Lifestyle

“Frika ime më e madhe është që mungesa e edukatës në rrjetet sociale, të shtohet edhe në jetën reale”

Me lirinë e fituar në vite, jo çdo gjë po shkon në rrjedhën e duhur. Kohët e fundit, ne po shohim të gjithë se sa shumë përfliten, ofendohen, apo komentohen shumë personazhe, të njohur ose jo. Mjafton të xhirojë një thashethem në rrjetet sociale dhe të gjithë komentojnë me ofendime, duke harruar se kushdo ka jetën e tij dhe mund ta jetojë si të dëshirojë. Ne po kufizojmë të drejtat e të tjerëve me harbutërinë tonë dhe kjo gjë po shtohet dita ditës. Ne kemi harruar të sillemi mirë dhe të jemi xhentilë me të tjerët, pasi mendojmë se mirësjelljen na e marrin për dobësi. Ama ne harrojmë se nëse kërkojmë ndryshim, ai ndryshim vjen nga vetë ne dhe ne duhet të jemi të parët që duhet të përpiqemi ta ndryshojmë realitetin për mirë.

E revoltuar ndaj një realiteti të tillë, është edhe këngëtarja e njohur Noemi, e cila lidhur me këtë fenomen, është shprehur kështu:

“E dini cila është gjëja më guximtare që mund të bëjmë çdo ditë? Të praktikojmë xhentilesën ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve. Është e vështirë të jemi përherë të sjellshëm, sepse harbutëria është shndërruar në ditët e sotme një realitet, kurse mirësjellja një dobësi.

Mediat sociale kanë nxjerrë në pah kohët e fundit më të keqen e njerëzve. Ka shumë ligësi që po qarkullon rreth e rrotull dhe për këtë gjë më vjen keq, pasi liria që kemi në ditët e sotme, duhet të nxirrte në pah më të mirën e secilit nga ne. Frika ime më e madhe është që kjo mungesë edukate e rrjeteve sociale, të shtohet akoma më shumë në jetën e vërtetë.

Kemi të drejtën të jemi të lumtur dhe nëse jemi të sjellshëm me të tjerët, bota normalisht do të bëhet më e mirë. Sidomos fëmijët, të cilët sapo po përballen me realitetin aktual, duhet të mos e harrojnë asnjëherë një fakt të tillë. Bota është bërë shumë cinike, ama secili nga ne e ka për detyrë të japë më të mirën nga vetja për ta ndryshuar për mirë”.

Back to top button
Close
Close