Sport

Il Messaggero / Zemërimi i shqiptarëve të Lacios: “Ishte si në luftë”

tare“Ende e kam të pamundur të besoj atë që ka ndodhur atë natë në Beograd, sporti nuk duhet të ketë fare të bëjë me këto gjëra”. Ai që flet pas ndeshjes Serbi-Shqipëri është Igli Tare, drejtor sportiv i Lacios dhe ish kampion i kombëtares shqiptare. Ai ishte atje, në tribunën e Stadiumit të Partizanit, dhe kur mbërriti fluturaku me flamurin dhe hartën e Shqipërisë së Madhe si dhe gjithë ngjarjet që e pasuan, pati disa momente frike. Më pas, në fushë ndodhi gjithcka: “Sporti ka humbur. Natyrisht që jemi krenarë për historinë tonë dhe rrënjët tona. Dhe e keni parë se si futbollistët tanë e mbrojtën flamurin e Shqipërisë në mesin e fushës. Kam mbetur i zhgënjyer, shpresoja të fitonte futbolli, por nuk ndodhi. Stadiumi nuk ishte gati për të pritur këtë lloj ndeshjeje dhe, më vjen keq ta them, por zjarrit i kanë hedhur benzinë si gazetat serbe, ashtu edhe ato shqiptare para ndeshjes”. Tare ishte pranë Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit shqiptar, një prej të dyshuarve të parë nga policia serbe se kishte komanduar fluturakun. “Edhe kjo është një marrëzi – shpjegon drejtori lacial – Olsi është një miku im, ishte pranë meje dhe e vetmja gjë që kishte në dorë ishte një aparat fotografik, aq e vërtetë është kjo sa që ia rikthyen menjëherë”.
Futbollistët dhe sherri
“Kishim shkuar të luanim futboll, por u sulmuam nga tifozët serbë”, thotë Lorik Cana, kapiten dhe idhull i Shqipërisë. “Ne – vazhdon futbollisti i Lacios – donim vetëm që të merrnim flamurin tonë dhe gjithcka do të rikthehej në normalitet, por më pas na sulmuan. Pashë një person që ishte gati të godiste me një karrike një shokun tim të skuadrës dhe shkova ta mbroj. Personeli i sigurisë të stadiumit, në vend që të na mbronte, na sulmoi, por UEFA ka parë gjithcka, ata donin që të riktheheshim e të vazhdonim lojën me stadiumin bosh, por ishte e pamundur të ktheheshim në fushë”.
Cana nuk e ka me kundërshtarët: “Po ju përmend Ivanovicin, ai është një burrë i vërtetë, e pranoi vendimin tonë”. Në të njëjtën gjatësi valë është edhe Ertrit Berisha, portier i Shqipërisë dhe i Lacios: “Atmosfera ishte si në luftë. Përpara ndeshjes e dinim që i gjithë kombi po na ndiqte në këtë ndeshje shumë të rëndësishme, ishte emocionuese. Luftuam për ta”. I hidhëruar tekniku i kombëtares, Gianni De Biasi: “Nuk është futboll, katër prej lojtarëve të mi u lënduan dhe keqtrajtuan brenda tunelit. Ndodhi gjithcka”.
Daniele Magliocchetti

Leave a Reply

Back to top button