Teknologji

Flet djaloshi që mposhti Facebookun. Beteja jonë kundër “Vëllait të Madh”

Screen Shot 2015-10-07 at 11.57.03

Për Max Schremsin, fitorja ka të paktën dy shije. Aktivisti që sfidoi Facebookun përpara Gjykatës Europiane sot është “i lumtur”, sepse vendimi i jep të drejtë. Eshtë “i mrekulluar”, sepse vetë Mr. Datagate, Eduard Snouden, e ka përgëzuar përmes Tuiterit. Vjenez, 28 vjeçar, me fytyrë ëngjëllore dhe një ton gjakftohtë, të ngjan një student juridiku si shumë të tjerë. Dhe ashtu është, po të mos qe që, në emër të privatësisë, ia ka dalë të vërë në diskutim marrëdhëniet mes Europës, SHBA dhe gjigandëve të internetit.

Një student që arrin një fitore historike: si shkoi?

Nisi e gjitha si një lojë: në vitin 2011, u ktheva nga një udhëtim në Kaliforni, me 1200 faqe të dhënash që Facebooku ka ruajtur për mua. Kur Eduard Snoudeni zbuloi programin e survejimit Prism, u binda se të dhënat e mia dhe ato të europianëve nuk janë të sigurta, të transferuara në SHBA nga kompani si Facebook. Për këtë arsye iu drejtova autoritetit për privatësinë në Irlandë, ku ndodhet selia qendrore europiane e Facebookut: por më tha se gabohesha. Megjithatë, çështja përfundoi në Gjykatën e Bashkimit Europian. E cila më dha të drejtë: duke parë survejimin pa dallim, të dhënat tona personale në duar të amerikanëve nuk janë të mbrojtura. Gjigandët e internetit nuk mund t’i transferojnë automatikisht në SHBA. “Safe Harbor” nuk është i vlefshëm.

Cilët janë hapat e ardhshëm? Ndoshta një betejë bashkë me Snoudenin?

Pa zbulimet e tij, nuk do të kisha mundur të bëja gjithë këtë: i jam mirënjohës. Dhe më befasoi kur më përgëzoi: ishte gjë shumë e bukur! Pjesën tjetër, të presim e të shohim, lërmëni të pushoj pak…

Nuk ka kohë për pushim: zëvendëspresidenti i Komisionit Europian i ka siguruar tashmë gjigandët e internetit se do të gjendet një rrugë alternative ndaj Safe Harbor, për të lejuar rrjedhjen e të dhënave.

Pavarësisht skandaleve me survejimin, deri tani Amerika nuk ka ndërhyrë për të mbrojtur “të spiunuarit” e Europës. Dhe Brukseli nuk kishte arritur të gjente një alternativë për Safe Harbor. Me vendimin, gjërat ndryshojnë: nuk jemi më të rinjtë që nuk kanë fare peshë. Qytetarët mund t’u drejtohen autoriteteve për privatësinë në vendin e tyre dhe për t’u dhënë vlerë të drejtave të tyre. Di që janë të shumtë ata që janë gati ta bëjnë. Asnjë “rrugë alternative” nuk mund të vërë në diskutim atë që ka marrë vendim Gjykata: survejimi pa dallim shkel të drejtat e njeriut.

Nga sot, si ndryshojnë mesazhet e Facebookut për europianët?

Në dukje, aspak. Në thelb, janë më të mbrojtura nga Vëllai i Madh.

Beteja juaj është vetëm kundër survejimit, apo edhe kundër shfrytëzimit të të dhënave për qëllime fitimi?

Sot kemi fituar në frontin e survejimit, sepse çështja kishte të bënte me këtë. Por jam aktiv edhe në frontin tjetër, me një “class action” në Austri, që bashkon 25 mijë persona.

Ku i gjeni burimet dhe vendosmërinë?

Eci drejt, hap pas hapi, nuk i kam krahët e mbrojtur, por kam forcën e atij që nuk ka asgjë personale për të humbur apo fituar. Kam kontributin e atyre që besojnë tek kauza, profesorët e drejtësisë që më japin një dorë, mbështetjen e shumë njerëzve. /Heute

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button