Motivuese

Histori e bukur: Bashkëshortja humb kujtesën, ai i rrëfen në një ditar 60 vitet që kaluan bashkë

Historia e një çifti nga Friuli është bërë e njohur nga mbesa e tyre, Giada, që preku Twitterin me 10 mijë like

Të kalosh një jetë së bashku, krah për krah. Më pas, të shohësh personin me të cilën ke kaluar dekada plot gëzime dhe dhimbje, që të harrojë gjithçka, me kështjellën e përvojave të përbashkëta që thërrmohet, nën peshën e viteve dhe të moshës.

Një eksperiencë e pranishme në shumë familje ajo e sëmundjes që prek personat e moshuar, duke i shuar kujtimet e momenteve të kaluara së bashku. Një eksperiencë që gjyshi i Giadas ka vendosour ta përballojë në mënyrën e vet, duke shkruajtur një ditar për bashkëshorten e dashur, që mund ta ndihmojë të mbërthehet fort pas jetës, e cila për fat të keq ka nisur t’i shpëtojë duarsh. Pak si në filmin “Fletët e jetës sonë”. Vetëm se është reale. 

“Gjyshja ime po humb kujtesën, ndonjëherë nuk i njeh familjarët apo shtëpinë e saj. Kështu, gjyshi im ka nisur të shkruajë në disa fletë jetën e tyre, duke shtuar edhe bij dhe nipër. Dje më tregoi pjesën e parë dhe më erdhi të qaj”, ka shkruajtur Giada në Twitter, duke bërë publike faqet e para të një ditari të quajtur “Jeta jonë”, që gjyshi i saj i dashur, 86 vjeç, po e shkruan për gjyshen, e cila është 92 vjeçe. Postimi i saj është bërë menjëherë viral, më shumë se 10 mijë persona janë prekur në shpirt.

“Kush je për mua. Jam bashkëshorti yt, për arsyen e thjeshtë se në 7.4.1963 në kishëzën e Maddona del Ponte, në Villa Santina u martuam”, shkruan gjyshi, që ka dashur të rindërtojë edhe kapitujt e hershëm të një jete bashkë me të shoqen. Ka gjithçka: nga takimi i parë në klinikë në vitin 1959, dalja e parë, drama e tërmetit të 1976, blerja e shtëpisë, lindja e bijve dhe nipërve. 

“Shumë gjëra për gjyshërit e mi i zbulova ditën që lexova ditarin që po shkruan gjyshi. Si për shembull që kur janë njohur fillimisht, ajo ishte pak kokëfortë, ndërsa ai këmbëngulës për ta bindur. Detaje të vogla që më mbushën zemrën”, ka rrëfyer Giada.

Gjyshi dhe gjyshja e Giadas jetojnë së bashku, ai kudjeset për të. “Prej pak vitesh gjyshja ime ka nisur të humbasë kujtesën. Në fillim ishin gjëra të vogla, si dita e javës. Më pas u shtuan, me përparimin e sëmundjes. Ndodh herë pas here që nuk na njeh. Ditari po e ndihmon shumë. Gjyshi ka bërë dhe një tjetër kopje me qëllimq ë ajo ta mbajë me vete dhe ta lexojë kur i duhet”.

Eshtë edhe një mënyrë prekëse dhe tejet e ëmbël për të bërë të pavdekshëm pothuaj 60 vitet e dashurisë së tyre. Duke ia hedhur kështu sëmundjes dhe kalimit të pashmangshëm të kohës. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button