Sport

INTERVISTA / Futbolli nuk ka frikë

Screen Shot 2016-06-06 at 10.35.03

Në prag të Kampionatit Evropian, që nis në Francë këtë të premte, revista “Grazia” ka takuar David Trezege, ambasadorin e këtij evenimenti. Ish-futbollisti i njohur i kombëtares franceze, shpjegon se pse pas sulmeve të Parisit nëntorin e vitit të shkuar, ky kampionat do të ketë një vlerë të madhe. Dhe jo vetëm për tifozët.

Harrojeni stereotipin e futbollistit pak të vrazhdë dhe fjalëpak, ai është tjetër gjë. Elegant, i zgjuar, i vëmendshëm ndaj nuancave:edhe nëse nuk jeni tifozë futbolli, do të rrinit ta dëgjoni për orë të tëra, siç ka ndodhur me mua. Takimi me ish-futbollistin David Trezege ndodhi në Milano, pasi u zgjodh nga kompania ”Trussardi Eyeëear” për fushatën dixhitale ‘Eleganca Vizionare’.

Mbetem e magjepsur nga sjelljet e tij prej xhentëllmeni, dhe jeta e tij e mbushur me anekdota dhe kuriozitete.

Në fushën e blertë e quanin Trezegol, për shkak të golave të shumtë që shënonte. Nuk është rastësi që FIFA, Federata Ndërkombëtare e Futbollit, e ka përfshirë në listën e 120 lojtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohrave. Tashmë në moshën 38-vjeçare është emëruar ambasadori i Kampionatit Evropian të Futbollit, që do të mbahet në Francë nga datat 10 qershor-10 korrik.

Si ju bën të ndiheni ky rol i një prestigji të madh?

Jam krenar. Kjo më bën të kthehem pas në kohë në vitin 2000, kur fitova me Francën Evropianin duke mposhtur Italinë me një gol në kohën shtesë. Asokohe ekipi ynë qe shumë i dashur, pasi ne përfaqësonim një simbol të multikulturalizmit:ishte forca jonë. Ne ishim shembulli se sporti, sikurse thoshte edhe presidenti i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, mund të bashkojë një komb.

Kohërat kanë ndryshuar:çdo ngjarje e rëndësishme që zhvillohet sot në Francë, përballet me rrezikun e terrorizmit. A ndihet tensioni në vend?

Francezët e kanë kuptuar, se edhe pas sulmeve të 13 nëntorit, jeta vazhdon:të kesh frikë, të qëndrosh mbyllur në shtëpi, do të thotë të luash lojën e terroristëve. Kjo është arsyeja pse Kampionati Europian, që është një ngjarje e madhe sportive, do të jetë një festë për të gjithë, dhe jo vetëm për tifozët.

Ju keni lindur në Francë, ndërsa keni origjinë argjentinase. Italia ju adoptoi:keni luajtur për 10 vjet tek Juventusi. Ndërsa djemtë tuaj Aaron, 16 dhe Noraan 8 vjeç janë gjysëm spanjollë. Për cilën skuadër do bëni tifo në evropian?

Unë kam një respekt të madh për të gjitha ekipet, por Franca është ajo që kam më për zemër, për shkak se është një vend që aktualisht ka nevojë për mbështetjen tonë.

Me këtë rast do të njihni edhe presidentin Fransua Holond?

Unë e njoh tashmë:dy muaj më parë më kërkoi ta shoqëroja në një udhëtim në Amerikën e Jugut, ku paraqitën pasurinë kulturore, sportive dhe sociale të Francës. Më zgjodhi pikërisht mua, pasi tek unë përzihen dy shpirtra, ai latin dhe francez.

Aktualisht jetoni në Torino dhe udhëtoni shpesh:u bëtë ambasadori i Juventusit në të gjithë botën. A e keni njohur presidentin Xhani Anjeli në fillim të aventurës suaj?

Po, në vitin 2000: e kam takuar sapo mbërrita në Itali. Shkova në vilën e tij të madhe në kodër, ku më priste një shërbëtor në doreza të bardha. Pas 20 minutash pritjeje, takova jo vetëm vetëm një njeri, por një karakter mitik që shkonte përtej Juventusit:ishte Fiati, Ferrari, sipërmarrja italiane. Ishte i rëndësishëm për mua:më bëri të kuptoj se duhej të fitoja me çdo kusht. Vinte shpesh gjatë stërvitjeve tona në stadium, të gjithë e ndalonin dhe njerëzit ngriheshin në këmbë për ta duartrokitur.

Në karrierën tuaj si futbollist jeni stërvitur edhe nga Klaudio Ranieri, i cili këtë vit, kundër të gjitha parashikimeve fitoi Premier Ligën angleze me një ekip të “varfër”, Lestërin. Cili është komenti juaj?

Është një shembull i madh:nuk kishte fituar asnjëherë ndonjë kampionat dhe e fitoi tani, në moshën 64-vjeçare. Me fjalë të tjera:gjithmonë mund të vazhdohet të rritesh nga ana profesionale. Dhe pastaj është dëshmi e krijimit të një atmosfere të këndshme me lojtarët e tij, duke vënë në pikëpyetje idenë se në futboll fitojnë vetëm ekipet më të pasura të futbollit, dhe me lojtarë që paguhen më shumë.

Kush ka qenë tifozi juaj më i madh gjatë karrierës tuaj?

Mamaja ime. Për bestysni ajo vinte në stadium me një thelp hudhër, kripë, një shirit të kuq dhe ndonjëherë edhe me ndonjë daulle. Dhe kur vitin e kaluar lashë futbollin, u shqetësova:e kishte jetuar me kaq pasion jetën time si lojtar, saqë pata frikë se do të qe e vështirë për të të gjente një rol dhe ekulibër të ri. Por tani po e gëzon jetën më shumë, është më pak e stresuar dhe si gjyshe kujdeset për nipat e saj.

Por personi që nuk e falënderoj asnjëherë sa duhet është motra ime e vogël Fabiana. Unë u zhvendosa në Francë për të realizuar një ëndërr, ndërsa ajo vetëm për të më shoqëruar:ishte vetëm 13 vjeç, dhe u gjend në një vend krejtësisht të ri. Dhe sot, që është 31-vjeçe, jam krenar për të:studioi shumë dhe merret me organizimin e baletit klasik në Monte Karlo.

Fëmijët tuaj jetojnë në Monte Karlo së bashku me ish-gruan taj. E kanë ndjerë faktin e të pasurit një baba të famshëm?

Jo. Nuk e di se cili ka qenë sekreti ynë, por ata kanë një jetë normale dhe nuk kanë përfituar asnjeherë nga fakti që mbajnë mbiemrin Trezege:kjo më bën të lumtur. Djali im Aaron nuk e ka fare qejf futbollin:është një tifoz i tai-boksit. Noraan duhet të përcaktojë ende drejtimin që do të marë në jetë. Dhe më shumë se sa shikimi i ndeshjeve të futbollit së bashku, i pëlqen të udhëtojë. I çoj shpesh në Argjentinë, ku gjithmonë na pret një familje të madhe. 

Dhe së fundmi u zgjodhët ambasador i fushatës dixhitale të “Trussardi Eyeëear”. Ju pëlqen moda?

Mësova si të vishem me stil në Itali, dhe e kam njohur mirë Trusardin gjatë këtij viti (është furnizuesi i uniformave zyrtare të Juventusit). Më pëlqen stili dhe ideja e tij mbi elegancën. Por unë nuk jam shumë i thekur për pazar:zakonisht ia delegoj të gjitha blerjet partneres sime (Belen Kozimo).

Jeni një burrë romantik?

E dashura ime do t’iu përgjigjej jo. Nuk jam nga ata që dhuron lule, por kam nevojë të jem gjithmonë me gruan që dua. Belen me shoqëron në udhëtime, diskutojmë gjithmonë:pasja në krah e saj më ndihmon. Dhe, mbi të gjitha, është e afërt me fëmijët e mi, ka një marrëdhënie të mirë me ta, dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. /Grazia – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button