Sport

Fundi i një ëndrre verore

«Ne ishim vërtet optimistë», thotë Granit Xhaka. «Deshëm të shkruajmë historinë». Që nga viti 1954 Zvicra nuk ka arritur kurrë në çerekfinale të një Kampionati Botëror të Futbollit. Para ndeshjes trajneri Vladimir Petkoviq tha se nuk do të ishte i kënaqur vetëm me një të tetën e finales. Duam më shumë, kjo ishte kërkesa e tij. Granit Xhaka shkoi edhe më tutje, ëndërronte përtej çerekfinales.

Pas ndeshjes vlerësimet e shtypit zviceran për paraqitjen e Xhakës në Kampionatin Botëror në Rusi janë të qarta: një zhgënjim. «Ku ishte zjarri i tij? Dukshëm pak për këtë lojtar me pretendimet e tij», shkruan Tages Anzeiger në numrin e së mërkurës.

Nota të mira merr portieri Yann Sommer. Po të ishin edhe lojtarët e tjerë në nivelin e tij, ndoshta suksesi në këtë Kampionat do të dukej ndryshe. Tani Zvicra sërish dështon në të tetën e finales, si pothuaj në çdo turnir, një mallkim i madh, që duket i pakalueshëm. Në ndeshjen kundër Suedisë mungoi «gatishmëria për të provuar diçka të çmendur» (Tages Anzeiger), lojtarët zgjodhën përgjumjen në fushën e blertë.

Në përgjithësi nëse tërhiqet bilanci i ndeshjeve të Zvicrës, atëherë ky ekip luajti mirë dhe me zjarr vetëm në pjesën e dytë kundër Serbisë. Ky ekip zviceran është solid dhe nganjëherë ambicioz, por larg nivelit për të hyrë në mesin e tetë ekipeve më të mira në botë. Pas barazimit me Brazilin lojtarët për pak dështuan kundër Kostarikës. Një ngushëllim i vogël: që nga viti 2004 Zvicra nuk është kualifikuar vetëm në një kampionat të madh futbolli.

Për Valon Behramin ky ishte me gjasë Kampionati i fundit Botëror, për Stephan Lichtsteiner po ashtu. Behrami ka gjasa të luajë në Kampionatin Europian pas dy viteve, nëse kualifikohet Zvicra. Ai nuk e ka ndërmend të tërhiqet. Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri do të vazhdojnë të luajnë, ndoshta edhe Blerim Xhemaili, por njëkohësisht një gjeneratë e re e lojtarëve me rrënjë afrikane po e merr timonin: Akanji, Embolo, Mvogo, Mbabu, Zakaria.

Admir Mehmedi, i cili për shkak të lëndimit nuk ishte në Rusi, thotë në «Tages Anzeiger»: «Ky është një zhgënjim brutal. Si lojtar ti e përjeton një zbrazëti ekstreme pas disfatave të tilla». Valon Behrami, realisti i madh, pas ndeshjes thotë: «I kemi kufijtë tanë. Nuk jemi të mirë sa duhet». Behrami gjatë karrierës së tij ka humbur katër herë në të tetën e finales. Ai thotë me ironi: «Jam ekspert».

Duhet pranuar: Zvicra nuk ka sulmues të shkathtë. Nuk ka lojtarë që luajnë në Barcelonë apo Real Madrid. Njëri prej lojtarëve më të mirë (Shaqiri) në fund të fundit luan për një ekip që ka rënë nga liga angleze. Megjithatë, pa lojtarët me prejardhje të huaj ekipi i Zvicrës do të ishte një Saharë futbolli. Këtë e ka të qartë edhe shtypi zviceran, përkundër debateve për shqiponjën.

Duke vlerësuar ekipin «Neue Zürcher Zeitung» shkruan: «Pa ide në kokë, pa tërbim në bark». Dhe vazhdon: «Xhaka humbi shumë dyluftime dhe disa herë edhe orientimin. Loja e tij i ngjante paraqitjeve të tjera në Kampionat. Përveç se në pjesën e dytë kundër Serbisë Xhaka luajti çuditërisht dobët. Nganjëherë dukej sikur ai po distancohet nga ky ekip, të cilin zakonisht e shtyn përpara dhe të cilit i prin». Lojtarët me prejardhje shqiptare përmenden më shumë për shkak se janë shtylla e ekipit, ndërsa të tjerët në vlerësimet e gazetave zvicerane marrin nota edhe më të dobëta. Ose: realiste.(dp)

Leave a Reply

Back to top button