Sport

Fitorja ndaj Portugalisë, një 3 pikësh i “thjeshtë”

balaFitorja ndaj Portugalisë bëri jehonë në të gjithë botën e futbollit, teksa momenti i golit të sulmuesit Bekim Bala është stampuar në mediat më të mëdha sportive në rruzull. Një fitore e Shqipërisë në tokën luzitane, që për momentin i jep kreun e grupit formacionit të De Biazit, diçka e provuar edhe në eliminatoret e Botërorit të Brazilit, ku djemtë tanë provuan të ishin për pak kohë lokomotiva e grupit. E njëjta situatë përsëritet dhe për këdo që ka ndjekur nga afër skuadrën, ky rezultat në dukje surprizë nuk mund të rezultojë i tillë, raporton Sport News. Triumfi në Aveiro është i ngjashëm për shumë arsye me atë të arritur në Oslo ndaj Norvegjisë më 22 marsin e 2013.
Jo vetëm nga fakti se rezultati është i njëjtë dhe goli i shënuar vjen nga një shkodran, por mbi të gjitha nga mënyra se si ekipi përgatiti sfidën. Ashtu si edhe në atë periudhë, kombëtarja shqiptare e përgatiti me qetësi këtë sfidë dhe larg euforisë së zakonshme. Në intervistat e zakonshme binte në sy besimi që skuadra kishte për të dalë me rezultat pozitiv, madje vetë Bala do të shprehej se do të tentonte të shënonte gol dhe në fund arriti të bekonte një komb të tërë.
Në një situatë që përsëritet tashmë armiku kryesor është euforia, teksa sfida e ardhshme në stadiumin e ri “Elbasan Arena” duhet përgatitur me kujdes. Nuk do të luhet vetëm ndaj Danimarkës, por dhe ndaj euforisë së tifozerisë, medias dhe vetë futbollistëve, gjë që ka treguar se janë armiku kryesor. Ndaj Portugalisë De Biazi guxoi dhe hodhi në fushë 4 debutues në një ndeshje zyrtare, zgjedhje që i solli rezultatin historik, por që gjithsesi për momentin nuk sjell asnjë arritje, por thjesht marrjen e 3 pikëve. Të gjithë presin një kombëtare më të fortë me rikthimet e Mehës, Ramës apo edhe vendin e titullarit të lojtarit më në formë të kuqezinjve, Shkëlzen Gashi.
Por, historia ka treguar se kur ndjehemi më të fortë mungojnë rezultatet, duke na kthyer me këmbë në tokë dhe duke lënë prapa një shije të hidhur. Edicioni është i gjatë dhe për të vijuar rrugën e nisur duhet shumë kujdes, duke evituar së pari euforinë, por njëkohësisht duke uruar që futbollistët e përfaqësueses të vijojnë të luajnë si titullar në skuadrat e tyre, pasi në momentin kur sezoni i eliminatoreve hyn në një fazë të rëndësishme, gjithmonë kemi hasur vështirësi për të përgatitur një formacion me futbollistë në formën e duhur.
“Unë besoj, po ti?”- Ky slogan nuk duhet të na çojë vështrimin drejt Francës, por shumë më afër, në “Elbasan Arena” ndaj Danimarkës. Vetëm duke menduar për ndeshjen e radhës mund të bëjmë realitet ëndrrën e përbashkët, pa krijuar më parë iluzione të kota, që veç dëmtojnë punën e nisur.

Leave a Reply

Back to top button