Sport

“Goli” i Uemblit, gol/jogoli më i diskutuar i historisë së futbollit

[rev_slider gol]

 

Azerbajxhanasi Tofiq Bahramov hyn në histori!

Finalja e Kampinatit Botëror 1966, stadiumi Uembli Angli.  Përballë njëra-tjetrës Anglia dhe Gjermania. Jemi në minutën e 11-ë të kohës shtesë, pasi koha e rregullt është mbyllur me rezultatin 2:2 pas një ndeshje me të vërtetë dramatike! Sa për kuriozitet Gjermania (në atë kohë Gjermania Perëndimore) arriti të barazonte rezultatin në 2:2 vetëm në minutën e 90 me një gol të kontestuar nga anglezët për prekje të topit me dorë (në fakt përsëritjet tregojnë që nuk u prek me dorë) nga një sulmues gjerman para ekzekutimit…

Geoff Hurst i Anglisë lëshon një predhë drejt portës gjermane. Topi pasi godet traversën, bie pingul poshtë dhe pas përplasjes në bar del jashtë! Momente dileme. Arbitri kryesor Gottfried Dienst është krejt i pavendosur. Papritur ai vëren vijërojtësin Bahramov që po tundte flamurin fuqishëm. Pas një komunikimi të shkurtër me të arbitri kryesor vendosi të quante “golin” për anglezët! Ndeshja u mbyll me rezultatin 4:2 për anglezët të cilët shënuan golin e fundit në minutën e 120 (në fushë në atë moment kishte edhe shumë tifozë që kishin hyrë dhe vraponin të lumtur në të …)

Edhe sot e kësaj dite vazhdon një debat i fortë për vendimin e marrë për njohjen e këtij goli. Në Angli, opinioni i përgjithshëm është që ky ishte një vendim më se i drejtë ndërkohë që në Gjermani të gjithë thonë që Bahramov gaboi rëndë. Gjermanët madje i vendosën edhe një emër të përvecëm këtij goli, emër që e identifikon atë në të gjithë botën: “Wembley-Tor”.

Sipas rregullores së futbollit, topi duhet të kalojë komplet vijën fatale që të njihet si gol. Gjermanët argumentojnë që nëse topi nga traversa do të kishte kaluar vijën fatale ai do i ishte drejtuar rrjetës dhe jo të kishte dalë nga porta sic ndodhi. Për më tepër lojtarët gjermanë njëzërazi pranojnë që ata panë pluhurin e shkumësit të vijës së bardhë te ngrihej pas goditjes së topit. Ndërkohë që anglezët argumentojnë që topi doli jashtë portës pasi ai kishte marrë “fallco” (lëvizje rrotulluese në drejtim të kundërt me drejtimin e topit) – ashtu sikurse e njëjta gjë ndodhi në një ndeshje te mëvonshme po midis këtyre dy ekipeve.

Kur Bahramov shkroi kujtimet e tij, ai theksoi që ai besoi që topi nuk u kthye nga traversa por nga rrjeta, kështu që edhe fakti që topi doli nga porta për të nuk krijonte ndonjë dyshim. Në një version tjetër thuhet që Bahramov të ketë pranuar që ai nuk e pa topin të kalonte vijën fatale, por nga gëzimi i madh i tifozëve anglezë prapa tij ai mendoi që vërtetë duhej të ishte gol.

E pra, nga kjo ngjarje figura e Bahramov-it, këtij vijërojtësi azrbajxhanas (pjesë e Bashkimit Sovjetik në atë kohë) morri përmasa ndërkombëtare dhe ai u kthye në një krenari kombëtare! Stadiumi kombëtar i Azerbaixhanit, në Baku mban emrin e tij.

Ju rekomandojmë të ndiqni videon e mëposhtme pasi është me të vërtetë shumë interesante.

Bota.al, qershor 2014

Leave a Reply

Back to top button