“Imagjinoni sikur jeni një fëmijë para kompjuterit… është një botë që bazohet në të parin dhe në të dëgjuarin – në ndjesi të fuqishme. Një botë ku ndjesitë triumfojnë mbi arsyen. Nëse trurit njerëzor i jep një mjedis ku veprimet nuk kanë pasoja… a nuk mund të ndodhë që ky tru të mbetet në gjendjen foshnjarake?”
Gjatë mbi dy dekadave e gjysmë, që nga krijimi i internetit, revolucioni dixhital ka prekur çdo aspekt të jetës njerëzore. Çereku i planetit tani ka këtë qasje të jashtëzakonshme në informacione dhe në njerëz. Por ashtu si jemi të zënë me këtë aktivitetet, pak nga ne ndalojnë për një moment dhe pyesim: si po ndikon tek ne Interneti: çfarë efekti ka ai në marrëdhëniet tona? Në shkollimin tonë? A po e ndryshon ai mënyrën tonë të të menduarit?
Vendi i parë ku mund të kërkosh përgjigje për këtë, është vendi ku interneti përdoret më shumë se kudo në botë: Koreja e Jugut. Interneti është i pranishëm kudo dhe koreanojugorët janë thuajse të gjithë online, duke përfshirë dhe fëmijët, që nga mosha 3 vjeçare. Kjo ka bërë që koreanët të jenë gjithmonë e më të shqetësuar për varësinë ndaj internetit.
Sipas qeverisë së Koresë së Jugut, pothuaj një çerek milioni fëmijë janë tashmë të varur prej tij. Një e katërta e tyre duhet të marrin trajtim spitalor. Por jo vetëm në Korenë e Jugut, në mbarë botën, prindërit kanë filluar të shqetësohen nga ideja që fëmijët e tyre po rriten të konsumuar nga interneti. Homo Interneticus duket se ngadalë po mbytet në një det me informata.
“Fëmijët vijnë në shtëpi dhe hyjnë drejt e në Facebook,” apo “Jeta e tyre rrotullohet rreth kompjuterave,” janë dy nga frazat më të zakonshme të prindërve në perëndim. Fëmijët e epokës së internetit nuk e imagjonojnë dot veten pa të. Madje ata mendojnë se jeta për brezat para tyre, para internetit, duhet të kishte qenë shumë e mërzitshme.
Studiuesja Susan Greenfield është skeptikja më e madhe ndaj internetit në Britani. Ajo vazhdimisht e ngre zërin për të shprehur shqetësim, për mënyrën se si interneti mund të shkatërrojë sensin e realitetit të fëmijëve. “Imagjinoni sikur jeni një fëmijë para kompjuterit… është një botë që bazohet në të parin dhe në të dëgjuarin – në ndjesi të fuqishme. Një botë ku ndjesitë triumfojnë mbi arsyen. Nëse trurit njerëzor i jep një mjedis ku veprimet nuk kanë pasoja… a nuk mund të ndodhë që ky tru të mbetet në gjendje foshnjarake?” argumenton ajo.
‘Homos Interneticus’
Deri në kohën kur brezi i internetit të arrijë moshën madhore, pjesëtarët e tij do të kenë kaluar mijëra orë në internet. Një përqindje e madhe e këtyre orëve do të kalohet në rrjetet sociale si Facebook.
Në 24 maj 2007, disa ditë pas ditëlindjes së vet të 23-të, bashkëkrijuesi i facebook-ut Mark Zuckerberg foli për suksesin triumfal të krijesës së tij. Ambicja e Zuckerberger-it që në kolegj, ishte që Facebook-u të bëhej një vend për të takuar miq, për të ndarë informata me ta. Por Facebook-u kritikohet se i bën shoqëritë, miqësirat të pakuptimta. Çfarë do të thotë të kesh 10 mijë shokë, si kanë disa në Facebook?
Profesori i Oksfordit, Robin Dunbar, antropolog, në vitin 1992, pas një eksperimenti arriti në përfundimin se limiti i marrëdhënieve njerëzore është 150. Ky numër është bërë i njohur si Numri Dunbar.
Por çfarë do të thotë ky numër për homo interneticus-in, njeriun e brezit të Facebook-ut? Sociologët e faqes kanë arritur në përfundimin se natyra funksionon dhe i bën mrekullitë e veta, edhe on-line.
Në përgjithësi, një anëtar i rrjetit Facebook ka shumë më pak se 150 ‘shokë’, ndërkohë që komunikon rregullisht me 5 deri në 6 vetë në ditë. Por rrjetet sociale mund të jenë duke na ndryshuar më shumë ne vetë, sesa marrëdhëniet tona me të tjerët.
Teknologjia
Ideja e Facebook-ut është që na mban gjithmonë në korrent me një lumë informatash. Sherry Turkle është psikologe e njohur, që për 20 vjet ka studiuar mënyrën se si ne bashkëveprojmë me teknologjinë. Ajo thotë se rrjetet sociale mund të ndryshojnë dhe personalitetin. “Fillon të krijosh një lloj të ri personaliteti pothuajse… Është një ndjesi e cila në çdo moment, të bën të kërkosh miratimin dhe mbështetjen e komunitetit. Ne nuk ushqehemi më, por konsumohemi në një farë mënyre nga ajo që kemi krijuar,” thotë psikologia Turkle. Por po ndodh dhe një ndryshim më i madh. Arkitektura e internetit duket se e përdor trurin e njeriut tani në një mënyrë krejt të re, për të asimiluar gjithë këtë sasi informacioni. Profesori David Nicolas nga University College London ishte akademiku i parë që analizoi në mënyrë sistematike sjelljen on-line, duke shqyrtuar miliona të dhëna anonime.
Ai gjeti se rreth 40 përqind e përdoruesve nuk i kthehen për ta rivizituar të njëjtës faqe interneti për herë të dytë, dhe se përdoruesit shohin vetëm 3 faqe nga miliona që janë on line. BBC bëri një eksperiment të vetin, të parin në shkallë globale me 100 persona të moshave dhe gjinive të ndryshme, të cilët e përdorin në shkallë të ndyrshme internetin, për të bërë disa veprime në internet. Rezultati i eksperimentit duket se konfirmoi atë që dyshojnë shumë: se brezi i internetit ka një mënyrë të menduari më shumë mekanike, sesa analitike.
Pjesëtarët e këtij brezi iu përgjigjën pyetjeve që iu shtruan pasi kishin parë vetëm gjysmën e faqeve të internetit dhe pasi shpenzuan on-line vetëm 1/6 e kohës që kaloi brezi pararendës i tyre.
Por kultura në pamje të parë sipërfaqësore e të vepruarit të të rinjve në internet, mund të ketë një anë serioze dhe të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në botën reale.
Një nga shembujt më të fuqishëm mund të shihet në mënyrën se si brezi i internetit po përfshihet në politikë. Përdoruesit e rinj të YouTube, Facebook, MySpace dhe Twitter, u bënë pjesa qendrore e fushatës elektorale të presidentit Obama. Atë vit Obama kishte 3 milionë miq në Facebook dhe studimet tregojnë se një e treta e nën 30 vjeçarëve përdorin rrjetet sociale për të komunikuar bindjet e veta politike. Dy të tretat e tyre merrnin mesazhet politike përmes videove politike on line. Një e katërta i dërgonte ato pastaj tek persona të tjerë, apo ripërziente materialin. Për shumëkënd, ky është një zhvillim pozitiv. Një lloj i tillë komunikimi, argumentojnë mbështetësit e tij, një seleksionim i tillë i inteligjencës të cilin e mundëson interneti, ka qenë gjithmonë faktor nxitës i përparimit njerëzor.
NS – Bota.al