Nunc est Bibendum

Fernet apo… inovacion duke ruajtur të shkuarën

IMG_20150504_202044

Nga Andi Qinami

Për mbas vaktit, një pije tretëse apo dixhestiv (siç thuhet me së shumti vërdallë) është ajo çfarë duhet. Cila? Një amaro. Më e hidhura e kësaj kategorie. Por edhe më e shëndetshmja ndoshta. Për t’u pirë në një bar me të njëtin emër. I vetmi në një qytet të vjetër të një vendi ishullor, që traditë ka vetëm fermentet e distilatet, kryesisht të drithërave. Por likeri i kërkuar është Italian, ashtu si edhe gjysma e të zotit të lokalit.

Nuk mungojnë paragjykimet apo reminishencat nga e kaluara, që të vijnë zakonisht në mendje lidhur me këtë pije. Cilat paragjykime? Po ja, që në Shqipëri asokohe pihej në mëngjes herët nga kategoria e njerëzve që niseshin për punë, jo nga më të lehtat. Dikush e këshillonte si të qe ndonjë ndreqës popullor stomaku, e dikush as që e kishte pyetur veten ndonjëherë ç’ishte dhe nga vinte kjo pije. Ta themi menjëherë, që ajo që pihej atëherë, pra gjatë viteve të pashpjegueshme, për ata që nuk i jetuan, s’kishte fare lidhje me recetën origjinale, por ishte në fakt një pije e stisur, bazuar në atë që ishte ngulur në mendjet, si shija e pijes që pushtuesi italian la gjatë viteve të sundimit në Shqipëri. Për fat italianët na lanë edhe më shumë të mira, për të cilat vlen të reshtohen disa fjalë, njëherë tjetër ndoshta. Me ato vite ka lidhje dhe një historia kurioze me protagonist kushëririn tim, tjetër tifoz i kësaj pijeje.

Diku nga mesi i viteve shtatëdhjetë, ky së bashku me një koleg, ishte ngarkuar të ndiqte punimet në të hyrë të Vlorës, ku kryente shëbimin asokohe, në rast problematikash që mund të lindnin me banorët e zonës. Përmes një aksioni, rrëzoheshin ndërtesat e vjetra trashëguar nga e kaluara, në të dy anët e bulevardit në hyrje të qytetit. Teksa mjeti i posaçëm që shtynte gërmadhat ishte fundosur i tëri, ai kishte nxjerrë në pah, për habinë e gjithë atyre që ndodheshin aty rrotull, një biçim qilari, që ishte ndërtuar krejt nëntokë. Aty në një raft, në njërën nga faqet e murit, i zoti i dikurshëm i qilarit, kishte ruajtur ‘’me xhelozi’’ dy radhë shishesh të shtrira, ndarë nga njëri-tjetri me një shtresë kashte, si për t’i siguruar rehatllëk e privatësi shisheve. Dy protagonistët e historisë sonë, me të hequr pluhurin e me një të kaluar të dorës mbi etiketë, kuptuan se bëhej fjalë për Fernet Branca. Pasi shkëmbyen një vështrim ranë dakord se një shishe më pak, për t’u provuar nga ata vetë, nuk do kishte qenë aspak shkelje e rëndë. Aty për aty, përmbajtja e shishes nuk kishte zhgënjyer aspak. Por pjesa më interesante, do të vinte më vonë, po atë darkë. Në të thënë të kushëririt tim, përveç ndjesisë së përgjithshme pozitive, likeri në shishe, duket se kishte bërë për vete edhe miken e tij të asaj kohe, e cila ishte surprizuar për fort mirë, nga një performancë ndryshe nga e zakonshmja, tejet më shpërblyese. Kur miqtë tanë u takuan dy ditë më pas e ndanë habinë që kish të bënte kryesisht me kënaqësinë e zonjave përkatëse, dhe pa asnjë hezitim ia atribuan plotësisht likerit të gjetur, efektin çudibërës.

Këtë histori e dëgjova për herë të parë, para rreth dhjetë vitesh, në një enotekë të mirëfurnizuar, në qendrën e një qyteti bregdetar në brigjet përballë, të Adriatikut, ku kishim hyrë për të blerë verë për vaktin tonë familjar. Protagonisti nuk mundi të mos e ndante me mua, ç’i kishte ndodhur vite më parë, kur diku nga cepi më pak i frekuentuar i enotekës, dalloi një shishe Fernet të vitit 1936. Asnjë çudi prej instistimit të tij për të bërë të tijën shishen që evokonte kujtime kaq pikante.

Efekte anësore apo jo, distileria Fratelli Branca, që mban moton “Novare, serbando” (nga latinishtja, të inovosh duke ruajtur), e themeluar në vitin 1845 me rastin e krijimit të të famshmit Fernet, me një formulë sekrete, e që sipas traditës më të mirë të shekullit të XIX, ka në krye një aristrokrat, Niccolo’ Branca di Romanico. Po flasim edhe për një realitet të pranishëm në 160 vende të botës. Ndërmarrja e cila zotëron impiante ku prodhohen një sërë likernash, distilatesh e madje edhe vaj ulliri, të mirënjohura po ashtu, mban vendin e dytë në klasifikimin botëror të ‘’Top 100 Premium Spirits’’ e mbi të gjitha Fernet Branca, është ai vetë i dyti brand në hit parade-n e kategorisë ‘’Bitter’’. Jo dhe aq keq pra, për një amaro që dikush e konsideron pije “pleqsh”. Na thonë se në Argjentinë, ku gjendet dhe një nga impiantet prodhuese kryesore të kësaj ndërrmarrjeje, gjatë viteve ’90, Fernet Branca i përzier me Coca Cola, ishte kthyer në një pije kombëtare.

Kjo pije që për shkak të shijes së e fortë dhe vellos plot pluhur të së shkuarës, humb gjithnjë e më shumë tifozët e saj, sepse vetëm ata të njëfarë moshe e njohin dhe vlerësojnë siç duhet, në fakt aty-këtu njeh edhe adeptë të rinj. Por është tamam rasti të pohohet se bëhet fjalë për një “ustallëk” të së kaluarës. Pra, po të heqim nostalgjikët, pak mbesin vlerësues të vërtetë të kësaj pije me sqimë thuajse antike. Në “Nunc est Bibendum” respektojmë shijet e cilitdo, nuk pretendojmë t’i imponohemi askujt përmes tonave, por nuk mund të rrimë pa thënë, se lista e pafund e pseudo-tretësve që ofron tregu kudo në botë, zorr se mund të garojë me Fernet Branca-n, pse ky është një dixhestiv efikas, i shëndetshëm, që gëzon një shije me të vërtetë komplekse. Domethënë, mund të jetë dashuri apo urrejtje. Të kuptohemi, sa u tha më lart u referohet krahasimeve me prodhime thuajse globale, e nuk konsideron gjithë produktet cilësore, tipicitete rajonale, të cilat nuk do të mund t’i njihnim të gjitha, edhe po të kishim shijues redaksie të shpërndarë në çdo cep të botës. Por edhe pse, të paktën kur t’ju duhet të tresni, bëjeni si duhet.

Shpesh herë, aty ku lokalet kryeqytetase, darkave, nuk të japin shumë garanci për origjinën dhe vërtetshmërinë e distilateve në pijen tuaj, disa miq e kanë kthyer tashmë në një pije nate, që fillon me mbarimin e vaktit darkë e vazhdon përpara banakut diku natën. Jo se nuk kanë munguar rastet kur ajo ç’na kanë hedhur në gotë, ishte nuk e di çfarë dhe e bërë nuk e di se ku. Po ky është rrezik që të shoqëron në shumë lokale të kryeqytetit.

Fernet Branca, e jo fërrnet…. ndoshta një liker më shumë se një distilat, – me gjithë se formula është sekrete, është një pije e ‘’hidhur’’ e përftuar nga më se dhjetëra rrënjë e bimë, me një erë të pangatërrueshme e me një pas-shije që zgjat shumë, është për ne, absolutisht më i rekomanduari për një tretje të sigurt, por edhe pse jo për të bërë më speciale kafenë tuaj ekspres, në versionin “corretto fernet”. E zgjatur me pak soda, apo e rregulluar me një fetë portokall, mund t’ju shërbejë edhe si një aperitiv i pazakontë. Po mund të ndikojë pozitivisht edhe për stomakun tuaj, që shpesh mund të mos “mbajë” nga stresi, kushtet klimaterike, apo edhe thjesht nga çfarë shihet e dëgjohet në kryeqytet. Një dy apo tre gota, varet nga ju dhe nga çfarë ju nevojitet për momentin.

Por na thonë se receta s’ka ndryshuar në vite, prandaj në mos tjetër… kujtoni historinë e kushëririt.

Gëzuar!

Leave a Reply

Back to top button