Efikase apo jo, hakmarrja në internet nuk është fenomen vetëm lokal. Në Kinë janë hapur shumë faqe ku mund të ofrohen emrat e atyre që besohet se kanë marrë rryshfete. Në Estoni, Lituani, Finlandë dhe Iran të korruptuarit mund të denoncojnë që nga telefoni. Me riskun që mund të shndërrohet në një lojë për masakrim: të gjithë kundër të gjithëve për të shkatërruar reputacionin e tjetrit. Duke hedhur gurin, dhe fshehur dorën…
Ka hakmarrje edhe në internet. Me një foto të vjedhur, me një video sikletosëse të postuar pa autorizim, me një bisedim që duhet të jetë privat por që në fakt del, hidhet në një faqe Facebook. I dukshëm për të gjithë, të afërm dhe miq, dhe komentuar pafundësisht nga të gjithë. Pikërisht kështu një rrjet social kthehet në një vend ekspozimi në publik, për të poshtëruar publikisht Carolinën, e cila ka pirë shumë dhe filmohet teksa i thonë pisllëqe. Apo Andrea, të cilit i pëlqen të veshë pantallona ngjyrë rozë, kështu që për turmën është një njeri i dobët, homoseksual. Pastaj, 2 pesëmbëdhjetë-vjeçarë që janë vetëvrarë sepse i ka kapur turpi. Konsumohen hakmarrje. Pothuajse gjithmonë duke fyer dhe denigruar. Apo duke postuar bisedat e të supozuarve ngacmues seksualë në faqen: “Unë i urrej maniakët”. Ndërsa herë të tjera, duke gjetur në rrjet kurajën që nuk e kemi në jetën reale për të sinjalizuar evazorë fiskalë të mundshëm, kinse invalidë, mashtrues të ndryshëm apo thjeshtë shoferë autobusi që kanë vesin të ecin shumë shpejt. Të raportuar me emër, mbiemër, fotografi, emaile privatë. E megjithatë, ata që shkërmoqen nuk janë vetëm reputacionet e qindra përdoruesve, por edhe vetë koncepti i privatësisë, i shkatërruar nga shpagimet përmes internetit, gjithnjë e më të praktikuara dhe të rrezikshme, shtypur prej formave virtuale të drejtësisë së bërë vetë: preferohet të diskreditohet publikisht onlinie dikush, në vend që të prezantohet një denoncim i vërtetë tek autoritetet. Duke shfrytëzuar mundësinë për të hedhur gurë dhe fshehur dorën, mundësi që interneti ta ofron me kosto zero.
Eshtë një galeri e gjatë dhe në pamje të parë argëtuese e qindra chat-eve privatë mes burrave dhe grave, ku kopja që ndiqet është gjithmonë e njëjtë me vetveten. Tragjikisht e mbërthyer pas klishesë së gazetëzave porno: ai shfaqet në një qasje seksuale të pistë, ajo e shan vazhdimisht, ai e ofendon. Me variacione të temës: dërgim fotosh të organeve gjenitalë, propozime masturbimi në internet, ftesa për vende të errët. Me një leksik kaq të lënë pas dore saqë mungojnë jo vetëm mirësjellja, por edhe lidhëzat, apostrofat, presjet. A thua të gjithë maniakët janë edhe gjysmë analfabetë. Hakmarrja e të ngacmuarave konkretizohet duke i bërë foto ekranit të kompjuterit dhe duke ua dërguar administratorëve. “E krijova faqen sepse motra ime ishte ngacmuar nga një tip në Facebook – rrëfen një prej administratorëve, duke iu përgjigjur pyetjeve në email, por pa zbuluar identitetin – na vijnë 200 deri 300 sinjalizime në ditë, nuk arrijmë t’i lexojmë të gjitha, jemi prapa me 8 mijë mesazhe”.
Për vërtetësinë e disa fotove të ekraneve të botuara as edhe administratorët nuk mund të vënë duart në zjarr, megjithatë emrat korrespondojnë me profilet realë. “Personat e kapur reagojnë shumë keq, me kërcënime me vdekje. Ndonjëherë përpiqen të na frikësojnë duke na thënë se janë të afërt me mafian. Facebook ndjek normat amerikane, sipas të cilave nuk jemi ne që shkelim privatësinë, maksimumi janë ata që dërgojnë fotot. Janë pothuajse gjithmonë vajzat e ngacmuara”.
Në pamje të parë, duken si Zorro-t e rrjetit: ekzekutues të maskuar që luftojnë me shpatën e përhapjes së lajmit të pandëshkuarit apo maniakët e internetit. Apo njerëz të akuzuar si të tillë. Por ka dhe nga ata që nuk e konsiderojnë të qartë këtë oepracion, duke i vënë në dyshim qëllimin dhe mënyrën. Kush e vendos, për shembull, se cili është maniak dhe cili jo? Chat-et e publikuara shpesh herë janë të pjesshme, nuk kuptohet qartë kush ka provokuar kë. Përse viktimat nuk i drejtohen direkt policisë nëse ndihen të ngacmuara? Në disa raste, “të kapurit” duken persona me probleme seriozë psikikë, duhet të kurohen dhe jo thjeshtë të ekspozohen. Dhe ndonjë dyshim legjitim për një faqe titulli i të cilës fillon me “urrej” dhe përfundon me një fyerje, mund edhe të ekzistojë. Por ndonjë dyshim sa i përket privatësisë mund të ketë edhe për ato faqe interneti ku denoncohen evazorët fiskalë.
Suksesi i komuniteteve që denoncojnë maniakë seksualë, apo të akuzuar si të tillë, dhe evazorë fiskalë, apo të supozuar, është edhe “bir” i tendencës moderne të përdorimit të internetit për larje hesapesh. Në fund të fundit, mjafton shumë pak. Një foto kompromentuese, një email i rezervuar i postuar në Facebook, një lajm fals i përhapur në Twitter. Në Itali, kërcënimet e ardhur në postën elektronike të deputetes Laura Boldrini dhe fotoja false, ku shfaqej nudo e që është bërë të qarkullojë me qëllim denigrimin janë histori e djeshme. Ashtu si vendimi i drejtorit të lajmeve në La7, Enrico Mentana që të mbyllte llogarinë në Twitter për shkak të fyerjeve të shumta që merrte shtynë Roberto Savianon që të reflektonte për kufijtë e të drejtës së re për rrjete socialë, për degjenerime të mundshëm, për “nevojën e rregullave që të mos jenë censurë”.
Deri kur arrin kritika legjitime, pyet shkrimtari, dhe ku nis përbaltja? Dhe deri ku mund të shtyhet liria për të denoncuar në faqe interneti dhe rrjete socialë njerëz të akuzuar, duke u fshehur pas anonimatit? Pastaj, nuk është e qartë ku përfundojnë këta denoncime. “Shumë vajza kanë shkuar në polici dhe na kanë dërguar foto të proces verbalit – thonë administratorët e “Unë urrej maniakët” – madje ndonjë pedofil ishte tashmë i skeduar nga policia dhe është kapur prej denoncimit”.
Efikase apo jo, hakmarrja në internet nuk është fenomen vetëm italian. Në Kinë janë hapur shumë faqe ku mund të ofrohen emrat e atyre që besohet se kanë marrë rryshfete. Në Estoni, Lituani, Finlandë dhe Iran të korruptuarit mund të denoncojnë që nga telefoni. Me riskun që mund të shndërrohet në një lojë për masakrim: të gjithë kundër të gjithëve për të shkatërruar reputacionin e tjetrit. Duke hedhur gurin, dhe fshehur dorën…
Il Venerdi – Bota.al