Sport

FRIKA / Blogjet: A mund të eleminohen të dy ekipet?

 

bel 11

Në blogjet e UEFA-s në internet kanë filluar të qarkullojnë gjithnjë e më shumë versione që pak a shumë e përjashtojnë një vendim kategorik për dhënien e 3 pikëve në tavolinë kombëtares shqiptare. Ndoshta për shkak të një aktiviteti të ethshëm të zyrtarëve dhe tifozëve serbë në forumet e internetit dhe mediat online, përpjekjet janë për të pothuajse barazuar ngarkesën e fajit për të dy ekipet.
Gjë që nuk po e bëjmë ne. Ka që dje në darkë që, sidomos televizionet që disponojnë edhe pamjet e 41 minutave të luajtura, janë marrë vetëm me pamjet e pëlhurës me simbolet nacionalistë që fluturon lart, apo me grushtat e shkëmbyer, dhe nuk i kanë kushtuar as edhe një sekondë të vetme momenteve të tensionit dhe akteve të dhunës që ndodhën përpara se të shfaqej ai minihelikopter mbi stadium. Për shembull rasti kur Ansi Agolli nuk lejohet të godasë goditjen e këndit për shkak të sendeve dhe fishekzjarreve të hedhur në fushë, tashmë duhej të kishte bërë xhiron e botës, bashkë me fotografitë – thonë që i ka një fotograf shqiptar – e akteve të dhunës brenda tunelit.
Tashmë që ethet nacionaliste janë zbehur disi dhe njerëzit janë zgjuar pas një nate të pagjumë, me festime të jashtëzakonshëm që kombëtarja jonë nuk ka asnjë dyshim që i meritonte, duhet të vetëdijësohemi se kemi të bëjmë me një “luftë” marrëdhëniesh publike, me objektivin final, ndikimin në vendimin që do të merret lidhur me ndeshjen. NDërkohë që ne vazhdojmë t’i mëshojmë fort videove dhe fotografive nacionaliste që lartësojnë qëndresën e futbollistëve tanë, serbët e kanë nisur këtë “luftë” PR-i.
Kështu, ndërkohë që vihet theksin në provokimin e shkaktuar prej minihelikopterit të komanduar, që shërbeu si shkëndijë për ngjarjet që pasuan, nga ana tjetër ky veprim pothuajse barazohet për nga pesha që pati në fatin e takimit, me aktet rrugacërore të dhunës së tifozëve serbë.
Në pjesën dërrmuese të komenteve të forumit në internet të UEFA-s të dy ekipet konsiderohen pothuajse bashkëfajtorë, duke injoruar kështu faktin që pala serbe ishte organizatore e takimit dhe ishte – në kushtet kur edhe Federata Shqiptare kishte pranuar të mos lejonte tifozët shqiptarë – që duhej të garantonte sigurinë deri në fund. Një pjesë e madhe mbështet versionin e rifillimit të ndeshjes që në minutën 41, aty ku u ndërpre, por këtë herë pa tifozë në stadium, ndërkohë që ka nga ata që shkojnë deri larg, duke parashikuar një masë drastike të UEFA-s ndaj të dy skuadrave, duke i përjashtuar të dyja nga kompeticioni. Një absurd po të mendosh pafajshmërinë totale të ekipit të Shqipërisë në këtë ndeshje.
Ndonëse tingëllon në kufijtë e teorive konspirative, një pjesë e komentuesve mendojnë që presioni që mund të ketë filluar të akumulohet tashmë, prej përfaqësuesve të ekipeve si Danimarka dhe Portugalia, por edhe nga brenda vetë UEFA-s, që do të donte të shihte në kampionatin europian skuadra përfaqësuese të vendeve me popullsi të madhe në numër. Sipas këtij versioni, duke marrë parasysh startin e dobët në këto eleminatore të këtyre dy skuadrave, të cilat konsideroheshin para fillimit të ndeshjeve si favoritet kryesore, një përjashtim i mundshëm i Serbisë dhe Shqipërisë së bashku, do të favorizonte së tepërmi pikërisht dy ekipet të cilëve kombëtarja jonë mundi t’u shkëpusë 4 pikë.
Ajo që të bie në sy edhe në lajmet e mediave ndërkombëtare, është një mungesë ekuilibri sa i përket zhvillimit të ngjarjeve. Kështu, ndërkohë që vënë fort theksin në praninë e simboleve politikë në një ndeshje futbolli (minihelikopteri), ka një prirje për të zbehur disi “ferrin” që përjetuan futbollistët e kombëtares shqiptare në fushën e lojës, ku u goditën nga tifozët brenda fushës së lojës, në momentet e hyrjes në tunelin që conte drejt dhomave të zhveshjes, dhe brenda tunelit, ku një pjesë e tyre janë shtrirë përtokë prej personelit të sigurisë të stadiumit.
UEFA pritet ta marrë vendimin në ditët në vijim.

www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button