Sport

EURO 2016 / Holanda në kërkim të fitores, Uellsi dhe një hap drejt Francës. Ja ndeshjet e sotme

Screen Shot 2015-09-06 at 9.42.45 AM

Kur u hodh shorti askush nuk mund të parashikonte që Holanda do të vuante kaq shumë në ndeshjet kualifikuese për Francë 2016 megjithatë Kampionët e Evropës të vitit 1988 tashmë rrezikojnë seriozisht eliminimin. Nga “portokallinjtë” u largua trajneri i mirënjohur Guus Hiddink, dikur trajner edhe i kombëtares turke, për t’u zëvendësuar nga Danny Blind sidoqoftë gjërat për “tulipanët” vazhdojnë njësoj dhe fati i përfaqësueses holandeze do të varet pikërisht nga ndeshja e radhës, që do të luhet në orën 18:00 në Konya, në Stadiumin “Torku Arena”. Me vetëm 10 pikë në 7 takime ekipi që vetëm 14 muaj më parë u ngjit në podium në kampionatin botëror duhet të evitojë patjetër humbjen me Turqinë, për më tepër në një ambjent tepër të nxehtë dhe ku pak a shumë vuajnë që të gjitha skuadrat për të marrë rezultat. Gjashtë muaj më parë Klaas-Jan Huntelaar ia doli mbanë për të barazuar shifrat në Amsterdam, në kohën shtesë për t’i hequr 2 pikë shumë të rëndësishme ekipit të Fatih Terim, gjithsesi 2 pikë të tjera jetike për ecurinë e mëtejshme në Grupin A turqit i humbën vetëm pak ditë më parë përballë Letonisë, po në Konya ku bardhekuqtë u barazuan në mënyrë surprizë 3′ para fundit nga skuadra balltike e Letonisë.

Në eliminatoret për Kupën e Botës në Brazil, Holanda e trajnerit Louis van Gaal i fitoi 2-0 të dy takimet, si brenda ashtu edhe jashtë fushe megjithatë bëhej fjalë për një skuadër dhe një kohë tjetër, ndërsa aktualisht kuptohet qartë që “oranje” ka nevojë për ndryshim dhe disa nga veteranët e këtij ekipi duhet të hapin rrugë për futbollistët e rinj. Në Amsterdam Arena kartoni i kuq i qendërmbrojtësit Martins Indi bëri që Holanda të luajë në iferioritet numerik për një orë lojë dhe suksesi i Islandës tani shtrëngon ekipin e Danny Blind për të kërkuar kualifikimin vetëm nëpërmjet fazës play off. Dyshja Wesley Sneijder – Robin van Persie luan pikërisht në kampionatin turk respektivisht me klubet e Stambollit Galatasaray dhe Fenerbahce dhe kjo gjë mund të ndihmojë në përgatitjen e sfidës, sidoqoftë do të mungojë një ndër futbollistët më të rëndësishëm si Arjen Robben, i cili në takimin me Islandën u dëmtua pas vetëm gjysmë ore lojë. Bilanci i përgjithshëm flet për “portokallinjtë” që numërojnë 5 fitore dhe vetëm 2 humbje në 11 përballjet ndërmjet tyre gjithsesi në të njëjtën kohë me këtë duel në Riga do të luhet edhe takimi tjetër Letoni – Republikë Ceke, me ekipin e trajnerit Pavel Vrba që do të bëj cmos për të fituar sfidën dhe garantuar kualifikimin përndryshe gjithcka mund të komplikohet pasi Cekia do të ndeshet në kalendarin e mbetur si me Turqinë ashtu edhe me Holandën, ndërkaq Islanda do të presë në Reykjavik Kazakistanin dhe skuadra e Lars Lagerback është e ndërgjegjshme se në rast triumfi do të bëhet e dyta pas Anglisë që siguron biletën për në Francë.

Në Grupin B takimi kryesor është ai që do të luhet në Stadiumin “Cardiff City” në orën 18:00 ndërmjet Uellsit dhe Izraelit. Në rast suksesi të ekipit britanik përfaqësuesja e Gareth Bale do të sigurojë matematikisht pjesëmarrjen në fazën finale të një aktiviteti të rëndësishëm për herë të parë që nga viti i largët 1958. Ndeshjet e teta në këtë grup do të kompletohen nga dy takimet Bosnje Hercegovinë – Andorra dhe Qipro – Belgjikë, që do të luhen njëkohësisht në orën 20:45. Ditën e Dielë do të zhvillohen gjithashtu edhe ndeshjet e Grupit H ku spikat takimi Norvegji – Kroaci. Në Stadiumin Ullevaal të Oslos në orën 18:00 do të jetë një ndeshje direkte ndërmjet dy skuadrave që pretendojnë kualifikimin e drejtpërdrejtë, sidoqoftë ekipi i Niko Kovac është dukshëm favorit, për më tepër që 5 muaj më parë ekipi kroat fitoi thellë 5-1 takimin e luajtur në Zagreb. Italia në krahun tjetër numëron vetëm një fitore në pesë ndeshjet e fundit, pikërisht atë në Firenze me Maltën. Përfaqësuesja e drejtuar nga Antonio Conte do të japë maksimumin për të shlyer zhgënjimin e ndeshjes me skuadrën ishullore, teksa do të presë në orën 20:45 në Palermo Bullgarinë, skuadër që në Sofje ishte vetëm pak minuta larg fitores, sidoqoftë bëhet fjalë për një ekip përfaqësues në krizë të thellë dhe pa shumë motivim për një sfidë të tillë./Supersport

Leave a Reply

Back to top button