Your Life

Humba prindërit dhe u detyrova t’ia dilja e vetme…

Ndoshta dikush më kupton, kur them se jetesa pa prindërit është goxha e vështirë, sidomos në ditët e para kur mungesa e tyre ndihet në mënyrë të tmerrshme.

Sot unë jam 26 vjeçe dhe dhjetë vjet më parë, unë humba prindërit e mi në një aksident tragjik. Ishim duke u kthyer vonë nga një rrugë e vështirë përgjatë qafës së Llogarasë dhe dritat e një kamioni përballë nesh, verbuan sytë e tim eti në timon dhe aksidenti ishte falal. Atje unë humba prindërit e mi dhe mbeta totalisht e vetme. Isha vetëm 16 vjeçe dhe kur unë jam zgjuar gjithë gjak në fytyrë, ndodhesha në ambulancë. Nuk e kuptoja mirë çfarë kishte ndodhur, derisa kur u qetësova në spital, pyeta një infermiere të re për prindërit e mi dhe ajo filloi të qante. Kam ecur gjatë gjithë korridorit të urgjencës së spitalit duke qarë pa e ditur se ku po shkoja, derisa një mjek më ndaloi dhe një infermiere më shpoi në krahun e djathtë dhe aty nuk ndjeva më gjë.

U zgjova të nesërmen dhe rreth meje kisha dy xhaxhallarët, dy tezet dhe dajen që po rrinin të mërzitur. Njëra nga tezet po qante dhe secili nisi të më përqafonte, sikur të ma shprehnin ngushëllimin e tyre pa fjalë. Unë nuk dija se ku isha. Në mendje më lindnin edhe pyetje se pse unë isha në jetë, kur dy personat më të rëndësishëm për mua kishin ndërruar jetë…

Nuk më morën në varrimin e prindërve dhe vetëm pas një viti e mësova se ku ishin varret e tyre për t’i çuar lule dhe për t’u shprehur me ta, sa herë ta ndieja të nevojshme. Ndërkohë e mbaj mend si sot festën e Vitit të Ri atë vit që më vdiqën prindërit. Unë jetoja tek njëra nga tezet dhe kur ata ngritën dollinë, nuk dinin për çfarë të më uronin. E vetmja gjë që më thanë, ishte “Shumë suksese në shkollë për këtë Vit të Ri!”. Kur plasën fishekzjarret dhe të gjithë po e shprehnin me shpirt një dëshirë, unë doja thjesht të shihja sikur edhe një herë të vetme prindërit e mi përballë dhe t’u tregoja se sa shumë po e vuaja mungesën e tyre, se sa keq ndihesha unë kur në mbledhjet me prindërit duhet të shkoja me tezen, ndërkohë që të gjithë shkonin të lumtur me prindërit e tyre.

Unë isha në vit të dytë të gjimnazit në atë kohë dhe mësova shumë, derisa në fund të gjimnazit kapa mjekësinë e përgjithshme. Sot jam një e diplomuar dhe e punësuar si mjeke dhe në zyrën time kam të varur një foto bashkë me prindërit gjatë pushimeve në vitin kur i humba ata. E kam zmadhuar foton dhe e kam vendosur në një kornizë të veçantë që e porosita në një faqe online. Sa herë që pacientët vijnë të shëruar për të më falenderuar, shoh vetëm nga fotoja e prindërve dhe lotët më rrëshqasin nëpër faqe. Do të doja shumë që ata të ishin gjallë dhe të shihnin sukseset e mia. Do të doja t’i bëja ata të ndiheshin krenarë me mua, teksa të më shihnin të realizuar, por ja që jeta është shumë e padrejtë… / e.h. / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button