Shkence

EFEKTI / Kjo botë është shumë e vogël

small worldLidhjet në dukje rastësore që na bëjmë të themi se “bota është e vogël” mund të përdoren për të shpjeguar çdo gjë, që nga globalizimi deri tek përhapja epidemike e sëmundjeve

Robert Matthews

Në shkurt të vitit 2003, një akademik kinez mbërriti në Hong Kong, u rregjistrua në hotel dhe në mënyrë të paqëllimtë nisi të përhapë një virus vdekjeprurës në të gjithë botën. Ai kishte ardhur me avion nga jugu i Kinës, aty ku disa muaj më parë ishte zhvilluar një formë e çdutishme gripi. Brenda pak ditësh, ishte shtruar në spital me simptoma të ngjashme, por jo përpara se të infektonte dhjetëra njerëz të tjerë, të cilët më pas e përhapën virusin në Taivan, Singapor, Vietnam dhe Kanada. Deri në mesin e marsit, virusi i SARS-it kishte shkaktuar një alarm global për shëndetin – si dhe ishte shndërruar në shembullin më të freskët të atij që shkencëtarët e quajnë Efekti i Botës së Vogël.

Si fenomen social, është shumë i njohur. Kur flasim me një të huaj në një festë, ne zbulojmë se kemi një mik apo një koleg të përbashkët. Përgjigjemi me një buzëqeshje dhe themi: “Sa e vogël është bota!”, dhe e lëmë me aq, pa menduar më shumë. E megjithatë, bota nuk është aspak e vogël: me më shumë se 6.7 mil- iardë banorë, ajo është shumë, shumë e madhe. Në një farë mënyre, Efekti i Botës së Vogël shkakton një qark të shkurtër të të gjithë kësaj bote, duke na sjellë të gjithë ne në një afërsi mbresëlënëse me njëri-tjetrin. Në rastin e virusit SARS, pasojat ishin fatale.

Kuptimi i Efektit të Botës së Vogël është tashmë një objekt madhor studimi dhe kërkimesh në fusha të tilla si ekonomia, mjekësia dhe marketingu. Ndoshta habia më e madhe qëndron në faktin se shkencëtarëve u është dashur shumë kohë që ta marrin seriozisht këtë efekt. Sepse, ndërkohë që në grumbullime sociale është vërejtur prej shekujsh, vetëm në vitet pesëdhjetë shkencëtarët nisën të bëjnë kërkime në lidhje me rrënjët e tij.

Në Universitetin e Çikagos, matematicieni i shndërruar në profesor i shkencave sociale, Anatol Rapoport dhe kolegët e tij e nisën duke krijuar një shoqëri artificiale dhe duke e menduar atë si një “rrjet” individësh, ku secili prej tyre kishte lidhje të rastësishme me të tjerët. Disa lidhje ishin të shkurtra, duke lidhur njerëzit në komunitete “të ngushtë”, të tjera ishin relativisht të gjata.

Rapoport dhe kolegët e tij mbetën të intriguar tek zbuluan se natyra e rastësishme e lidhjeve bënte një dallim të madh me strukturën e shoqërisë së tyre artificiale. Nëse lidhjet bëheshin qoftë edhe pak më pak të rastësishme, shoqëria kishte tendencën të fragmentohej në komunitete të izoluar, pa asnjë lidhje me njerëzit, kudo ku këta ishin. Ishte një tregues i hershëm i rëndësisë së jashtëzakonshme të lidhjeve rastësore në shndërrimin e popullsisë gjigande të globit në një “botë të vogël”. Imagjinoni një shoqëri që përbëhet nga një milionë vetë, ku secili prej tyre ka lidhje me vetëm dhjetë vetë që jetojnë pranë. Nëse del një thashethem, do të duheshin dhjetëra mijëra hapa që ai të përhaphej në të gjithë shoqërinë, teksa vjen vërdallë nga një “klikë” në tjetrën.

Tani magjinoni të njëjtën shoqëri ku, sërish, të gjithë njohin dhjetë të tjerë, por këtë herë njohjet nuk janë pranë, por të përhapura në mënyrë rastësore në të gjithë shoqërinë. Thashethemi përhapet shumë më shpejtë, duke u shfaqur në mënyrë të rastësishme, kudo. Pas çdo ritregimi të tij, numri i njerëzve që vihen në dijeni të thashethemet rritet me një faktor 10 – fillimisht në 100 e më pas në 1000 e kështu me radhë. Vetëm pas gjashtë ritregimeve, çdokush do ta ketë dëgjuar thashethemin, falë këtyre lidhjeve të rastësishme.

Gjë që është në vetvete shumë mbresëlënëse, përveçse kur mendon se në botën reale nuk ndodh kështu. Ne kemi lidhje që nuk janë as totalisht të rastësishme dhe as komplet të kufizuara, por janë një përzierje e këtyre të dyjave. Atëherë, përse zbulojmë kaq shpesh që edhe ne vetë jetojmë në një “botë të vogël”?

Në vitin 1959, dy matematicienë hungarezë, Pol Erdës dhe Alfred Renji treguan se si vetëm disa lidhje të rastësishme mund të bënin një diferencë të madhe. Për shembull, në një turmë prej 100 njerëzish është e pamundur të krijosh lidhje ndërmjet pothuajse të gjithëve, duke krijuar thjeshtë lidhje të rastësishme mes disa dhjetëra njerëzve. Arritja e të njëjtit sistematicitet kërkon afro 4950 lidhje të tilla. Ndërkohë që Erdës dhe Renji treguan me formulën e tyre fuqinë e lidhjeve rastësore, u desh një eksperiment i mprehtë i realizuar në vitin 1967 për të vërtetuar se ne jetojmë vërtetë në një botë të vogël. Stenli Migram, një profesor sociologjie i ri në moshë në Universitetin e Harvardit dëshironte që të maste madhësinë tipike të rrjeteve tanë socialë – sa njerëz kemi ne si miq, apo miq të miqve e kështu me radhë. Për ta zbuluar, ai u postoi disa pako 100 njerëzve në Nebraskë dhe në Kansas, duke u kërkuar atyre që t’ia dërgonin një personi “target” në Masaçusets. Gjë që tingëllon goxha e thjeshtë, përveçse marrësve të pakos nuk u ish thënë se ku jetonte personi target, por vetëm emri, profesioni si dhe disa detaje të tjera personale. Milgram i kërkoi marrësve që t’ua postonin pakon kujtdo që njihnin duke u nisur nga emri (jo mbiemri) e që do të kishin një shans më të mirë për të dërguar pakon.

NXITIMI

Rezultati ishte befasues. Pakot mbërrinin tek target-i zakonisht pas pesë ripostimesh. Disa vite më vonë, Milgrami e përsëriti eksperimentin e tij dhe rezultatet ishin të ngjashëm. Me sa dukej, kushdo në SHBA mund të gjendej pas vetëm pesë ripostimesh. Pasojat ishin edhe më befasuese. Nëse vetëm pesë ripostime mjaftonin për të gjetur këdo në një shtet me më shumë se 200 milionë banorë, dukej se zakonisht njerëzit njihnin mirë 50 të tjerë për të postuar më tutje letrën. Dhe me secilin prej atyre 200 milionëve që njihnin 50 të tjerë, kjo nënkuptonte që vetëm një postim më shumë do të ishte i mjaftueshëm për të mbërritur në 10 miliardë njerëz – edhe më shumë se e gjithë popullsia e Tokës.

Zbulimet e Milgram u ripohuan nga studiuesit e Microsoftit, të cilët analizuan modelet e mesazheve të çastit që bënin xhiron e botës gjatë një muaji në vitin 2006 dhe zbuluan se secili prej nesh është i lidhur me këdo tjetër në këtë botë, prej jo më shumë se SHTATE NDERMJETESVE. Zbulimi i Milgram u shndërrua në një legjendë urbane, e madje i dha edhe emrin një drame, “Gjashtë Gradë Ndarje” të dramaturgut amerikan Xhon Guajër, në të cilën njëri prej personazheve thotë: “Çdokush në këtë planet është i ndarë nga vetëm gjashtë njerëz të tjerë. Gjashtë gradë ndarje. Eshtë një mendim i thellë”.

Ishte një mendim që u ngulit në mendjen e Dankën Uots, një student 25-vjeçar në Universitetin Kornell në Nju Jork. Në vitin 1995, ai po studionte matematikën e cicërimës së bulkthave, dhe kish hasur një problem: si ka mundësi që ata e gjejnë kaq shpejt ritmin? Mos secili prej tyre dëgjonte të tjerët, apo vetëm fqinjët më të afërt? Më pas, Uots kishte kujtuar se si dikur i ati i kish thënë se çdokush në këtë botë është vetëm gjashtë shtrëngime duarsh larg nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara. Uots nisi të vrasë mendjen nëse i njëjti fenomen mund të lidhej me shpejtësinë me të cilën bulkthat nisnin të cicëronin në unison.

Përdorimi i një legjende urbane për të zgjidhur një mister serioz biologjik nuk është diçka e zakonshme, për të thënë më të paktën, dhe Uots ishte shumë nervoz për faktin se i duhej t’ia thoshte idenë e tij këshilltarit të tezës, matematicienit Stiven Strogac. Megjithatë, Strogac mendoi se kjo ide ishte shumë intriguese dhe të dy nisën të bashkëpunojnë. Në qershor të vitit 1998, ata botuan një studim në të cilin përmblidhnin zbulimet e tyre në revistën prestigjoze NATURE – dhe në ndërkohë krijuan një shkencë krejt të re – Efekti i Botës së Vogël.

Për herë të parë, Uots dhe Strogac demonstruan fuqinë e disa lidhjeve rastësore për të shndërruar një botë gjigande në një botë shumë të vogël. Në fakt, një meritë për suksesin e tyre kishte edhe fakti që kompjuterat janë të kudogjendur. Ndryshe nga teoricienët e viteve pesëdhjetë, Uots dhe Strogac mund të përdornin fuqinë e kompjuterit për të krijuar simulime të botës së vërtetë, me komunitetet e saj të lidhur ngushtë si dhe me lidhjet rastësore.

Ata krijuan një shoqëri “artificiale” prej 1000 pikash, ku secila prej tyre ishte e lidhur me një klikë prej 10 “miqsh”. Ata zbuluan se secila klikë përbëhej nga vetëm fqinjët më të afërt, e më pas nevojiteshin qindra hapa për të shkuar nga njëra pikë në tjetrën. Por kur ata shkëpusnin vetëm një nga njëqind pika dhe i bënin këto rastësore, numri i hapave që kërkoheshin ra shumë, dhjetëfish – megjithatë shumica e klikave mbetën shumë mirë të lidhura.

Uots dhe Strogac kishin zbuluar më në fund se si një planet prej 6.7 miliardë njerëzish ngjan shpesh herë me një botë të vogël. Ndërkohë që shumica e miqve tanë mund t’i përkasin komunitetit tonë të vogël, takimet rastësorë na kanë dhënë disa që janë të përhapur shumë më gjerë. Dhe është ky grusht lidhjesh rastësore që krjon një qark të shkurtër dhe e shndërron globin në një botë të vogël.

Uots dhe Strogac zbuluan të njëjtin efekt që funksiononte në “shoqëritë” e tyre. Për shembull, duke përdorur një bazë të kompjuterizuar të dhënash për aktorë dhe filma ku ata kanë luajtur, ata treguan se Hollyewood-i është një tjetër botë e vogël. Mesatarisht, çdo aktor mund të lidhet me një tjetër përmes filmave duke përfshirë vetëm katër ndërmjetës.

Edhe një herë, lidhjet krijohen për shkak të aktorëve të kudondodhur si përshembull Rod Staiger, i cili ka punuar në një numër shumë të madh filmash. Amatorët e kinemasë kishin shfrytëzuar pa e ditur për shumë vite këtë gjë, duke luajtur të ashtuquajturën Lojë e Kevin Bejkën, në të cilën një aktor duhet të lidhet me një tjetër përmes një numri sa më të shkurtër filmash. Por kur e lidh një aktor me Rod Staigerin, gjërat lehtësohen shumë.

Studimi i botuar nga Uots dhe Staiger zgjoi shumë interes për gjetjen e shembujve të tjerë në jetën reale. Që nga sistemi nervor i krimbave deri tek rrjeti i kompjuterave që formojnë internetin, botët e vogla janë gjetur në forma të ndryshme.

Shpesh herë, pasojat janë tronditëse. Për shembull, Efekti i Botës së Vogël vazhdon të mbajë në punë internetin, pavarësisht faktit që afro 3 përqind e kompjuterave që shërbejnë si router-a për të, pësojnë difekt në cdo sekondë. Gjithë kjo, për shkak të pranisë së lidhjeve rastësore. Por ka edhe një anë të errët, gjë që mbi 100 milionë njerëz e zbuluan në vitin 2003 kur nyjat kyce të shumë rrjeteve të energjisë elektrike pësuan defekt për shkak të disa incidente në dukje të vegjël.

Kriza e sotme

Një efekt i ngjashëm po shfaqet shumë qartë në botën financiare, ku buznese që në dukje nuk janë të lidhur me shkakun rrënjësor të krizës janë duke vuajtur gjithashtu efektet. Korproata të mëdha e kanë parë vetveten në të ashtuquajturën botë të vogël, me disa kompani në dukje pa lidhje në njëra tjetrën që janë në gjendje të lidhen përmes shumë pak marrëdhënieve. Kjo gjë mund të ndihmojë botën e biznesit që të kapërcejë kohërat e vështira, që gjithmonë kanë efekt mbi një pjesë të kompanive – por mund të shkaktojë gjithashtu telashe nëse një korporatë e rëndësishme me disa pak lidhje rastësore fillon të ketë probleme.

Efekti i Botës së Vogël ka rezultuar veçanërisht i rëndësishëm në kuptimin e përhapjes së sëmundjeve. Shkencëtarët janë fokusuar tradicionalisht në infektueshmërinë e sëmundjes për të parashikuar se si përhapet epidemia. Efekti i Botës së Vogël tregon se natyra e shopqërisë ku shpërthen epidemia mund të bëjë dallimin. Studime të botuar në vitin 2001 nga matematicieni argjentinas Damian Zanete tregojnë se nëse vetëm 20 % e popullsisë ka lidhje rastësore me njerëz përtej vendit ku ka shpërthyer fillimisht epidemia, atëherë një shpërthim i vogël mund të shndërrohet në një epidemi të madhe.

Identifikimi i këtyre “superpërhapësve” të sëmundjeve – si prostitutat në qytete të mëdha apo turistët bredharakë – mund të jetë celësi për ndaljen e një epidemie. I njëjti arsyetim ka nxitur ekspertë të marketingut që të shënjestrojnë ndikues të mëdhenj në opinion, që nga Oprah Uinfri deri tek blogger-at specialistë të internetit, me besimin se rrjetet e tyre të mëdhenj të kontaktit mund të zgjojnë interesin e konsumatorëve për produkte të rinj.

Por studime të reja të kryera nga Dankën Uots tregojnë se “ndikues” të tillë nuk janë aq të rëndësishëm sa mendojnë ekspertët e marketingut. Duke përdorur simulime me kompjuter, ai ka treguar se pak a shumë cdokush është në gjendje që të japë shkëndijë të një tendence e cila më parë mund të përhapet me shpejtësi fantastike – por vetëm nëse njerëzit janë gati për të. Kjo gjë mund të shpjegojë përse – për shembull – filma me buxhet të ulët, si përshembull dokumentari i vitit 2005, Marshimi i pinguinëve, mund të shndërrohen në hite befasues ndërkohë që filma aq shumë të vlerësuar nga kritika, si versioni i Ang Li i filmit Hulku i pabesueshëm, dështojnë. Me fjalë të tjera, popullariteti nuk përhapet si sëmundje në Botën e Vogël.

Të kuptuarit e modeleve të tilë me siguri që do të sjellë edhe më shumë surpriza mbi efektin e botës së vogël – si dhe do të sjellë më shumë prova se ky fenomen “i parëndësishëm” social nuk është aspak i tillë.

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button