Një tru artificial, kodi gjenetik për jetën e përjetshme, një ushtri robotësh, teknologjia e dron-ëve: në një laborator, Google është duke planifikuar të ardhmen e njerëzimit – si dhe të ardhmen e saj, si kompania më e fuqishme e botës. Po cilat janë objektivat finalë të organizatës? Dhe 3 arsye të forta përse Google ka ngjashmëri të lartë me një diktaturë tipike…
Për pushtimin e botës janë dashur vetëm 16 vjet: asnjë shtet nuk ka arritur të ngrihet në një pozicion kaq të lartë, në një periudhë kaq të shkurtër kohe, si Google. Që nga krijimi i saj në
vitin 1998, kompania gjigande e internetit ka ndërtuar një perandori e cila shtrihet në të gjithë globin – një që miliarda njerëz e quajnë “home” – “shtëpi”. Kaq e madhe është influenca e kompanisë, saqë ka gjasa që ajo të dijë më shumë për përdoruesit e vet, se sa të gjithë qeveritë e botës të marra së bashku. Megjithatë, superfuqi si SHBA vështirë se kanë kontroll mbi veprimet e Google.
Kompania thjeshtë kaq shumë pushtet. Por, po sikur Google ta keqpërdorte këtë kontroll? Gjithnjë e më shumë ekspertë kanë krijuar bindjen se kompania e ka braktisur moton e saj: “Mos u bëj e ligë” shumë kohë më parë, e madje besojnë se Google që tani ka nisur të priret drejt diktaturës.
Për të shqyrtuar këto shqetësime, ia vlen ndoshta të kujtojmë se cilat janë karakteristikat kryesore të një diktature. Sundimi autoritar karakterizohet pikësëpari nga ndërtimi i tre kolonave: Atëherë, cilat prej këtyre karakteristikave gjejnë zbatim edhe tek Google? Cilët janë planet e ardhshëm të kompanisë?
1. DIKTATURAT KANE MONOPOLIN E PUSHTETIT
Ato mbajnë emrin Macja e Egër, Qeni i Madh dhe Cita dhe disa prej tyre mund të vrapojnë më shpejt se sa cdo qenie njerëzore. Disa mund të ngjiten në pemë dhe mure, të tjerë mund të ngrejnë pesha deri 180 kilogramë. Kompania amerikane Boston Dynamics ka krijuar robotë autonomë prej më shumë se 20 vitesh. Këta përfshijnë makina që mund të dërgohen në vend të ushtarëve të vërtetë për të luftuar. Ndonëse nuk janë të armatosur (ende), do të ishte e kollajtë të pajiseshin me sisteme armatimi. Këta robotë luftimi janë që tani në veprim, dhe kompania që i prodhon është lider global në fushën e vet.
Në 12 dhjetor 2013, Boston Dynamics ndërroi pronar. Blerja e kompanisë ndodhi sa hap e mbyll sytë. Kompania që e bleu? Google – për një shumë që nuk është bërë e ditur.
Askush nuk e di se c’kërkon operatori i motorrit më të suksesshëm të kërkimit në botë, me një ushtri robotësh, dhe nuk kaloi shumë kohë përpara se të shfaqeshin teoritë e para konspirative. “A mos dëshiron Google të skllavërojë botën me një ushtri robotësh?” pyetën skeptikët, shpesh duke iu referuar kinemasë, dhe konkretisht filmave të Terminatorit, ku një ushtri cyborg-ësh me anë të forcës ushtarake përmbysin njerëzimin.
Në fakt, Google ka blerë një dyzinë kompanish që prodhojnë robotë në botë, gjatë 18 muajve të fundit. Si rezultat, kompania ka tashmë një vend të privilegjuar në sferën e luftërave të të ardhmes. Dhe Google nuk ka monopol vetëm në fushën e robotikës ushtarake…
“Google ka tashmë një sasi të jashtëzakonshme fuqie, e cila nënvlerësohet nga shumë përdorues dhe politikanë”, shpjegon eksperti i IT, Robert Maier. Nuk qarkullon më kot kjo shprehje në qarqet e ekspertëve të IT: “Dija është pushtet. Të dhënat janë më të pushtetshme. Google është e gjithëpushtetshme”. Me një pjesë të tregut më të madhe se 65%, Google që tani kontrollon tregun ndërkombëtar të motorrëve të kërkimit.
Korporata përdor edhe një tjetër mjet që e kanë shumë për zemër diktaturat: censurën. Në fakt Google vendos atë që ne gjejmë kur bëjmë një kërkim – dhe atë që nuk gjejmë. Zakonisht, kompanitë dhe organizatat që kanë paguar për reklamë – përmes shërbimit që kompania ka për reklamimin – shfaqen më lartë në renditje. Ndonëse, me gjasë nën ato që janë faqet e internetit të vetë kompanisë, si Google Maps, Google Books dhe YouTube.
Ndërkohë, sistemi i operimit i vetë Google, Android, përdoret në 70% të smartphone-ve. Sa për krahasim, vetëm 20% e pajisjeve përdorin iOS të Apple. Po kështu, cdokujt që ka një llogari Google (të paktën 425 milionë vetë në të gjithë botën) i skanohen emailet për qëllime reklamash
nga ana e Google. “Unë nuk jam një kritik i teknologjisë. Por unë e kritikoj monopolin e pushtetit përmes teknologjisë. Ne duhet ta shohim Google me të njëjtin sy kritik që shohim Uoll Stritin dhe bankat”, argumenton eksperti i teknologjisë, Evgeny Morozov.
Falë monopolit që ka, Google nuk ka vetëm bazën më të madhe të të dhënave në botë. Ajo ka njëkohësisht një prej pasurive më të mëdha, në total 50 miliardë dollarë, me një milionë që i shtohen në cdo orë që kalon. Vetëm Apple ia kalon kësaj, me një depozitë fikse edhe më të madhe prej 100 miliardë dollarësh. Megjithatë, ndryshe nga Google, Apple nuk është se di me të vërtetë se cfarë të bëjë me një sasi kaq të madhe parash. Google i riinveston paratë që fiton – dhe jo vetëm në botën digjitale. Kjo e fundit ka kohë që është bërë shumë e vogël për kompaninë.
2. NE NJE DIKTATURE, TE DREJTAT THEMELORE INJOROHEN
Në Google bëhen afro tre miliardë kërkime në ditë, prej miliona njerëzve – dhe gjigandi i internetit fiton para për secilin prej tyre. Të ardhurat vijnë kryesisht nga reklamat si dhe mbledhja dhe përpunimi i të dhënave. Kritikët pretendojnë se Google ka anashkaluar të drejtat mbrojtjen e të dhënave dhe ka mbledhur informacione me ndjeshmëri të lartë për jetët tona. Asnjë shtet në botë nuk ka qenë në gjendje që ta ndalë. “Google ka profilet më specifikë të përdoruesve në botë – ndoshta më precizë se sa ata të NASA-s”, thotë eksperti i IT, Gerald Reischl. “Objektivi i biznesit të Google nuk është t’ia bëjë informacionin të aksesueshëm botës. Objektivi i biznesit të Google është të fitojë para prej të dhënave. Të dhënat janë monedha e re në bankën qendrore të Google. Ne paguajmë me privatësinë tonë”, shton Evgeny Morozov.
Në fakt, falë algoritmeve kompleksë dhe më shumë se një milionë serverave që rregjistrojnë kërkimet tuaj, Google e di se ku do i kaloni pushimet e ardhshme verore, nëse jeni mbipeshë dhe cfarë keni në plan të bëni për këtë gjë, madje di edhe se ku do të shpërthejë epidemia e radhës – falë Google Flu Trends.
Kishin kaluar vetëm dy javë nga viti 2014, kur Google shpalli se do të blente kompaninë kaliforniane, Nest Labs – për 3.2 miliardë dollarë. Ekspertët tundën kokën në mosbesim kur e dëgjuan fillimisht shifrën: Nest Labs prodhon termostatë të mencur dhe detektorë tymi të lidhur me internetin. Në pamje të parë, këta produkte nuk të duken si teknologjitë e rëndësishme të të ardhmes. Por nga këndvështrimi i Google, ujdia ka shumë kuptim.
Nest Labs i ofron Google qasje në shumë familje. Koha që njerëzit kalojnë në shtëpi, sa shumë njerëz jetojnë në një shtëpi, temperatura e dhomave – në të ardhmen Google do të ketë të gjithë këtë informacion. Sensorët i ruajnë të gjithë të dhënat dhe ua dërgojnë server-ave gjigandë. “Google kërkon t’i shoqërojë njerëzit përgjatë gjithë jetës së tyre. Këtu sinergjia në biznese është në kulmin e vet”, thotë sociologu Stephan Humer.
Disa ekspertë po paralajmërojnë se tashmë korporata po merr formën e një shteti të survejimit në masë, një që ndërhyn në jetën e përditshme të qytetarëve të vet. Në vitin 2013, Google mori madje cmimin “Big Brother” gjatë një ceremonie në Gjermani, një cmim që u jepet institucioneve të cilët tregojnë një mungesë interesi ndaj mbrojtjes së të dhënave dhe sferës private. Dhe ndonëse Google nuk ka në plan të keqpërdorë të dhënat, kush mund të garantojë se do të jetë gjithmonë kështu? Cfarë do të ndodhte nëse sistemi i saj mbarëbotëror i survejimit apo mbledhjes së të dhënave do të binte në duart e gabuara, përtej kontrollit të Google?
Historia ka treguar tashmë se cfarë ndodh kur abuzohet me një instrument të ri të fuqishëm. Më shumë se 70 vjet më parë, nazistët përdorën një sistem kompjuteri të IBM që mbante emrin e shpikësit gjermano-amerikan Hermann Hollerith për të gjurmuar hebrenjtë dhe “armiqtë e tjerë të shtetit”. Shumë historianë bien dakord se, pa këtë teknologji, do të kish qenë logjistikisht e pamundur të kapeshin, dëboheshin, burgoseshin dhe vriteshin miliona hebrenj brenda pak vitesh. Prodhuesit e makinës kompjuterike të IBM kishin imagjinuar gjithfarësoj mënyrash përdorimi për pajisjen e tyre – megjithatë ata nuk mund të kishin parashikuar kurrë krimet e tmerrshëm që ajo do të ndihmonte të kryheshin.
Ndërkohë, vizioni i Google shkon shumë përtej kompjuterëve. Fuqia e re botërore ka plane shumë më të gjerë – impakti i tyre mbi të ardhmen e njerëzimit nuk mund të nënvlerësohet. Për t’i ndihmuar, Google po përdor një simbol që është shndërruar tashmë në mantrën e të gjithë sektorit të kërkimeve të kompanisë: “X” (ose “10”).
3. NE NJE DIKTATURE, NJE IDEOLOGJI PUSHTON TE GJITHE ASPEKTET E JETES SE NJEREZVE
Google-imi nuk do të jetë shumë i nevojshëm për këtë lloj kërkimi. Cdokush që kërkon në internet për detaje të laboratorit Google X do të mbesë i zhgënjyer. Shumë pak fotografi të pjesës së brendshme të laboratorit janë të disponueshme dhe planimetria nuk ekziston gjëkundi. Sa për
numrin e njerëzve që punojnë aty, burimet në të gjithë internetin ofrojnë vetëm hamendësime. Njerëz të brendshëm supozojnë se është një shifër me katër zero.
Në një shenjë të pazakontë transparence, Google zbuloi kohët e fundit se shkencëtarët e laboratorit po punojnë me 100 projekte – gjithmonë duke marrë parasysh “X”-in. X tek “Google X” do të thotë Dhjetë – cdo shpikje duhet të jetë dhjetë herë më e madhe, më e shpejtë dhe më e mirë se cdo gjë që ka ardhur para saj. Ata duhet ta bëjnë një problem dhjetë herë më mirë, brenda një afati kohor prej dhjetë vitesh. Eshtë pikërisht kjo formulë që ka përdorur Google për të ndërtuar kompaninë e saj prej vitesh, duke e bërë konkurrencën thjeshtë inferiore.
Makinat pa pilot, turbinat e erës qindra metra të larta që dërgojnë energjinë elektrike në stacionet bazë, Google Glass – të gjithë këta projekte, që janë parë për një kohë të gjatë si ëndrra utopike, janë zhvilluar në laboratorin Google X. Korporata investoi 8 miliardë dollarë për njësinë kërkimore gjysmë të fshehtë në vitin 2013. Në terma kohëgjatë, shpikjet e Google mendohet të revolucionarizojnë sferat e komunikimit, lëvizshmërisë dhe energjisë – Google jo vetëm ka produktet e duhur, por kompania zotëron edhe teknologjitë kyce më të rëndësishme. Ajo është në një pozicion ku mund të përcaktojë drejtimin e zhvillimit njerëzor.
Deri sot, projekti më ambicioz që po përpiqet të realizohet prapa mureve të Google X është ai që jozyrtarisht njihet si Google Brain (Google Truri) – krijimi i Inteligjencës Artificiale (IA). Dy vjet më parë, kërkuesit bashkuan 16 mijë procesorë kompjuterësh dhe e ushqyen rrjetin për tre ditë me video nga YouTube, platforma e filmimeve që është gjithashtu në zotërim të Google. Objektivi: ashtu si truri i një fëmije të sapolindur, rrjeti duhet të mësojë të përpunojë informacionet e rinj, të krijojë lidhje dhe njohë njerëz. Pas 10 milionë filmimesh, truri artificial njohu objekte, njerëz dhe mace – i kish mësuar të gjitha vetë. Kjo degë e re e sofistikuar e shkencës tregtare është pagëzuar me emrin “mësimnxënia e thellë”.
Google Brain mund të rimodelojë tashmë një milion neurone dhe një miliardë lidhje, por ky numër sa vjen e po rritet. Geoffrey Hinton, në Universitetin e Torontos, është eksperti kryesor botëror për kompjuterë dhe neuroshkencë, dhe ai punon për Google. “Ne jemi të intriguar nga ideja që ky tru po mëson në mënyrë konstante në të njëjtën mënyrë”, thotë ai. “Dhe sapo të kemi gjetur se si funksionon, nuk ka dallim nëse i mësojmë sistemit të parin, të dëgjuarin, të ndjerin e madje edhe të menduarin logjik”. Me fjalë të tjera, Google Brain mund të arrijë në të ardhmen që të mendojë si qenie njerëzore.
Studiuesit e Google po punojnë edhe me një projekt të njohur si Calico. Ideja e shkencëtarëve është që të përdorin algoritme dhe gjenetikën për të zbuluar përse trupi i njeriut dobësohet dhe bëhet më i prirur të sëmuret me kalimin e kohës. Objektivi i tyre është të gjejnë se si ky proces mund të ngadalësohet, duke e zgjatur jetën në mbi 100 vjet.
Njerëz të brendshëm besojmë se Google ka në plan të përdorë rezultatet e këtij projekti për të prodhuar ilace që do i mundëosjnë njerëzve të jetojnë më gjatë dhe më shëndetshëm. Ky sektor ka potencialin e një biznesi disa miliardësh, një që bashkë me projektet e tjerë ambiciozë dhe produktet e Google, shërbejnë për të ilustruar shkallën e gjerë të objektivave të ardhshëm të kompanisë.
Dhe cfarë ka nën mëngë konkurrenti kryesor? Ndërkohë që Google po punonte për trurin artificial, Apple nxorri një seri të ri iPhonësh me ngjyra. Ishte një zhvillim që Drejtori i Përgjithshëm i Google, Larry Page e quajti “i pakënaqshëm”, ndërkohë që deklaroi: “Nëse ndryshon jetët e 100 milionë njerëzve, atëherë nuk je i suksesshëm. Je i suksesshëm vetëm kur ndryshon jetët e një miliardë njerëzve”.
Bota.al