Sport

INTERVISTA / Hames Rodriguez: “Mendova tërheqjen, i jam borxhli njerkut”

rodriguezHames Rodrigez është ylli më i ri i futbollit ndërkombëtar. Shkëlqeu në Kupën e Botës dhe bëri klubet më prestigjioze të luftojnë për shërbimet e tij. Firmosi te Reali i Madridit për një shifër marramendëse dhe tashmë duhet të tregojë vlerat prej “galaktiku”. Kolumbiani 23- vjeçar rrëfen jetën e tij, momentet e vështira kur mendoi edhe t’i japë fund aventurës me futbollin, kush janë personat që e ndihmuan të arrijë deri në këtë nivel dhe premtimet te Reali. Mesfushori pranon se është i gatshëm të qëndrojë në stol në fillim të edicionit, por premton se do i bindë të gjithë. Në fund, ai lëshon mesazh për Falkaon, duke shpresuar që ta ketë shokë skuadre në Madrid…
Cilat janë ndjesitë tuaja pak ditë para nisjes së stërvitjes me Realin e Madridit?
I lumtur, pasi është një ëndërr e bërë realitet. Mezi po pres të nis stërvitjen. Jam i emocionuar, por dua të fitoj shumë tituj me këtë klub.
Që i vogël keni dashur të bëheni futbollist?
Gjithnjë e kam dashuruar këtë sport. Doja të isha numri 1, të pasoja, të shënoja gola… Tani që jam te Reali, jam vetëm një yll më tepër.
Ka foto, ku jeni fëmijë, duke shënuar gola spektakolarë…
Po, kam shënuar disa të tillë. Por tani është e vështirë (qesh).
Kur filluat të ndiqnit Realin e Madridit?
Që fëmijë. Kur luanin Zidan, Bekham, Ronaldo. E kam adhuruar Zinedin për atë që bënte në fushën e lojës.
Eduardo Lara, trajneri kolumbian që ju ka marrë në kombëtaret U-17 dhe U-20 thotë se ju stërviteshit edhe kur mbaronte seanca, pavarësisht se një ditë më vonë kishit ndeshje…
(qesh) Është e vërtetë. Gjithnjë jam stërvitur shumë. Kam nisur ta bëj që në moshën 11-vjeçare dhe nuk kam ndër mend të heq dorë tani.
Keni arritur të përmirësoni ndjeshëm aftësinë tuaj për të goditur…
Ka ardhur si rrjedhojë e një stërvitjeje me të vërtetë të lodhshme dhe të gjatë. E kam ditur që është një nga elementet më të rëndësishme të futbollistit dhe doja që ta kisha një armë të fortë, jo si gjithë të tjerët.
Kush ishte i pari që ju tha për interesimin e Realit të Madridit?
Që kur e mora vesh se Reali më donte, bëra gjithçka mundesha që të transferohesha. Kisha folur disa kohë më parë, por nuk isha i sigurt. Vetëm në qershor u bë zyrtare që më donin. Është një klub i madh, të cilin nuk mund ta refuzoja.
Është e vërtetë se ju ndiqnin që kur luanit me Porton?
Po. Ata i ndjekin gjithnjë lojtarët e talentuar, por duhet të binden para se të bëjnë ofertë. Unë zhvillova një paraqitje të mirë në Kupën e Botës dhe ata nisën bisedimet me mua. Në fakt, isha shumë i qetë. Madje, u motivova më tepër për të dhënë maksimumin me Kolumbinë.
Kur keni qenë 16 vjeç, keni menduar të tërhiqeni. Ndërsa te Monako kaluat një periudhë shumë të vështirë…
Kam menduar të tërhiqem, por do kishte qenë gabimi më i madh i jetës sime. Te Monako, Ranieri nuk u bind për aftësitë e mia dhe për dy muaj e gjysmë kam luajtur shumë pak. Më pas, kur m’u dha mundësia, tregova se sa vlej. Në Francë mësova shumë, pasi luhet futboll fizik dhe taktik.
Keni pasur trajnerë emra si Falkioni, Ranieri dhe Vilas- Boas. Prej kujt keni mësuar më shumë?
Secili ka pasur diçka të veçantë. Me Falkionin kam qenë 15 vjeç dhe ishte ai që më mësoi të jem profesionist. Andre gjithashtu më rriti si lojtar.
Cili është pozicioni juaj i preferuar në fushë?
Kudo që të ketë dëshirë trajneri. Jam i aftë të luaj në të majtë, në të djathtë, apo në qendër. Rëndësi ka të jem në fushën e lojës.
E sheh veten titullar te Reali?
Duhet të luftoj shumë për të fituar formacionin. Ka lojtarë të shkëlqyer që luajnë prej vitesh në Madrid, të cilët duhet t’i respektoj.
Keni folur me Ançelotin?
Ende jo. Do e bëj kur t’i bashkohem ekipit normalisht.
Po me lojtarët e tjerë të Realit?
Kam folur me Ronaldon disa muaj më parë. Është një person i jashtëzakonshëm. Ka qenë para ndeshjes kundër Bajernit. Më uroi për Botërorin.
Çfarë mendimi keni për Realin?
Klubi më i mirë në botë.
Po Barcelona?
Klub i madh, admiroj shumë prej lojtarëve që ka. I respektoj.
E dini se çfarë do të thotë të mbash fanellën me numrin “10″ në Madrid?
Diçka e shkëlqyer. Një numër që të mban nën presion. Shpresoj ta meritoj në fushën e lojës.
Si e ëndërroni golin tuaj të parë?
Si të dëshirojë Zoti. Bukur do ishte që të ishte goli fitues.
Na flisni pak për Falkaon. E shikoni te Reali?
Jam i sigurt që mund të luajë fare mirë. Ka karakter triumfuesi. Nuk e di nëse mund të largohet, pasi e ka në dorë presidenti. Por e ka treguar që është lojtar i nivelit maksimal.
Sa e rëndësishme është familja për ty?
Më e rëndësishmja. Kam shumë miq në të gjithë botën, por kur njeriu kalon momente të vështira, është familja ajo që të qëndron pranë.
Ka ndikim nëna juaj te ju?
Pa diskutim. Ka pasur ndikim që në momentin e parë që kam nisur të luaj futboll.
Po bashkëshortja juaj, Daniela?
Ka shtatë vite që qëndron pranë meje çdo ditë. Me të kaloj çdo moment, të bukur apo të vështirë.
Ia keni mësuar kërcimin “Ras Tas Tas” vajzës suaj, Salome?
Është vetëm 14-muajshe dhe di ta kërcejë (qesh).
Ku keni mësuar të kërceni kaq mirë?
Është shumë e lehtë të mësosh kur je në ekip me Armeron dhe Kuadradon.
Njerku juaj ka qenë vendimtar në karrierën tuaj…
Po. Shumë pak njerëz e dinë se ka qenë personi që më ka inkurajuar më tepër për futbollin. Më ka mësuar të luaj që kur isha 6 vjeç. Më pas më futi në akademi. Vazhdon të më japë këshilla, pasi e njeh shkëlqyeshëm këtë sport. Mendoj se i jam borxhli, pasi prej besimit që më ka dhënë ai, sigurova edhe këtë karrierë.
Si është një ditë normale e Hamesit?
Kur nuk kam stërvitje, zgjohem në orën 9:00. Më pëlqen ushqimi kolumbian, më bën të ndihem më afër vendit tim. Më pas e kaloj ditën me njerëzit e afërt.
E vuani faktin që jeni në qendër të vëmendjes?
Nuk më pëlqen aspak. Nuk mund të dalësh nga shtëpia i qetë. Sigurisht që të luash me klube elitare ka edhe anët negative.
Keni gjetur shtëpi në Madrid?
Jo, akoma. Ëndërroj të kem një shtëpi të madhe, me shumë gjelbërim dhe pishinë. Më relakson.
Kunati juaj, David Ospina, firmosi me Arsenalin…
Jam i lumtur për të. Është një portier dhe njeri i madh. Jam i bindur që do tregojë aftësitë e tij te “topçinjtë”.
Dëshironi që Pekerman të vazhdojë të jetë trajner i Kolumbisë?
Ne të gjithë duhet të bëjmë maksimumin që ta mbajmë atë. Ka bërë një punë të madhe me skuadrën, duke e përmirësuar ndjeshëm. Të gjithë e panë forcën tonë në Kupën e Botës dhe mund të kishim pasur ecuri më të gjatë. Meritën kryesore e ka pikërisht Pekerman. Di gjithçka mbi futbollin dhe mbi të gjitha ka krijuar një frymë harmonie brenda skuadrës.
Pyetja e fundit lidhur me Realin. Jeni gati për ta nisur sezonin duke qëndruar në pankinë?
Sigurisht. Unë jam i vetëdijshëm për situatën. Vij në një klub të madh, me futbollistë të shkëlqyer. Shumë prej tyre kanë tre apo katër vite që luajnë së bashku dhe bëhet fjalë për lojtarët e pozicionit tim. Jam gati të qëndroj në pankinë dhe gjithashtu të jem gati për të treguar të gjithë potencialin tim, sapo të më jepet mundësia.
Jepni një mesazh për tifozët madrilenë…
Do japim maksimumin tonë për këtë klub. Na mbështesni dhe do ju japim shumë tituj…

Burimi: http://www.panorama-sport.com/la-liga/mendova-terheqjen-i-jam-borxhli-njerkut/#ixzz39B2rTdJ1

Leave a Reply

Back to top button