verërat shqiptare do të jenë të mëdha, kjo do të varet nga përpjekje të mëdha që bëhen sot.

Shpresa tjetër është që për vitin e ardhshëm të shohim sa më pak … prodhime që mbajnë emertimin “rezervë”, e pretendojnë çmime të cilave vështirë se mund t’u kuptosh logjikën apo kriteret e vlerësimit, më pak prodhues që pretendojnë se verërat e tyre janë të pashoqe e nga më të mirat në botë, më shumë verëtarë që kuptojnë dhe pajtohen se të bërit e verës në mënyrë të shëndoshë e të sinqertë, edhe pse në sasi të kufizuara, është arritje, edhe pse ndoshta nuk shoqërohet menjëherë nga fitimi i ëndërruar.

E le të jenë këtë vit, veretarët, më të vendosur të adoptojne akoma edhe më shumë, kritere, që kanë kontribuar ndër shekuj në krijimin e verërave të mëdha.

Nga bota nuk vijnë vetëm shembuj të mirë e me keqardhje shohim përdorimin e papërgjegjshëm të ngjyruesve pseudonatyrorë, chips druri të djegur për të imituar efektin e vjetërimit në fuçi, apo siç biseduam me një prodhues të ri jo shumë kohë më parë, për ndërhyrje aspak “ortodokse” në verërat e tij, që kanë për qëllim garantimin e një vjetërimi  të parrezikuar … e kështu më  tej.

Verërat e mëdha e që emocionojnë vërtetë janë frut i një pune bujqësore thuajse të zhdukur tashmë e të një vinifikimi ku ndërhyet sa më pak. Përdorimi i përbërësve kimikë në vresht dhe i majave të seleksionuara në laborator janë shkaqet kryesore të standardizimit që po ndodh tashmë kudo.

E rezultati është që anembanë planetit ky standartizim po gjeneron verëra që përftohen përmes teknikash agronomike dhe enologjike që zhbëjnë gjurmën e varietetit të rrushit, ndikimin e territorit dhe personalitetin e prodhuesit. Këto verëra janë gjithnjë e më të ngjashme me njëra-tjetrën e të zbehura për nga karakteristikat organoleptike e që nuk janë të afta të sfidojnë rrjedhën e kohës. Përgjigjja e një grupimi verëtarësh nga vende të ndryshme ka qenë një nismë e një manifest. Sipas tyre, për të përftuar një verë të madhe, çdo prodhuesi i nevojiten 3 dhunti bazë, përmbledhur si më poshtë:

Të jetë një Bujk vreshtar i vërtetë

  • vetëm ai që kultivon vetë vreshtin mund t’ia dalë të vendosë marrëdhënien e duhur mes njeriut dhe hardhisë dhe të gëzojë një rrush të shëndoshë e të pjekur siç duhet, ekskluzivisht përmes ndërhyrjesh agronomike natyrore

 

Të jetë  Artizan

  • nevojiten metoda e aftësi “artizanale” për të zbatuar një cikël vreshtar dhe një proces enologjik që nuk modifikon strukturën e origjinës së varietetit e nuk alteron atë të verës.

 

T’i ngjajë një Artisti

  • vetëm sensibiliteti “artistik” i një prodhuesi që ka respekt për punën dhe idetë e tij, mund t’ia japë jetë një vere të madhe që ekzalton karakterin e territorit dhe të llojit të rrushit.

Nga këto konsiderata është nxjerrë dhe një dekalog, rregullat e së cilit udhëheqin prodhuesit që kanë aderuar në këtë nisëm.

Nunc est Bibendum do të jetë githmonë krah verëtarëve që kanë në mendje e vënë në jetë gjithë sa më lart. Duket sikur kërkojmë shumë prej tyre, përkundrazi duam vetëm t’i përkrahim por edhe t’i nxisim drejt verërave të vërteta, që “janë kondensim i një territori, i një kulture, i një stili jete”.

Andi Qinami

Leave a Reply

Back to top button